E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prag krize

SHBA: Burimet alternative të energjisë tërheqin disa nga investitorët më të fuqishëm

Manjati i energjisë, Tomas Boni Pikens, siguroi fitime kolosale nëpërmjet naftës, por tani ai ka përkrahur një fushatë kombëtare larg naftës dhe në drejtim të një të ardhmeje për energji të rigjenerueshme. Por shumë ekspertë janë mosbesues rreth propozimeve të tij. Në një masazh filmik të transmetuar në televizion dhe internet, Tomas Boni Pikens paralajmëron banorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth krizës shqetësuese energjetike me të cilën po përballet vendi. “Nuk kemi më nevojë për fjalë. Na duhen veprime dhe një plan, i cili duhet të jetë përparësia kryesore për presidentin dhe kongresin e ardhshëm. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri i naftës, por kjo është një situatë emergjente nga e cila nuk mund të shmangemi”, - tha ai. Pikens thotë se Shtetet e Bashkuara janë duke u dërguar prodhuesve të huaj të naftës rreth 700 miliardë dollarë në vit, sepse prodhimi amerikan ka mbetur shumë mbrapa ndaj kërkesave të brendshme. Në shkrimet e tij të publikuara në faqet e internetit, Pikens shpjegon se si përdorimi i naftës mund zvogëlohet duke kaluar 22 për qind të prodhimit të energjisë nga gjeneratorë që punojnë me gaz natyral, në gjeneratorë që punojnë me erë dhe, më pas, gazi natyral të përdoret për transport. Pikens thotë se kjo nuk do të shmangë 38 për qind të naftës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tashme duke importuar, dhe me çmimet e tanishme do t’i kursejnë vendit 300 miliardë dollarë në vit. Por Pikens ka shkaktuar shqetësime mes shumë kolegëve të tij të fushës së naftës, duke sugjeruar që kërkimet për më shumë naftë në vend nuk janë përgjigjja ndaj krizës së tanishme. Brajan Kenedi, në Institutin e Kërkimeve Energjetike, thotë se  Pikens e kaloi kufirin, duke nënvleftësuar deri në injorim idenë e shpimeve të reja për naftë. “Sinqerisht, mendoj se kjo logjikë është çorientuese. Ajo për të cilën kemi nevojë, është rritja e prodhimit të të gjithë llojeve të mundshme ekonomike të energjisë që kemi brenda vendit. Shpimet padyshim që janë një pjesë e rëndësishme”, - tha ai. Analisti Kenedi mbështet thirrjen e Presidenti Bush për më shumë kërkime në zonat bregdetare të Shteteve të Bashkuara, të cilat Kongresi Amerikan i ka ndaluar. Ai thotë se vendi do të ketë nevojë për këtë naftë gjatë viteve të ardhme, sepse nuk besohet që mënyrat e tjera të prodhimit të energjisë të plotësojnë boshllëqet. Mendimi i Pikens për të përdorur gazin natyror, në vend të naftës e benzinës për automjetet, gjithashtu është kritikuar. Kompanitë e prodhimit të automjeteve nuk e kanë përkrahur idenë, pavarësisht përpjekjeve të shumta të Pikens për t’i bindur. Gazi natyror është gjithashtu një burim i kufizuar, thotë Gall Luft, drejtor i Institutit për Analizat e Sigurisë Globale. Sipas tij, “nuk është shumë e qartë se ku është përfitimi strategjik i kalimit të miliona e miliona automjeteve nga një burim tek një tjetër, kur të dy këto burime janë kaq problematikë”. Gall Luft thotë se përdorimi i gazit natyror për makinat shumë shpejt do të bënte që të kishim një varësi të madhe tek importi. Ai thotë se një strategji me e mirë do të jetë investimi tek energjitë alternative, duke u larguar nga hidrokarburet. “Të liberalizojmë tregun dhe të lejojmë burime të ndryshme energjetike të konkurrojnë me njëra-tjetrën. Kur të kemi këtë konkurrencë, kur të kemi makina që në realitet do të jenë në gjendje të zgjedhin se cilin karburant do të përdorin, tregu do të zgjidhë vetë problemet e tij në atë mënyrë, që ato që kanë epërsi ekonomike do të mbijetojnë dhe shpresojmë që të jenë burimet energjetike që ne mund t’i zhvillojmë në vend”, - vijoi ai. Energjia është bërë një problem kryesor në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Tomas Boni Pikens për shembull, do të preferonte një përqendrim më të madh mbi këtë problem. Ai ka në plan të takohet me zyrtarë në Uashington, për të paraqitur planin e tij dhe është duke u mbështetur në reklamat për fushatën e tij për të siguruar mbështetjen e publikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›