Trezege: Ibra nuk është në lartësinë e "Topit të Artë"
David Trezege mendon se Ibrahimoviç nuk është ende në lartësinë e duhur për të fituar "Topin e Artë". Francezi deklaron se ylli i Interit duhet të përmirësohet edhe më shumë për të fituar trofeun prestigjioz, ndërkohë që këmbëngul se Adriano është sulmuesi më i mirë në Itali. "Bomberi" i Juventusit nuk luan që prej muajit shtator, por rehabilitimi po ecën mirë dhe në fillim të 2009-ës, ai pritet të jetë në dispozicion të skuadrës. Edhe pse çmimi si "Lojtari Evropian i Vitit" duket i destinuar të merret nga Kristiano Ronaldo, "Trezegol" beson se Ibra mund të fitojë në të ardhmen. Por, ai konfirmon se Adriano është më cilësor se sulmuesi suedez. "Një ditë, Ibrahimoviç do ta fitojë ‘Topin e Artë‘, por ajo kohë ende nuk ka ardhur", u shpreh Tregeze për "France Football". "Për sa i përket Adrianos, shpresoj që të rigjejë buzëqeshjen dhe formën më të mirë. Ai është sulmuesi më i fortë që kam parë të luajë në Serinë A. Këtë vit, ‘Topi i Artë‘ do të fitohet nga Kristiano Ronaldo, pasi ai e meriton me të vërtetë". Sulmuesi bardhezi ka rifilluar stërvitjen që prej javës së kaluar dhe pret me padurim të zbresë sërish në fushë. Ai synon të rifitojë vendin në kombëtaren franceze, nga e cila është "përjashtuar" për zgjedhjet teknike të Domenek. "Kalova një periudhë vërtet të keqe, rrëfeu 31-vjeçari. Por, më në fund u rikuperova dhe shumë shpejt do të jem në shërbim të trajnerit dhe të skuadrës. Me paraqitjet te Juventusi dua të rifitoj edhe një fanellë në përfaqësuese, pasi karriera ime ndërkombëtare nuk mund të përfundojë në këtë mënyrë. Deklarova se nuk do të luaja më me Francën, por nëse rrethanat ndryshojnë, do të rishikoj vendimin".