E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen e dëmtohen flamujt kombëtarë

Gjatë orëve të vona të natës persona të paidentifikuar vodhën dhe dëmtuan flamujt kombëtarë, të cilët ishin vendosur përgjatë rrugëve të qytetit të Korçës në nderim të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Kjo bëri që mëngjesi i së hënës për banorët e qytetit të Korçës të ishte shokues dhe fyes njëherazi, pasi një grusht njerëzish po tentojnë ta godasin qytetin në pikën më të ndjeshme të tij, patriotizmin, shkruan Shekulli.

Megjithatë, ajo çka po ndodh me qytetin vazhdon të mbetet një ngjarje e errët, pasi edhe pas këtij akti të turpshëm, askush prej institucioneve vendore nuk mori mundimin ta dënonte së paku si akt. E njëjta gjë ndodhi edhe më të gjitha partitë politike. Ndërsa burime pranë Bashkisë së Korçës pohuan se flamujt e dëmtuar, të vjedhur, ose të hequr nga vendet ku ishin vendosur, do të zëvendësohen me të tjerë. Ndërkaq, ende nuk dihet nëse nga institucionet shtetërore ka pasur ose jo kallëzime në polici apo prokurori për gjetjen e autorëve.

Për banorët e qytetit të Korçës, këto akte të turpshme e kanë zanafillën te politikat qeveritare, të cilat lejuan që edhe në rajonin e Korçës të dëmtoheshin varrezat, të nxirreshin eshtrat nga varret, (siç ndodhi me varrezat e Boboshticës), të ngrihen manastire (si në fshatin Çiflig) me qëllim që aty të vendoseshin eshtrat e ushtarëve grekë, por që deri më sot vetëm eshtra ushtarësh grekë nuk janë gjetur.

Sipas banorëve, edhe pse në Korçë nuk ka pasur grekë, politikat qeveritare bënë të mundur të nxisnin njerëzit të ndërronin kombësinë, të inkurajonin elementin filogrek dhe të krijonin artificialisht një pakicë të tillë. Tashmë po duket qartë, se ku e çuan vendin dhe në këtë rast qytetin e Korçës politika të tilla./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›