E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandalet e Imamit nuk kanë të sosur

Skandalet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në mënyrën se si strukturat e këtij institucioni punojnë, janë mëse flagrante.

Të gjithë e mbajmë mend debatin më të fundit mes ish-presidentit të vendit, Bamir Topi, dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për emërimin e komandantit të Forcës Detare, Ferdinand Kreshpani, duke shmangur dekretin e kreut të shtetit.

Mirëpo cila ka qenë veprimtaria e kapitenit të rangut të parë në drejtimin që ai i ka bërë flotiljes detare jugore, veprimtari pas së cilës ai u shpërblye me emërimin e tij në detyrën e komandantit të Forcës Detare, emërim nga i cili Ministria u tërhoq disa ditë më vonë, duke i shtuar listës së skandaleve edhe këtë emërim.

Komandant Kreshpani në një detyrë të rëndësishme që iu dha në mirëbesim, ka kryer zbatimin e kontratës për shitjen e tre nëndetëseve. Në një shkrese që Vizion Plus ka siguruar, e protokolluar me nr 65/1 te datës 13.01.2012, del ne pah se kontrata për shitjen e tre nëndetëseve nuk është realizuar në masën 100 %, por vetëm 81 %. Sipas kontratës, sasia e skrapit çelik duhet të ishte 1830 ton dhe skrapit bronz 3 ton. Në vlerë, ky realizim i kontratës përbën afërsisht 35 milionë lekë me TVSh. Sipas parashikimit, shuma e kontratës me TVSh ishte afërsisht 43 milionë lekë. Mirëpo në këtë shkresë thuhet se vlera është përllogaritur gabim, pasi nga llogaritja tjetër që grupi i punës ka bërë, shifra e saj, e llogaritur me TVSh, duhet të ishte afro 42 milionë lekë. Rrjedhimisht realizimi faktik i kësaj kontrate është në vlerën 83 %.

Por cilat janë arsyet me të cilat argumentohet mos realizimi i të ardhurave? Thuhet se kororzioni i shkaktuar nga qëndrimi për më shumë se 25 vjet në ujë i nëndetëseve pa bërë dokim të tyre, ka sjellë edhe humbje te peshës së skrapit. Kondrapeshat e rëna në det, që kanë dëmtuar veshjen e trupit të jashtëm, vjedhja e disa aparaturave, e të dhëna të tjera që nuk posedohen, si për shembull trarë druri, rafte, etj, dhe humbja e një sasie skrapi gjatë procesit të prerjes.

Këto janë disa nga arsyet që kanë çuar ne mos realizimin e kësaj kontrate në vlerën e saj totale, mirëpo ajo që të bie në sy është fakti sesi mundet një institucion të caktojë marrëveshje me vlerë të tillë financiare, pa u njohur ende me kushtet në terren, sesi mundet ky institucion të mos ngrejë pikëpyetje e ti sqarojë më parë ato? Si mundet që kontratat nuk realizohen në masën 20 % të tyre.

Megjithatë shpërblimi që i ka ardhur komandantit të forcës së parë në flotiljen detare jugore Ferdinand Kreshpani, ka qenë emërimi në drejtimin e forcës detare. Pas betejës mes presidencës së z. Topi dhe ministrit Imami, ky i fundit u tërhoq duke e bere vetëm zv/komandat z. Kreshpani, por ende në këto momente ai ka të drejtën e firmës, pasi forca detare nuk ka akoma një komandant në krye.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›