S'ka kërcënim në kufirin Kosovë - Serbi

Zëvendës/asistenti për operacione i Sekretarit Gjeneral të NATO-s, ambasadori Larry Rossin, ka deklaruar të shtunën se situata e sigurisë në Kosovë është e mirë. I pyetur se a do të ndikojë incidenti në Mitrovicë në reduktimin e trupave të NATO-s, ambasadori Rossin ka përsëritur se situata e sigurisë në Kosovë në përgjithësi është e mirë. "Ka pasur gjithmonë incidente në veri të Kosovës, por kjo do të merret parasysh në kohën e përshtatshme kur do të bëhet ndonjë propozim, e jo tani", tha Rossin në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Rossin nuk ka preferuar të vlerësojë propozimin e Beogradit për shfuqizimin e Marrëveshjes së Kumanovës.
Duke komentuar zërat që thonë se Serbia mund të paraqes rrezik për Kosovën në aspektin e sigurisë, ai tha se vlerësimi i NATO-s është se nuk ka kërcënim të sigurisë përreth vijës kufitare.