E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha e përdor çështjen e imunitetit për të mbuluar dështimet

Partia Socialiste e quan dështim të planit të Berishës për të gjunjëzuar drejtësinë mosmiratimin e nismës për heqjen e imunitetit. Deputetja e PS, Mimi Kodheli, tha se në fakt Berishës nuk i intereson aspak imuniteti, por kërkon të mbulojë dështimet e tij.

Ditën e hënë plani i Sali Berishës për të mbajtur të gjunjëzuar drejtësinë në këmbim të heqjes së imunitetit, dështoi. Sali Berisha u detyrua të dorëzohej dhe të pranonte realitetin: Kushtetuta është ligji themelor i shtetit dhe nuk mund të ndryshohet sa herë të na teket. Për ne socialistët, çështja e imunitetit është një çështje e mbyllur, për kufizimin e të cilit të gjitha palët janë dakord.

Socialistët janë jo vetëm nismëtarët për ta kufizuar imunitetin, por edhe votuan pro, nen për nen dhe në parim për projektligjin e dakordësuar. Ajo që ne socialistët dhe njerëzit e thjeshtë të këtij vendi nuk mund të pranojmë është një qeveri si kjo e Sali Berishës. Ne nuk mund të pranojmë që imuniteti të konsiderohet si tejet i rëndësishëm për integrimin europian (gjë që është e vërtetë), kurse pavarësia e sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit apo çrrënjosja e kulturës së pandëshkueshmërisë të injorohen totalisht nga kjo qeveri. Ne socialistët nuk do të pranojmë që drejtësia në Shqipëri të vazhdojë të mbetet e gjunjëzuar përpara pushtetit të Sali Berishës, nuk mund të pranojmë që ky pushtet të vazhdojë të vjedhë Shqipërinë teksa shqiptarët varfërohen, tha Kodheli.

Në fakt, Berishës nuk i intereson aspak imuniteti. Atij nuk i intereson as integrimi i Shqipërisë. Njësoj si kur e zgjodhi Presidentin në kundërshtim të hapur me kërkesën e Bashkimit Europian për konsensus. Njësoj siç ka vepruar gjatë gjithë këtij viti, duke rrezikuar ta ngelë Shqipërinë në klasë për të tretën herë vetëm e vetëm se qeveria e tij nuk di të bëjë detyrat e shtëpisë. E vërteta është se e gjithë kjo propagandë e kësaj qeverie synon thjesht dhe vetëm të mbulojë dështimet e këtij pushteti.

Mimi Kodheli foli për situatën alarmante ekonomike e sociale në Shqipëri.

Dje një grua u vra, ndërsa e motra u plagos në tentativë e sipër për tu grabitur, në mes të Tiranës. Raste të tilla po dëgjojmë çdo ditë. Njerëz të dëshpëruar që i japin fund jetës, qytetarë që ekzekutohet në mes të qyteteve për arsye banale, dhe sa e sa të tjerë që humbin jetën çdo ditë në aksidente rrugore. Shqiptarët sot janë më të varfër dhe kriza që ka përfshirë çdo familje e çdo biznes ndihet me shumë se kurrë. Listat janë shtuar, çmimet janë rritur, shqiptarët janë varfëruar. Dhe në vend që ti përkushtohet punës që duhet të bënte e për të cilën paguhet, kryeministri vetëm flet duke mos bërë asgjë.

Deputetja e PS përsëriti qëndrimin e tyre që nëse do bëhet referendum, qytetarët të pyeten dhe për marrëveshjen e detit, për importin e plehrave dhe për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PS.

Tani na ka hedhur idenë e mbajtjes së referendumit. Shumë dakord për referendumin, por bashkë me votën për kufizimin e imunitetit, për të cilin të gjitha palët janë dakord se duhet hequr, të fusim në referendum dhe të kërkojmë mendimin e qytetarëve edhe për propozimet tona që sigurojnë një drejtësi të pavarur. Të kërkojmë mendimin e shqiptarëve edhe për ligjin që lejon importin e plehrave. Tu kërkojmë bashkëqytetarëve tanë të shprehen edhe për hapësirën detare që Sali Berisha do tu falë për së dyti fqinjëve tanë. Shqiptarët le të vendosin dhe do të vendosin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›