Kënga e gjelave socialistë majë plevicës partiake është e destinuar të mos dëgjohet
Nuk është për t’u çuditur kur në fillim të shekullit të shkuar Faik Konica lutej publikisht në shkrimet e tij se “Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”. Historia jonë, e një populli të vuajtur nga pushtimet e huaja e po kaq të vuajtur nga keqqeverisja, por edhe është masakruar nga ata që e kan quajtur veten shqiptarë. Duke mos rrëmuar shumë thellë në dekada e shekuj, shembulli më i trishtueshëm është regjimi komunist i Enver Hoxhës. Një këngë e vjetër epike e popullit tonë thotë: “Marash Pali na shkoi Veziri, po mos u ngut, se është i biri”. Në këtë kontekst, komunizmi dhe karrocat e vjetra të diktaturës komuniste janë përmbysur, por pinjojt e tyre janë aktivizuar rrezikshëm në politikën shqiptare. Partia Socialiste si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës (komuniste) është bërë një strehë e njerëzve që transmetojnë reminishencat e komunizmit duke kërcënuar vazhdimisht funksionimin e demokracisë. Megjithë disa përpjekje të shkëputura e sporadike të disa individëve, por edhe të pakënaqësisë masive të socialistëve shqiptarë që aspirojnë për një parti socialiste të modelit europian, për fat të keq kjo parti është uzurpuar e mbahet peng nga Edi Rama.
Duke hedhur vështrimin si njeri i humbur në zbrazëtirë, i sëmuri psikik i PS po kërkon paterica dhe në mes të pinjojve të diktaturës komuniste ka grumbulluar rreth vetes si “njerëz besnikë” mikun e tij të vjetër, “çunin e bllokut”, Spartak Ngjelën. Ne, ish-të përndjekurit politikë të diktaturës komuniste, që kemi vuajtur kalvarin e barbarisë më të egër që bota ka njohur, nuk mundet të lejojmë që me maskën e një “të burgosuri politik” të provokojë ngjashëm me ’97-n një “forum për demokraci”. Këta njerëz të çmendur për pushtet, në momentet më kulmore kur shqiptarët janë fare pranë lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen duke iu bashkuar familjes europiane, çfarë ka qenë ëndrra e brezave të shkuar dhe të tashëm, me një çmenduri të modelit enverist po u kundërvihen interesave kombëtare. Nuk është objekti i këtij shkrimi që të përcaktoj elementët që në të vertetë përbëjnë një tradhti kombëtare, por një gjë është e qartë se çfarëdo veprimi që bie në kundërshtim me interesat e kombit, sidomos kur kryhet në rrethana qartësisht të lexueshme për interesa meskine për poste e për t’u pasuruar, është vepra më e dënueshme. Sot i gjithë opinioni është krejt i bindur se Edi Rama dhe aq më pak Spartak Ngjela nuk këndojnë si gjelat majë plehut për interesat e kombit apo se u dhemb zemra për demokracinë. Qëllimi i tyre i verbër mbetet pushteti personal. Kjo lukuni “politike” i është vërsulur politikës në Shqipëri dhe aq më keq kur vijnë nga e kaluara e diktaturës komuniste si pinjoj të atyre baballarëve që bashkëpunuan egërsisht me regjimin komunist. Prandaj edhe Rama kërkon të bëhet Kryetar Bashkie e Qeverie, dhe paranoja e vet skizofrene nuk ka të ndalur. Po më bie ndërmend një shprehje e një publicisti të mirënjohur këtu në Shqipëri, kur në një emision televiziv u shpreh se “nuk është e mundur t’u biem këmbanave të luftës kur kemi një paqe të admirueshme”.
Por hienat komuniste nuk po kanë të ngopur me provokime. Kësaj kategorie u vjen i rëndë fakti historik se sikur mos të kishin ndodhur ngjarjet e vitit 1997, sot nuk do të ishim këtu ku jemi, duke dëgjuar Edi Ramën dhe Spartak Ngjelën, teksa bëjnë thirrje për të destabilizuar Shqipërinë. Këtë radhë qyteti i Elbasanit në mbrëmjen e 6 nëntorit u bë arenë e një maskarade të çmendur me protagonistë si Ramën, Ngjelën,Velinë e co. Autobuzë nga rrethet e ndryshme të Shqipërisë zbarkuan me mercenarë të paguar sipas modeleve thjeshtësisht mesjetare. Por qytetarët e Elbasanit as nuk denjuan të dëgjojnë çmenduritë e Spartak Ngjelës se gjoja “sapo të rrëzojmë Berishën, për një javë do të bëjmë liberalizimin e vizave me Europën”. Unë mundem të them me bindje se një sharlatan i tillë, një mercenar tipik i politikës në Shqipërinë post komuniste me mendje të sëmurë, nuk mundet të krahasohet as me Haxhi Qamilin. Thirrjet e tij histerike për “t’i dhënë dërrmën Berishës me 20 nëntor në Tiranë” dhe duke kujtuar me nostalgji revolucionin tipik bolshevik të 1997-s, përbëjnë një precedent shumë të rrezikshëm për demokracinë. Edhe protesta e “gazetarëve” përpara Kryeministrisë dhe gjuajtja me këpucë në drejtim të atij institucioni,ishte një ide e marrë e atyre globalistëve që e urrejnë shtetin e që po mundohen të na vonojnë integrimin. Në këtë rast “gazetarët” tanë vonesën përmes imitimit të precedentit të gazetarit irakian që gjuajti me këpucë Presidentin Bush. Ky ishte një turp i madh për njerëzit e mediave që të sjellin në Shqipëri mënyrën talebane të protestave. Shqiptarët sigurisht janë mjaft të shqetësuar dhe të mërzitur nga këto veprime të këtyre njerëzve që me të gjitha mënyrat e mundshme për interesat e tyre personale po e dëmtojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare në këto momente historike për të ardhmen tonë të përbashkët. Po shpresa e madhe është se kënga si e gjelave në majë të plehut, ajo nuk do të dëgjohet.
...