E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo: Erbim Fagu, objektivi i radhës për merkaton e dimrit

Pas marrëveshjes së arritur me Elis Bakajn (për 125 milionë lekë) dhe tentativës për të marrë Rahman Hallaçin nga Partizani, Dinamo tashmë e ka përcaktuar edhe një tjetër emër të merkatos. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin e Elbasanit, Erbim Fagu. Burime të besueshme pranë klubit të kampionëve në fuqi të vendit pohuan se mbrojtësi i verdheblu, i cili në fillim të muajit gusht braktisi Tiranën për të gjetur më shumë hapësirë në skuadrën elbasanase, është në shënjestrën e trajnerit Zlatko Daliç. Vetë Daliç nuk ka preferuar ta konfirmojë një fakt të tillë, edhe pse ka theksuar se Dinamo do të përfshihet në merkaton dimërore. "Deri tani skuadra ka punuar mirë, por reparti më problematik mbetet ai i sulmit. Ne do të futemi në merkato, pasi ekipi ka nevojë për t‘u përforcuar me disa lojtarë të rinj dhe që të kenë kualitet", tha Daliç. Por nuk e ka mohuar aspak faktin që Fagu mund të jetë nga këta futbollistë të rinj. Gjatë merkatos së fundit, për të pati interes edhe nga skuadra jashtë Shqipërisë. Në muajt e parë të merkatos, për polivalentin 21-vjeçar interesohen Ksamaks në Zvicër dhe Thrasivoulos në Greqi, ekip i ngjitur së fundmi në Superligën greke. Por pasi u provua në këto dy skuadra, nuk mundi të arrinte një marrëveshje përfundimtare dhe u rikthye te Tirana. Elbasani e afroi në gjirin e tij gjatë merkatos së verës së fundit. Futbollisti është formuar tek ekipet zinxhir të klubit Tirana. Në sezonin 2005-2006, ka debutuar në radhët e ekipit të të rriturve. Në sezonin pasues u transferua te Teuta e Durrësit, ku dha kontributin e tij në arritjen e Teutës në vendin e dytë në kampionat dhe në finalen e Kupës ndaj Besës së Kavajës. Në radhët e durrsakëve, Fagu ka luajtur 21 ndeshje. Sezoni e shkuar (2007-2008) Fagu u rikthye te skuadra e Tiranës, ku dha kontributin e tij në arritjen e finales së Kupës.

Fagu është edhe lojtar i skuadrës sonë përfaqësuese Shpresa. Tiranasi i ri mund të aktivizohet në disa pozicione që nga mbrojtësi i majtë dhe i djathtë, por edhe mesfushor qendre (shkatërrues), i djathtë dhe i majtë. Këtë fakt e ka deklaruar vetë trajneri Mirel Josa në të përditshmet sportive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›