E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadimi i ultimatumit, opozita mbledh tryezën

Partia Socialiste do të mbledhë sot grupin parlamentar në prani edhe të krerëve të njësive vendore për të diskutuar dhe vendosur përfundimisht mbi hapat e mëtejshëm me mbarimin e ultimatumit dhjetëditor për mazhorancën. Sot në mesditë, deputetët socialistë në kryesimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, do të propozojnë e diskutojnë në detaj çdo lloj mundësie. Pritet që të jenë të pranishëm edhe deputetë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe si Ben Blushi, Marko Bello dhe Arben Malaj, të cilët kanë vendosur që të njihen nga afër rreth vendimeve të grupit parlamentar. Deputetët e LMN-në përjashtuar këtu Arben Malajn, kanë refuzuar që të marrin pjesë në mbledhjet e fundit të grupit parlamentar, pasi ata janë kundër bojkotit dhe futjes së PS-së në rrugën e protestave.

Për shkak të vendimit të rëndësishëm që pritet të merret sot, të ftuar në mbledhje janë edhe krerët e njësive vendore, kryesisht bashkive. Në datën 5 dhjetor përfundon afati i apelit të njësive vendore socialiste, drejtuar Kryeministrit për decentralizimin e pushtetit vendor, ndaj pritet të diskutohet për format e reagimit. Një paralajmërim është ai i pezullimit të shërbimeve të pushtetit vendor, por nga ana tjetër qeveria ka bërë të ditur se çdo kryetar bashkie apo komune që shkel ligjin, do të penalizohet. Dje më mesditë përfundoi ultimatumi i selisë socialiste për hapjen e kutive. Në këto ditë, kriza politike është thelluar më tej për shkak të pozicionimit më të fortë që kanë bërë të dyja palët. Kryeministri Berisha bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjëherë hapjen e kutive dhe se PS mund të vazhdojë të mos i njohë zgjedhjet. Por edhe socialistët nga ana tjetër kanë intensifikuar qëndrimin e tij. Ata kanë bërë të ditur se nuk do të tërhiqen, do të vijojnë me protesta derisa të shpërndahet Parlamenti, të cilin ata e konsiderojnë me legjitimitet të cunguar dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse vendi ndodhet në një prej krizave më të thella të viteve të fundit, këtë herë ndërkombëtarët nuk kanë marrë rol negociatori.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›