E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon sot afati i lënë nga Gjykata Kushtetuese për plotësimin e dokumentacionit të ankimimit

Dështon iniciativa e Edi Ramës dhe e Spartak Ngjelës për të krijuar konfuzion në marrëdhëniet shqiptaro-greke

Çështja e shumë diskutuar në qarqet majtiste të politikës, ajo e marrëveshjes për caktimin e kufirit detar me Greqinë, duket se është e destinuar të dështojë përfundimisht, teksa sot është afati i fundit për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese. 6 partitë opozitare depozituan pak ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën ankimore të formuluar me pretendime të baza dhe tendencioze, për kufirin detar shqiptaro-grek. Pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese të të gjithë dokumentacionit dhe përshkrimit të çështjes, ky institucion doli në konkluzionin se 6 partitë ankimuese nuk kanë lidhje me objektin e shumë diskutuar dhe kësisoj dokumentacioni i dorëzuar prej tyre është i cunguar.
Nisur nga kjo e dhënë Gjykata Kushtetuese vuri në dispozicion të gjashtë partive opozitare që kanë ankimuar marrëveshjen, datën 9 nëntor për të plotësuar dokumentacionin. 
Gjykata e vlerësoi si të paplotë ankimimin e PS dhe aleatëve të saj duke i kërkuar avokatëve të çështjes dokumentacion shtesë si programet dhe statutet e partive ankimuese, për ta pranuar atë. Pas kësaj i hapet rrugë vlerësimit të ankesë-padisë nga ana e trupës së gjyqtarëve në dhomën e kolegjeve treshe.
Kushtetuesja mund të pranojë të shprehet për çështjen vetëm në rast se subjektet që kanë paraqitur kërkesën kanë lidhje me objektin që trajton marrëveshja aq shumë e debatuar. Për këtë në dokumentet e tyre themeltarë duhet të jetë e sanksionuar mbrojtja e territorit dhe sovraniteti i vendit, një element ky të cilit gjashtë partitë i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë në ankimimin e tyre.
Vetëm pas këtyre dy hapave gjykata do të vendosë nëse do ta kalojë ose jo çështjen për shqyrtim. Ndërsa sipas rregullores së këtij institucioni vendimi përfundimtar mbi pretendimet e opozitës duhet të jepet brenda datës 20 nëntor.
Pikat kryesore të padisë së opozitës janë mungesa e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje, moskonsiderimi i fakteve historike mbi kufirin shqiptaro – grek, si dhe mungesa e hartës shoqëruese për vijat e kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare.
Për shkak se marrëveshja e firmosur në Tiranë në 27 prill mes ministrave të jashtëm të kohës, Basha dhe Bakojanis, për 150 koordinatat e reja kufitare me Greqinë, ndodhet në Kushtetuese, Parlamenti nuk ka mundur të përcaktojë dot datën se kur do ta kalojë atë në seancë plenare  për votim.
Një javë më parë u konstatua se partitë ankimuese nuk kanë lidhje me objektin e trajtuar
Gjykata Kushtetuese ktheu një javë më parë kërkesën ankimore të 6 partive të opozitës, me argumentin se në dokumentacionin e dorëzuar prej tyre nuk konfirmohet lidhja që këto parti kishin me objektin e trajtuar. Kësisoj, gazeta “55” ka qenë e vetmja e përditshme që për ditë me radhë, ka denoncuar veprimin e 6 partive politike të opozitës, të cilat me metodat e tyre ogurzeza, depozituan në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë ankimore, për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Pas shqyrtimit të çështjes dhe pretendimeve të opozitës, Gjykata Kushtetuese e ktheu në rrugë administrative kërkesën e 6 partive opozitare për plotësim dokumentacioni.
Në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, deklarohet se subjektet që paraqitën kërkesën duhet të argumentojnë se kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje. Gjykata Kushtetuese, si organi më i lartë kompetent për gjykimin e përputhshmërisë së termave të kësaj marrëveshjeje me parimet dhe principet e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutën, ka kthyer në rrugë administrative për plotësim dokumentacioni kërkesën e gjashtë partive opozitare, për të vërtetuar legjitimitetin e tyre në një çështje të tillë.
Pas disa ditësh shqyrtimi në nivel kolegjesh, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ndaj PS-ja, PDS-ja, PSD-ja, PDK-ja, G99-a dhe PLD-ja për të ankimuar marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ose siç njihet ndryshe marrëveshja që bën ndarjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, se kanë mangësi dokumentacioni dhe njëherazi nuk argumentojnë lidhjen e tyre me objektin që trajton marrëveshja.
Trupa e gjyqtarëve që janë marrë me shqyrtimin e kësaj çështjeje kanë konfirmuar se bëhet fjalë për statutet dhe programet e këtyre forcave, mbi të cilat ato normojnë jetën e tyre politike dhe përcaktojnë parimet kryesore për realizimin dhe mbrojtjen e të cilave ato ekzistojnë.
Sipas ligjit të këtij institucioni, subjektet që kanë paraqitur kërkesën duhet të argumentojnë para gjykatës se ato kanë lidhje me objektin që trajton kjo marrëveshje dhe se në dokumentet e tyre themeltare duhet të kenë të sanksionuara mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të vendit, një element ky për të cilin gjashtë partitë i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë në ankimimin e tyre.
Megjithatë, për të respektuar të drejtën e animimit, Gjykata Kushtetuese, për plotësimin e dokumentacioni, u la këtyre forcave afat deri më datë 9 nëntor. Pikërisht sot, skadon edhe afati i dorëzimit të dokumentacionit gjë e cila duket e pamundur pasi që në krye të radhës përfaqësuesit politik të tyre e dinin se po sajojnë thjesht një tymnajën me prapavijë politike dhe tendencioze.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›