E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët, pa viza në Malin e Zi edhe pas 1 Janarit

Zv/kryeministri Ilir Meta takon në Podgoricë kryeparlamentarin Rank Krivokapiç

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Malin e Zi, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç. Gjatë këtij takimi u theksua historia e përbashkët e dy vendeve, si dhe zhvillimi dinamik i marrëdhënieve shumëplanëshe gjatë viteve të fundit, si një bazë solide për të zgjeruar hapësirat e bashkëpunimit dypalësh dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.
Meta dhe Krivokapiç evidentuan rëndësinë e shkëmbimeve ndërparlamentare për nxitjen e dialogut e bashkëpunimit politik duke theksuar kontributin e rëndësishëm të dy Parlamenteve ndaj nxitjes dhe ecurisë së  proceseve integruese të përbashkëta rajonale dhe euroatlantike. Në këtë kuadër u shpreh vullneti për intensifikimin e kontakteve mes komisioneve të ndryshme parlamentare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Meta dhe Kryetari i Parlamentit Krivokapiç gjatë bashkëbisedimit vlerësuan rolin që luajnë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi dhe shprehën bindjen se procesi i përfshirjes të tyre në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale duhet të vazhdojë, duke u mbështetur në Kushtetutën e vendit dhe konventat ndërkombëtare. Ata vlerësuan gjithashtu edhe rolin bashkëpunues të minoritetit malazez në Shqipëri me pushtetin qendror dhe lokal.
Zv/kryeministri Ilir Meta në Malin e Zi, takon përfaqësuesit politikë të popullsisë shqiptare atje/Gjatë vizitës zyrtare në Malin e Zi, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta u takua dje me drejtuesit e partive kryesore shqiptare, respektivisht me Kryetarin e Partisë Unioni Demokratik i Shqiptareve, Ferhat Dinosha, Kryetarin e Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, Kryetarin e Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi, Kryetarin e Partisë Forca e Re Demokratike, Nazif Cungu, dhe përfaqësuesit e Koalicionit Perspektiva Amir Hollaj e Vesel Sinishtaj.
Gjatë takimit Meta dhe përfaqësuesit politikë shqiptarë, diskutuan gjerësisht në lidhje me zhvillimet e brendshme dhe proceset integruese të vendit. Ministri i Jashtëm Meta, duke konfirmuar mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, theksoi rëndësinë e unitetit të faktorit shqiptar në Malin e Zi, dhe inkurajoi vazhdimësinë e kontributit të tyre në forcimin e demokracisë parlamentare në vend.
Në këtë kuadër u nënvizua nevoja për përfshirjen e plotë të shqiptarëve në të gjitha nivelet e administratës qendrore e lokale. Ndër të tjera Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Meta u takua dje dhe me drejtuesit e Komunës në Tuzit, Kryetarin Smail-Maliq Cunmulaj, Kryetarin e Kuvendit Komunal Nikoll Camaj, si dhe me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Gjatë këtyre takimeve, u diskutua rreth projekteve që do të ndihmojnë në thellimin e shkëmbimit tregtar dhe bashkëpunimit ekonomik në të dy anët e kufirit. Meta, theksoi se “është shumë me rëndësi ndërtimi i rrugës Lezhë-Velipojë-Ulqin dhe ndërtimin e Urës mbi Lumin Bunë, si dhe të rrugës Pllavë-Podgoricë”.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Hajdinaga dhe përfaqësuesit e tjerë shqiptarë, nënvizuan dëshirën e tyre për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e të gjitha procedurave në pikat e kalimit ndërkufitar.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke theksuar bashkëpunimin shumë të mirë me Malin e Zi, shprehu vëmendjen e veçantë që 1everia shqiptare i kushton realizimit të projekteve të përbashkëta në fushat e infrastrukturës, energjetikës, mjedisit dhe turizmit, si dhe vullnetin për konkretizimin e projektit për mbrojtjen e liqenit të Shkodrës dhe zonës përreth duke përfshirë edhe lumin e Bunës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›