Kreditë me probleme arrijnë gati 1 miliardë dollarë
Kredia me probleme po rritet me ritme të përshpejtuara nga muaji në muaj. Shoqata e Bankave ka publikuar sëfundmi treguesit e aktivitetit të sistemit bankar në Shqipëri duke pasqyruar me detaje edhe ecurinë e kredisë dhe depozitave. Referuar këtyre treguesve, mësohet se niveli i kredive me probleme ka arritur thuajse një miliardë dollarë. Në përqindje, kreditë me probleme përllogaritën në 18.4 për qind deri në fund të muajit shtator, ndërkohë që në muajin paraardhës ato ishin në shifrat e 18 për qind të totalit të portofolit. Sipas situatës së paraqitur nga vetë bankat, përllogaritet që për çdo 100 lekë kredi të lëshuar, ato të hasin probleme për mbledhjen e 18.4 lekëve. Më konkretisht, vetëm gjatë një muaji kredia me probleme është rritur me mbi 30 milionë dollarë. Pjesë e kredive me probleme janë edhe kreditë e humbura, të cilat deri në fund të tetorit përllogariten të jenë rreth 277 milionë dollarë me një rritje prej rreth 5 milionë dollarë vetëm përgjatë një muaji. Kjo është pikërisht pjesa e cila përbën shqetësimin kryesor për sistemin bankar, pasi këto para konsiderohen të humbura nga bankat.
Sipas rregullores për klasifikimin e kredive të miratuar pak javë më parë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, huatë ndahen në pesë kategori duke filluar nga kreditë e shëndetshme deri tek ato të humbura.
Kategorizimi bëhet duke u bazuar në gjendjen financiare të kredimarrësit dhe kohën kur bëhet shlyerja e kësteve. Kreditë standarde janë kategoria e parë dhe këtu klasifikohen ato kredi, kur kredimarrësi ka një gjendje financiare të mirë dhe këstet paguhen jo më vonë se 30 ditë nga data limit. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 362 miliardë lekë. Kategoria e dytë janë kreditë në ndjekje, ku kredimarrësi ka një gjendje të mirë financiare dhe mund të bëjë pagesat me gjithë problemet momentale që mund të hasë. Pagesa bëhet me një vonesë 31 deri 90 ditë nga data kur ishte përcaktuar. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 46 miliardë lekë. Kategoria e tretë janë kreditë nën standard, ku gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset konsiderohen të pamjaftueshme për të shlyer detyrimet. Këstet paguhen me një vonesa nga 91 deri në 180 ditë. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 48 miliardë lekë. Pikërisht këtu fillon edhe problemi. Tre kategoritë e fundit janë ato të cilat konsiderohen si kredi të këqija, të cilat sipas të dhënave mësohet se kanë arritur në rreth një miliardë dollarë. Kategoria e katërt, janë kreditë e dyshimta kur kredimarrësi nuk ka mundësi për të paguar dhe është thuajse i falimentuar. Këstet paguhen zakonisht gjashtë muaj deri një vit me vonesë nga data e paracaktuar. Kreditë e kësaj kategorie janë rreth 22 miliardë lekë. Kategoria e fundit janë kreditë e humbura.
Shqiptarët kanë depozituar në banka 9 miliardë dollarë
Shqiptarët po rrisin nga muaji në muaj depozitat në banka. Të dhënat më të fundit pasqyrojnë një rritje me 140 milionë dollarë të depozitave të qytetarëve dhe bizneseve në bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Kjo është një rritje e pëlqyeshme që u jep mundësi bankave që të japin edhe më tepër kredi. Aktualisht, depozitat e shqiptarëve në banka përllogariten në rreth 9 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e tyre janë depozita të të individëve. Më konkretisht, rreth 7.8 miliardë dollarë janë depozita të qytetarëve, ndërsa 1.2 miliardë dollarë janë depozita të bizneseve. Rritja më e madhe ka ardhur në kahun e depozitave të individëve, të cilët janë më shumë të prirur për të kursyer krahasuar me bizneset. Këta të fundit ndërkohë, mbajnë pjesën më të madhe të kredive të marra në banka. Më konkretisht, janë paratë e individëve ato që bankat i përdorin për të kredituar biznesin.
