E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali L’Expresso

Të paktën në një çështje Qeveria e Kosovës, partia më e zëshme opozitare AAK dhe bashkësia ndërkombëtare janë një gojë. Nuk është lufta kundër korrupsionit, as mundësia e zgjedhjeve të parakohshme kauza që ata i ka bashkuar. Është një gazetë prestigjioze italiane e quajtur L’Espresso. Të gjithë janë çuar kundër saj. Sipas një artikulli të botuar më 4 maj në këtë të përditshme, UNMIK-u ka ndikuar që të stopohen procese të rëndësishme gjyqësore kundër figurave të larta politike në Kosovë.

Në mesin e tyre përmenden edhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi, dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kjo gazetë akuzon kryeministrin Thaçi për lidhje me krimin e organizuar, derisa liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn, për vrasjen e Tahir Zemajt dhe dy policëve Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj në Raushiq të Pejës në vitin 2003.

Artikulli është pagëzuar me emrin “Skandali Kosovë”. I njëjti artikull edhe në disa media kosovare. L’Espresso është bazuar në një raport të publikuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i lëshuar në vitin 2006. Ndonëse, televizioni Klan Kosova ka gjetur raportin origjinal të OSBE-së, të atij viti, zyrtarë të OSBE-së mohojnë të ketë një raport të tillë.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk ka bërë kurrë ndonjë deklaratë apo vlerësim të tillë për ndonjë individ, në asnjë nga raportet e veta”, thotë për Express ushtruesja e detyrës së zëdhënëses së Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edita Buçaj.

Sipas saj, OSBE tashmë ka bërë edhe një reagim zyrtar në këtë gazetë. “Misioni i ka dërguar një letër redaksisë së revistës në fjalë, me të cilën e ka sqaruar qëndrimin e vet dhe ka kërkuar korrigjim”, shton ajo. Ndërkaq, sipas të përditshmes majtiste L’Espresso, dy figurat e larta politike të Kosovës, përmes klaneve të tyre, janë të përfshirë në vrasje, trafikim të drogës dhe trafikim të organeve.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës dhe zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë të bindur se L’Espresso ka shpifur.

“Është duke u shqyrtuar si mundësi një përgjigje meritore për këtë shkrim shpifës, denigrues dhe të qëllimshëm”, thotë Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, ky është vetëm një shkrim në kuadër të shumë shkrimeve të tjera, që janë botuar me një mision të caktuar. “Normalisht ky është edhe një shkrim në vazhdën e shkrimeve të tilla që botohen me misione të caktuara kundër Kosovës dhe liderëve të saj”, shton ai.

Megjithëkëtë, Krasniqi nuk mund të thotë se kur do të bëhet ky reagim ndaj gazetës italiane.

Edhe Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së, i konsideron të gjitha fjalët në shkrimin në L’Espresso të shpifura dhe qëllimkëqija.

“Media të caktuara kanë qenë të mobilizuara në këtë gjueti të shtrigave kundër zotit Haradinaj dhe asaj që ka përfaqësuar në të kaluarën dhe atë që përfaqëson sot si lider politik”, thekson ai.

Luma thotë se AAK ende nuk ka diskutuar se a do të paditet apo jo kjo gazetë.

“Por, zoti Haradinaj dhe AAK kanë të qartë që kjo është një shpifje dhe është bërë për agjenda të caktuara, jo në të mirë të Kosovës dhe proceseve që po kalojmë ne”, vlerëson ai.

L’Espresso publikoi shkrimin e saj më 4 maj të këtij viti dhe thotë se bazohet në një raport të publikuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i lëshuar në vitin 2006.
E njëjta gazetë kishte shkruar edhe për ish kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano. Por, pas një procesi gjyqësor, gazeta është detyruar t’i paguajë Nanos miliona euro si dëmshpërblim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›