E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati i KFOR-it, barrikadat ende në rrugë

E marta është dita e fundit e afatit të dhënë nga KFOR për largiminin e barikadave të vendosura nga serbët në veri të Kosovës. Ndërkaq disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veriun e Kosovës, protestuan një ditë më parë në afërsi të komunës së Zubin Potokut, në kundërshtim të thirrjeve për mënjanimin e barrikadave në atë zonë. Forcat paqeruajtëse të NATO-s u kanë bërë thirrje serbëve lokalë që deri nesër të zhbllokojnë rrugët në atë zonë, të cilat po mbahen të bllokuara në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë kufitare dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Forcat paqeruajtëse thanë se protestuesve serb u është dhënë mundësia që gjatë fundjavës dhe sot të bëjnë zhbllokimin e pakusht të të gjitha rrugëve me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. KFOR-i ka tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve për një kohë të gjatë, ndërsa barrikadat i ka cilësuar të paligjshme. Të paktën 11 persona u plagosën në fund të shtatorit gjatë një përleshjeje ndërmjet forcave të NATO-s dhe protestuesve serbë, ndërsa në korrik, një pjesëtarë i policisë së Kosovës u vra në një pritë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›