E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmet pas përmbytjeve, qeveria investon 327 milionë lekë

22/02/2011  Janë përcaktuar qartë zonat dhe objektet ku do të ndërhyhet, një pjesë e fondit dhe nga donacionet

SHKODER- Bashkia e Shkodrës ka në dispozicion fondin prej mbi 327 milionë lekësh të reja për rehabilitimin e dëmeve në lagjet e përmbytura, por edhe në disa objekte të rëndësishme dhe në infrastrukturë, për të cilat kjo njësi vendore kishte përgatitur projektet përkatëse. Fondi vjen në pjesën më të mirë të tij nga qeveria dhe pjesa tjetër është e donatorëve të ndryshëm dhe të vetë të ardhurave të kësaj Bashkie.

Ndërhyrja

Ky fakt bëhet i ditur nga drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës, të cilët sqarojnë dhe se janë përcaktuar dhe 35 objekte ku do të ndërhyhet për rehabilitimin e tyre nga përmbytjet që pësuan dhjetorin e vitit të kaluar. Fondi i njohur edhe si fondi i emergjencës ka si prioritet ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, grykëderdhje lumenjsh dhe konvikte. Fondi për rehabilitimin e situatës operative është 70 milionë lekë, por bëhet fjalë dhe për një grup tjetër investimi për të cilat Bashkia ka qenë vizionare duke punuar që më herët me studime për disa objekte të rëndësishme. Ndërkohë nga drejtuesit e Bashkisë bëhet e ditur se brenda tre ditësh do të përfundojë studimi i By Pass-it të qytetit dhe menjëherë do të nisë puna për zbatimin e tij me një vlerë mbi 45 milionë euro. Bashkia e Shkodrës ka marrë një pjesë të konsiderueshme të parave nga buxheti i shtetit. Qeveria aktuale ka dhënë për këtë bashki 250 milionë lekë nga ky buxhet, ndërkohë që një pjesë tjetër e mirë e vlerave të parave vijnë nga donacionet të xhiruara në bankë. Fondet do të përdoren në rrugën “Fahri Ramadani” me fond prej 58 milionë lekësh, rrugë kjo e amortizuar plotësisht, për pastrimin 8 kilometër breg ujor të lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës, nga vendi ku po ndërtohet ura e re e Bunës deri në zonën turistike Zogaj, që kap vlerën e 3 milionë lekëve, rehabilitimin e stacionit të pompave të ujit të pijshëm në Dobraç dhe kabina elektrike me një vlerë prej 15 milionë lekësh, rikonstruksion të plotë të infrastrukturës rrugore dhe ndriçimit në lagjet e përmbytura dhe konviktet ku u strehuan të evakuarit që kapin vlerën e mbi 70 milionë lekëve. Përveç këtyre investimeve emergjente, qyteti i Shkodrës do të presë dhe investime të tjera të rëndësishme, të cilat do të jepet informacion i plotë pas miratimit të buxhetit të vitit 2011, të parashikuar për miratim brenda datës 15 mars.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›