E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat mbulojnë humbjet me karburante

Shumë degë doganore nuk kanë realizuar planet, ndërkohë që ato mbulohen nga rritja e të ardhurave si pasojë e zhdoganimeve të karburantit me çmime të larta reference

Disa nga degët kryesore doganore, si ajo e Tiranës, Kakavijës, Elbasanit, Sarandës etj., kanë kohë që nuk realizojnë planin, ndërsa për drejtuesit e tyre, nga drejtori i Përgjithshëm, Përparim Dervishi, nuk është marrë asnjë masë

Duket se nuk kanë të sosur problematikat që prej kohësh mbart në vetvete Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Këtë herë kemi të bëjmë me disa nga degët doganore kryesore, të cilat kanë muaj që nuk realizojnë planet, edhe pse në fakt nga këto institucione deklarohet e kundërta. Kështu, burime brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë për “Korrierin” se, në fakt, degët doganore në shkallë vendi nuk kanë tejkalim plani, madje as realizim të tij, por vetëm rritje të të ardhurave si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve në bursa. Kjo sjell si pasojë çmime më të larta reference, që shoqërohen me rritje të ardhurash në bazë të përqindjeve të zhdoganimit. Duket qartë se humbjet në degët e tjera doganore janë mbuluar përgjatë 3 muajve të fundit nga volumi i lartë i zhdoganimeve të artikullit “karburant”, kryesisht nëpërmjet doganave të Lezhës dhe asaj të Durrësit. Në Degën Doganore Lezhë rezulton se 95 për qind e volumit të saj është zhdoganim karburanti, ndërsa në degën e Durrësit rezulton se nga totali i zhdoganimeve, afro 55 për qind e volumeve përbëhet nga artikulli karburant. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mundohet të fshihet në shumë raste pas rezultatit total të të gjitha degëve doganore, duke fshehur kështu rezultatet e degëve të dobëta, të cilat mjaft herë janë kritikuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Shkeljet e vërejtura nga KLSH në 2007-ën

Plot 72 milionë lekë është shuma e konsideruar si efekt negativ në buxhetin e shtetit, i shkaktuar nga katër prej degëve doganore të varura nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Pas kryerjes së inspektimeve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, rezulton se në këto degë janë hasur shpeshherë shkelje të legjislacionit doganor. Kështu, degët doganore të Sarandës, Fierit, Qafë-Thanës dhe Bllatës rezultojnë problematike, si pasojë e moskryerjes së kontrolleve fizike të mallrave për përcaktimin e saktë të sasisë dhe cilësisë, pasi këto përbëjnë bazën e përcaktimit të vlerës doganore. Një nga kontestimet e tjera është ajo e lidhur me vonesat e shlyerjes së borxhit doganor dhe administrimit sipas kërkesave ligjore të regjimeve doganore, kryesisht në atë të përpunimit aktiv. Në fakt, si pasojë e problematikës së evidentuar sa më lart, është konstatuar një efekt negativ financiar në buxhetin e shtetit prej 72.3 milionë lekësh vetëm për vitin e kaluar.

Dogana e Durrësit mburret me të ardhurat nga akciza

Dogana e Durrësit është një degë doganore e cila 55 për qind të totalit të zhdoganimeve e ka të lidhur me karburantet. Kjo degë ka arkëtuar gjatë 10 muajve të parë të këtij viti afro 31.9 miliardë lekë nga zhdoganimi i mallrave të ndryshëm, duke shënuar një rritje prej 14.1 për qindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në fakt, këtu ka ndikuar zhdoganimi me vlera të larta reference i karburanteve, çka ka shërbyer që të ardhurat të rrisin nivelin total të degës së Durrësit dhe të shërbejnë si mbulim edhe për degët e tjera doganore që rezultojnë problematike. Drejtori i Degës së Durrësit, Arben Ibroja, tha dje për ATSH-në se, pavarësisht nga uljet në këmbimin e valutës së huaj dhe nga ulja me rreth 20 për qind e taksës doganore, gjatë vitit 2008 të ardhurat e degës së doganës së Durrësit janë rritur me rreth 84 milionë dollarë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Ai bëri të ditur atë ku jemi fokusuar, edhe nëse zhdoganimet në mallrat e akcizës e kanë rritur ndjeshëm vlerën e arkëtuar gjatë këtyre 10 muajve në degën doganore të Durrësit, e cila zhdoganon rreth 90 për qind të mallrave të import-eksportit me vendet e Bashkimit Evropian. Në këtë periudhë janë përpunuar dhe zhdoganuar 198.710 mijë tonë karburante, 444.431 tonë çimento dhe 762 tonë kafe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›