Ide/Proamerikanizmi, historia që Muri nuk diti ta eliminojë
Rënia e Murit të Berlinit doli të ishte një lajm i keq për sovjetologët. Në të gjithë botën, mijëra spiunë, ushtarakë, diplomatë, profesorë, gazetarë dhe ekspertë e fitonin bukën e gojës falë Bashkimit Sovjetik. Asnjë prej tyre nuk e pat parashikuar shembjen kaq drastike. Edhe pse ishte një rënie paqësore e “keqbërësve” të perandorisë sovjetike, fundi i saj për Evropën pati një konsekuencë më të gjerë, për të mos thënë të befasishme. Këto janë katër konsekuencat e papritura që shembja e Bashkimit Sovjetik pati mbi evropianët - e që shumë ekspertë në atë fushë nuk e patën parashikuar.
Surpriza e parë. Kina ka zëvendësuar Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike në rolin e rrezikut kryesor për evropianët. Në momentin që ra Muri i Berlinit, asnjë nuk e kish imagjinuar se Kina mund të influenconte kaq shumë jetën e Evropës Perëndimore, d.m.th në këtë mënyrë kaq direkt siç kishte bërë BS. Jo për faktin se është një super-fuqi atomike, por sepse Kina është shndërruar në një fuqi ekonomike. Por qysh nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Evropa perëndimore nisi të jetonte nën rrezikun permanent të saj, paçka se asnjëherë të manifestuar realisht. Pra konkretisht jeta e perëndimorëve nuk qe kurrë e influencuar nga BS. Përpos kësaj, rritja ekonomike e Kinës kushtëzon çdo ditë jetën e të gjithë evropianëve, që nga blerja e televizorëve, medikamenteve e karburanteve e deri tek paguajnë kredinë të shtëpisë së vet. Ky soj kapitalizmi kinez po synon të transformojë më shumë Evropën sesa komunizmi sovjetik.
Surpriza e dytë është Euro. Asnjë parashikim s’e pat deklaruar krijimin e një monedhe evropiane. Kush e pat menduar se gjermanët do të privoheshin kaq shpejt nga marka e tyre? Apo që francezët s’do ta kishin monedhën e tyre, por do të survejoheshin nga një bankë qendrore evropiane me qendër në Frankfurt? Por edhe që 14 vende të vendosnin të braktisnin monedhat e tyre, në favor të një monedhe të re, të përbashkët? Apo të atyre, që pas një krize financiare botërore me efekte shkatërruese për Evropën, proekupohen për rënien e dollarit, paçka se kanë sot e gjithë ditën euron si monedhë shkëmbimi? Një dollar i dobët ul eksportet e Evropës. Euroja paraqet një utopi që sot është kthyer në një realitet që s’befason asnjëri. Këtu është surpriza.
Dobësia politike e Evropës është surpriza e tretë. Normale do të ishte, që, kur sa më shumë vende bashkohen në një aleancë, aq më shumë ajo do të jetë e fortë. Në 1960, Bashkimi Evropian kishte vetëm 6 shtete, që kaluan në 15 në 2003, dhe sot në plot 27 vende. Evropa është fuqi ekonomike botërore sot, por ende jo politike. Demokracitë dhe politikat e saj sociale i kanë zili të gjitha vendet e tjera të botës dhe po kështu bujarinë në ndihma për zhvillimin e vendeve në vështirësi. Megjithatë, paradoksalisht, pesha e saj në politikën botërore nuk është rritur. Sipas një studimi të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, influenca e kontinentit të vjetër në OKB, pra përsa i përket të drejtave të njeriut – vlerë qendrore kjo në Evropë – është zvogëluar. Në fund të viteve ‘90, 70 përqind e vendeve të OKB-së mbështesnin Evropën në votime, në lëmin e të drejtave të njeriut. Sot, 117 nga 192 vende të Organizatës votojnë sistematikisht kundër Evropës. Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, konstaton se Evropa, gjatë 2008-s, ka dërguar më shumë trupa në Afganistan sesa SHBA-ja, ku do theksuar se 500 prej tyre kanë humbur jetën. Edhe pse deri më sot ia pat arritur të konsiderohej e barabartë në ndihmën financiare me pjesën tjetër të Aleancës, tanimë nuk ka më atë peshë politike në vendimmarrjen strategjike. Po ashtu po ndodh edhe me vendimet mbi konfliktin Izraelito-palestinez. Evropa kontribuon shumë në para, por ka më pak influencë. Ajo nuk paraqitet e bashkuar, prandaj edhe është e dobët në politikë.
Në fund: Islami në Evropë dhe në Amerikë mbetet surpriza e fundit. Kush e imagjinonte se në momentet më të vështira të Luftës së Ftohtë, shumë evropianë do të ndiheshin të rrezikuar nga emigracioni i vendeve arabe, më shumë se nga ai i vendeve ish-komuniste? Apo që Polonia, Hungaria, Çekia ose Shqipëria do të ishin fortesat e pro-amerikanizmit botëror? Këta janë surprizat e tjera të Evropës së mbas-Murit.