Skafet, qeveria zgjat moratoriumin
TIRANË- “Policia bregdetare nuk ka mjetet e duhura për të siguruar vijën bregdetare dhe shtyrja e moratoriumit të ndalimit të skafeve do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë situatë”. Megjithëse kanë kaluar tre vitet pa skafe në bregdetin Shqiptar, me qëllim eliminimin e trafiqeve të paligjshme, policia ende nuk ka siguruar kushtet për të luftuar trafiqet, dhe në këto rrethana Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka kërkuar shtyrjen e moratoriumit të skafeve. Gjatë analizës së punës së policisë së shtetit për shtatë muajt e fundit, Nishani në deklaratën e tij ka vënë theksin dhe mbi shtyrjen e moratoriumit të ndalimit të skafeve edhe pas tetorit të këtij viti. “Moratoriumi duhet të vazhdojë pasi policia nuk ka kushtet për të ruajtur vijën bregdetare ” ka deklaruar Nishani gjatë fjalës së tij.
Moratoriumi i skafeve
Dy vjet më parë, Këshilli i Ministrave propozoi moratoriumin për qarkullimin e skafeve në bregdetin Shqiptar gjë e cila u aprovua nga shumica në Kuvend. Kështu për tri vjet, deri në vitin 2009, do të ndalohej qarkullimi i skafeve në bregdetin Shqiptar. Ky moratorium sipas Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Sokol Olldashi, nevojitej për frenimin e trafikut, jo vetëm të qenieve njerëzore, por edhe të lëndëve narkotike drejt kufijve të Italisë. Sipas tij, nga statistikat e policisë rezulton se në shumicën e rasteve ky aktivitet zhvillohet me mjete të shpejta lundrimi, të cilat i tejkalojnë kapacitet teknike të Policisë dhe të Rojës Bregdetare për bllokimin e tyre. Duket se të njëjtin qëndrim për moratoriumin e ndalimit të skafeve pati edhe pasardhësi i Olldashit. Ministri i Brendshëm aktual Bujar Nishani vetëm pak muaj pasi u vendos në krye të dikasterit blu deklaroi se falë moratoriumit të ndalimit të skafeve trafiqet mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje kanë rënë në nivelin zero. Një deklaratë të tillë Nishani e bëri të njohur rreth një vit më parë kur prezantoi efektet pozitive të moratoriumit për ndalimin e mjeteve motorike në ujërat shqiptare. Ai theksoi se, ky moratorium ka kontribuar për eliminimin e plotë të trafiqeve në hapësirën detare të vendit. “Efektet që ka dhënë moratoriumi për skafet që nga hyrja në fuqi e tij janë shumë pozitive. Ju konfirmoj me përgjegjësi dhe zyrtarisht, se trafiku me vendet fqinje nga territori shqiptar përmes hapësirës detare është zero”,- deklaroi një vit më parë Nishani.
Shtyrja e moratoriumit
Një vit më pas, pikërisht ditën e djeshme, gjatë analizës së punës së bërë nga policia e shtetit gjashtë-shtatë muajve të parë të këtij viti, ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka kërkuar shtyrjen e moratoriumit për ndalimin e qarkullimit të skafeve në ujërat Shqiptare. Megjithëse shumë personalitete ishin kundër këtij moratoriumi pasi sipas tyre do të ulte ndjeshëm turizmin në vend, Nishani theksoi se trafiku ka rënë në nivelin zero. Tri vitet e moratoriumit skadojnë në vitin 2009, por kreu i dikasterit blu në deklaratën e tij theksoi se mund të kërkohet një shtyrje të ndalimit të skafeve. Sipas tij, policia nuk posedon mjetet përkatëse për sigurimin e vijës bregdetare. Duket se edhe pas tri viteve të moratoriumit të ndalimit të skafeve, policia nuk mund të gjejë mjetet për të kontrolluar vijën bregdetare me qëllim ndalimin e trafiqeve të paligjshme.
--------------------------------------------Moratoriumi zbeh turizmin dhe lë pa punë peshkatarët
Turistët e ardhur nga jashtë mbeten të zhgënjyer nga mungesa e xhirove turistike
Edhe këtë sezon turistik, frekuentuesit e plazhit të Vlorës nuk patën mundësi të shijojnë plotësisht kënaqësinë e shëtitjes në det me mjete motorike, pasi shpresa e shumëpritur për heqjen e Moratoriumit do të mbetet vetëm shpresë. Edhe këtë vit, Moratoriumi nuk u hoq dhe mbeti ashtu siç ka qenë, duke u lejuar vetëm të huajt.
MORATORIUMI
Një pikë tjetër problematike që ka lidhje me turizmin, është dhe çështja e Moratoriumit që bllokon daljen e mjeteve motorike në det. Përgjigja ka qenë e prerë për këtë problem. Duke mos lënë një mundësi tjetër për zhvillim të mëtejshëm të këtij sektori. Me anë të këtij vendimi qeveria ka lënë pa punë edhe një pjesë të madhe të peshkatarëve. Këta të fundit kanë mbetur pa punë dhe të ardhura pasi moratoriumi nuk lejon barkat e tyre të vogla që të dalin në det. Kërkesa e tyre ka qenë e vazhdueshme ndaj qeverisë, por vedimi i kryeministrit ka qenë i prerë në këtë pikë duke mos lejuar asnjë negociatë me këta të fundit.