E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka paqe shpirtërore, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Presidentja Atifete Jahjaga, priti sot në takim drejtoren e përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur, Kathryne Bomberger, me të cilën ka biseduar lidhur me çështjen e personave të pagjetur, që vazhdon të jetë një çështje e pazgjidhur në Kosovë dhe në vendet e rajonit të prekura nga lufta.

Presidentja Jahjaga tha se çështja e të pagjeturve është një trashëgimi e dhimbshme e luftërave në rajon dhe posaçërisht në Kosovë, si dhe një prej çështjeve që kërkon angazhimin e plotë dhe të pakursyer të të gjithëve, deri në ndriçimin e plotë të fatit të të gjithë të pagjeturve.

Jahjaga theksoi se në gjithë rajonin nuk do të ketë paqe shpirtërore, derisa të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, raporton “Zëri”.

Ndërkaq, Bomberger, nga ana e saj, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur për të zbardhur fatin e të gjithë të pagjeturve, njofton Zyra për informim e presidentes.

Gjithashtu, ajo theksoi se në këtë plan do të vazhdojë edhe më tej ndihma dhe përkrahja ndërkombëtare, por janë institucionet vendore ato që duhet të marrin dhe të bartin barrën kryesore në këtë çështje./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›