Skandalet 2012

Grushtohen deputetët PDK-së me të VV-së: Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje! Mosmarrëveshjet në mes vete deputetët e këtyre dy subjekteve politike i kanë zgjedhur me grushte. Fillimisht deputeti i PDK-së, Latif Gashi-Lata, e ka sulmuar fizikisht deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimin, në dalje të Kuvendit, pas mbajtjes së seancës plenare, ndërsa menjëherë ka pasuar sulmi tjetër i deputetit të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi, ndaj deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu-Kamishi.
Avullohen 1.4 milion euro të pasaportave: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është ballafaquar me shumë sfida dhe skandale gjatë vitit që po e lëmë pas. Në këtë ministri dyshohet se janë keqpërdorur 1.4 milionë euro, të destinuara për prodhimin e pasaportave biometrike. Mjetet për prodhimin e pasaportave ishin paraparë të shkojnë në kompaninë “Osterreichische Staatsdruckerei”. Për shkak të `avullimit` të 1.4 milionë eurove, është arrestuar shtetasja gjermane Natali Veliaj e cila po mbahet në paraburgim. Për shkak të këtij skandali, ministrit Bajram Rexhepi i është kërkuar dorëheqja, por ka thënë se nuk e ka ndërmend të dorëheqjet. Në vend të dorëheqje Rexhepi ka shkarkuar disa zyrtarë të lartë të MPB-së, por të cilët nuk kanë lidhje me këtë skandal.
Skandali “Pronto” : Një tjetër skandal, i cili e ka karakterizuar vitin që po e lëmë pas, ishte ai i përgjimeve të telefonave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Adem Grabovcit, Vlora Çitaku dhe Sami Lushtaku. Në bisedat e tyre telefonike më i atakuari ka qenë kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.
“Ikja e Xhabirit” :Edhe mosrespektimi i vendimit të gjykatës nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir zharku, është konsideruar skandal, Zharku ishte dënuar me tre vjet burgim. Kjo është hera e parë kur një zyrtar i lartë publik i ikën drejtësisë. Dyshohet se Zharku ka ikur në Suedi.
Policia e Kosovës është vënë në kërkim të tij, pas fletarrestimit të cilin e ka lëshuar Gjykata Komunale në Kaçanik. Ndaj veprimit të Zharkut kanë reaguar opozita, shoqëria civile dhe zyrtarët e PDK-së, nga e cila parti vjen Zharku.
Vidhen 25 kilogramë ari në Pejë: Në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë gjatë vitit 2012 janë vjedhur mbi 25 kilogramë ari. Pas kësaj vjedhje ka pasur edhe arrestime të zyrtarëve policorë. Për këtë skandal Qeveria e Kosovës është kritikuar ashpër nga përfaqësuesit e partive opozitare dhe shoqëria civile. Pas disa muajve Inspektorati Policor i Kosovës kishte organizuar një aksion, ku kishte arrestuar disa persona në Pejë dhe kishte sekuestruar mbi 25 kilogramë ari. Ende nuk dihet nëse ari i sekuestruar është i Dhomës së Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë./Indeksonline/