E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në Spanjë: Malaga e bleu ngjitjen në La Liga

Tronditet futbolli spanjoll. E përditshmja iberike "El Mundo Deportive" hedh në qarkullim një lajm "bombë": Skuadra e Malagës, vitin e kaluar, bleu lojtarët e skuadrës kundërshtare, Tenerife, për të siguruar një fitore, e cila do të rezultonte fondamentale për ngjitjen e saj në kampionatin elitar të futbollit spanjoll, "La Liga". Sipas gazetës së njohur spanjolle, secili nga lojtarët e Tenerifes ka përfituar 6 mijë euro për të humbur në ndeshjen e luajtur më 15 qershor, në javën e fundit të sezonit të kaluar të "Seconda Divisione" (Kategorisë së Dytë) spanjolle. Ndeshja e atëhershme përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të skuadrës së Malagas. Takimi u vendos nga dy gola të lojtarit Hidalgo. Por është interesant fakti se njëri prej golave u shënua nga pika e 11-metërshit, që u shkaktua për një prekje me dorë të topit nga ana e Juanma, mbrojtësit qendror të skuadrës së Tenerifes. Falë këtij suksesi, Malaga do të arrinte kuotën e 72 pikëve dhe do të fitonte të drejtën për t‘u ngjitur në "La Liga" së bashku me Numancian dhe me Sporting Gijonin. Reali i Sociedadit do të përfundonte në vendin e katërt në tabelën e renditjes në kuotën e 68 pikëve, pasi nuk mundi të shkonte më tej se një barazim përballë Kordobas në takimin e fundit të luajtur në stadiumin "Anoeta". Gazeta "El Mundo" ka publikuar të dhënat e zbardhura nga një bisedë telefonike mes Inaki Badiola, presidentit të klubit Real Sociedad, dhe mesfushorit Xhesus Antonio, Mora Xhesuli, që në atë kohë ishte lojtar i skuadrës së Tenerifes. "Sa kushtoi? Dua të them se, në rastin tënd, sa ke marrë për të humbur? Thjesht për ta ditur, sepse unë nuk kam përvojë në gjëra të tilla dhe prandaj dua të mësoj më shumë..., dua të di sa na ka kushtuar neve mungesa e promovimit në ‘La Liga"? 5000, 7000 euro?", pyeste presidenti Badiola në telefonatën me ish-mesfushorin e Tenerifes. Xhesuli i është përgjigjur: "Po, një shifër të tillë. Nëse nuk janë 7000, janë 6000 euro". Xhesuli, aktualisht lojtar i skuadrës së Atletiko Seviljes në kategorinë e dytë spanjolle, nuk luajti atë ndeshje, sepse atij i ishte thyer kocka e hundës. Por në telefonatë nuk saktëson nëse edhe shokët e tij të skuadrës ishin blerë për ta humbur këtë ndeshje: "Nuk mundem të të them se a i kanë marrë edhe ata paratë, por nëse m‘i kanë dhënë mua, supozohet se edhe të tjerët i kanë marrë", thotë Xhesuli, i cili në një pjesë të telefonatës konfirmon me germa të qarta "janë shitur". Në bisedë, sikurse ka bërë të ditur "El Mundò", të dy kanë dyshuar se pas këtij korrupsioni fshihet Lorenzo Sanz, ish-presidenti i Realit të Madridit dhe babai i Fernando Sanz, presidentit aktual të Malagas.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›