E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka nevojë

Partnerët e koalicionit qeveritar, PDK dhe LDK, nuk pajtohen me kërkesat e vazhdueshme të partive opozitare për krijimin e një qeverie teknike dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Presidenti Fatmir Sejdiu, personalisht, po ashtu është kundër.

Ai i konsideron kërkesat e opozitës si normale dhe demokratike, mirëpo jo të realizueshme në këtë kohë.

Këtë qëndrim të Presidentit Sejdiu e ka përcjellë Zëdhënësi i tij, Xhavit Beqiri, i cili kërkon që mandati i institucioneve shtetërore të respektohet.

“Në shoqëritë demokratike është shumë normale që subjektet që i takojnë opozitës të lypin shkarkimin dhe dorëheqjen e Qeverisë dhe zgjedhje të reja. Kështu që kanë synim që vetë të vihen në pushtet”, ka deklaruar Zëdhënësi Beqiri, për Express, të dielën.

Kërkesa e opozitës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme janë shpeshtuar sidomos pas hetimeve të EULEX’it në Ministrinë e Transportit.

Zyrtarë të partive opozitare vlerësojnë se institucionet janë në krizë dhe kjo gjendje do të thellohet edhe më shumë për shkak se Misioni i BE’së për Sundim të Ligjit ka paralajmëruar se hetimet do të përfshijnë edhe ministri të tjera.

Megjithëkëtë, Zëdhënësi i Presidentit thotë se institucionet shtetërore vazhdojnë të jenë stabile.

“Për fat të mirë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë stabilitet dhe Presidenti Sejdiu, siç e dini, vazhdimisht ka mbrojtur qëndrimin që të respektohet mandati i institucioneve, qoftë të Kuvendit si organi më i lartë, qoftë Ekzekutivi”, thotë Beqiri.

“Mandati është fituar me votën e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj edhe do ta respektojmë”, shton ai.

Edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës që udhëheq koalicionin qeveritar, thonë se nuk ka krizë politike për të dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, apo krijimin e një qeverie teknike.

“Nuk ka elemente për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për arsye se koalicioni qeveritar është stabil dhe po shkon në drejtim të duhur”, thotë Nënkryetari i PDK’së, Bajram Rexhepi.

Ai vlerëson se modele të tilla janë të tejkaluara dhe nëse ka krizë qeveritare, atëherë shkohet drejtpërdrejt në zgjedhje të parakohshme.

“Qeveria teknike është një koncept i tejkaluar dhe nuk përdoret askund. Ose vazhdojnë koalicionet ose shkojnë në zgjedhje të parakohshme”, shton ai.
Rexhepi thotë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë të maltretohen përsëri me zgjedhje, pasi procesi elektoral nëpër komuna zgjati më shumë se gjashtë muaj.

“Nuk mundet një popullatë me u marrë gjithnjë me zgjedhje të kohëpaskohshme. Prandaj, nuk shoh kurrfarë arsyeje që të ketë zgjedhje të parakohshme. Vetëm nëse rrezikohet me vota në Parlament, atëherë mund të mendohet shkuarja në zgjedhje të parakohshme”, shton ai.

Edhe Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk ka arsye për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme dhe as për qeveri teknike.

“Kosova nuk është në atë situatë për të rrëshqitur drejt qeverisjeve të krizës, qeveri teknike apo qeveri të shpëtimit”, ka thënë Haziri në një intervistë për Express.

Ai ka sqaruar se në çfarë situatash mund të krijohen institucione të tilla.

“Ato janë qeveri që pjellin kur ka kriza parlamentare apo institucionale. Me vetë faktin se nuk ka krizë parlamentare e institucionale, e as krizë mes partnerëve nuk është në asnjë plan qeverisja pa mandate politike”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë përkrahur as nga institucione ndërkombëtare në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›