Skandal në Kukës, grushte mes prokurorëve
TIRANË- Ish-drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita, tashmë me detyrën e prokurorit të thjeshtë në Tropojë po hetohet nga Prokuroria e Lezhës për rrahjen e ish-vartësit të tij. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme në kryeqytet dhe asaj të Kukësit, të cilat sqaruan se Lita është përleshur me prokurorin e Kukësit Shkëlzen Cena. Ky i fundit ka pësuar dëmtime në fytyrë çka e ka detyruar të bëj kallëzim penal ndaj ish-shefit të tij.
Sipas këtyre të dhënave, mësohet se ngjarja ka ndodhur mesditën e së hënës në një restorant të njohur në Kukës, ku rastësisht janë takuar prokurori Cena dhe ish-shefi i tij Lita, i komanduar pak muaj më parë nga kryeprokurorja Ina Rama si prokuror i thjeshtë në Tropojë. Siç duket kjo lëvizje e kryeprokurores Rama, që e ka shkarkuar nga detyra e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Kukës, Xhevahir Lita duke e komanduar si prokurorë të thjeshtë në Tropojë, ka qenë edhe një nga arsyet e zënkës verbale mes tij dhe prokurorit Cena. Ky i fundit deri para se të lëvizte prokurori Lita nga Kukësi ishte vartësi i këtij të fundit dhe herë pas here kryente edhe detyrat e zëvendësit të drejtuesit, edhe pse një gjë e tillë nuk ishte e parashikuar në strukturë.
Ka ndodhur një incident në një restorant në Kukës, ku janë përleshur fizikisht prokurori Xhevahir Lita dhe prokurori Shkëlzen Cena. Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikime për rastin dhe pasi të analizojë të dhënat do të vendosim për masat administrative të mundshme që mund të merren,- thuhet nga zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme. Nga ana tjetër, këto burime saktësuan se prokurori Shkëlzen Cena, i cili ka pësuar edhe dëmtime nga kjo përleshje fizike, ka bërë kallëzim penal në prokurorinë e Lezhës ndaj ish-shefit të tij Xhevahir Litës.
Cena i ka bashkëngjitur kallëzimit edhe raportin e vizitës mjekësor ku i janë konstatuar dëmtimet në hundë dhe fytyrë. Sipas këtij kallëzimi, prokurori Cena akuzon ish-shefin e tij se e ka goditur në mes të lokalit, pas një debati të vogël mes tyre. Ndërkohë mësohet se i pranishëm në këtë debat dhe përleshje fizike ka qenë edhe drejtuesi i komanduar i kësaj prokurorie, i cili ka ndërhyrë së bashku me punonjësit e restorantit për të ndalur përleshjen mes tyre. Sipas prokurorisë, i gjithë sherri ka ardhur pas një debati të ashpër në telefon mes prokurorit Cena dhe Lita, ku ky i fundit e akuzonte ish-vartësin e tij se po fliste keq për atë poshtë e lartë në takime dhe me njerëz të ndryshëm. Mësohet se kjo bisedë sqaruese në telefon ka degjeneruar në sharje dhe fyerje mes tyre, çka sipas pretendimeve të prokurorit Lita, ish-vartësi i tij e ka sharë dhe fyer nga familja.
Kjo sharje dhe fyerje ka irrituar prokurorin Lita, i cili me tiu dhënë rasti i ballafaqimit me ish-vartësin e tij Cena, ka kërkuar nga ky i fundit shpjegime për sharjet. Por, biseda mes tyre ka degjeneruar në grushte, ku ka marrë dëmtime prokurori Cena. Tashmë pritet që prokuroria e Lezhës, përveçse të regjistrojë procedimin penal dhe të marrë në pyetje të gjithë të pranishmit në lokal. Gjithashtu, mësohet se të dy prokurorët janë thirrur në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë sqarimet e tyre për incidentin.
Largimi i Litës nga prokuroria e Kukësit
Për shumë vite Xhevahir Lita ka drejtuar Prokurorinë e rrethit të Kukësit, por vetëm pak kohë më parë është larguar nga kjo detyrë. Prokuroria e Përgjithshme ka bërë largimin e tij pa dhënë një motivacion zyrtar për të shoqëruar vendimin. Të pyetur nga Shekulli, burimet e Prokurorisë së Përgjithshme pohuan se Lita është dërguar prokuror i thjeshtë në Tropojë dhe në vend të tij është vendosur një prokuror tjetër. Ai është i komanduar në Prokurorinë e Tropojës, ende nuk ka një emërim përfundimtar,- thanë dje burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Por Lita nuk ka marrë asnjë post në Prokurorinë e rrethit Tropojë. Burime nga ky institucion pohuan se e kanë organikën e plotësuar dhe për momentin Lita është në listë pritjeje.
