Skandali Mein Kampf!
Botimi në gjuhën shqipe i librit të Adolf Hitlerit Mein Kampf (Lufta ime) është një absurditet i llojit të vet, i cili nxori në pah shumë mangësi e ligështi që logjistikën ligjore bashkë me atë të të drejtave të autorit në Shqipëri dhe me këtë edhe në Kosovë e vise tjera në gjuhën shqipe… e përshkojnë qe dekada e dekada të tëra me radhë.
Po qe se e vërejmë vetëm mënyrën sesi kolanat e kulturës në mediat e printuara në gjuhën shqipe e përcollën këtë skandal, njeriu mund të nxjerrë konkluzionin më tepër se dëshpërues që nuk ka një vijë të qartë, një linjë dalluese, mes asaj që quhet liri e shprehjes dhe shtypit dhe hapje rruge për nxitje të racizmit dhe antisemitizmit-cenime këto esenciale të të drejtave të njeriut;. për ti kapur këto dy elemente duhet të ndalemi veç e veç tek to.
Mënyra sesi mediat, gazetarët dhe redaktorët e tyre provuan dhe provojnë ta hedhin këtë botim skandaloz në ujërat e një debati nëse duhet apo sduhet të kemi Mein Kampf-in në tregun e librit në shqip, është naive.
Nuk ka debat për këtë libër. Sepse Mein Kampf i Adolf Hitlerit është një prej shkresave më të urryera dhe për të folur me Winston Churchillin, në mesazhin e tij është me barrën e katastrofës e cila njerëzimit i kushtoi me miliona e miliona jetëra të hebrenjve, vdektarëve të tjerë dhe fare në fund edhe vetë gjermanëve.
Në anën tjetër, është e kuptueshme që mediat duan ushqimin e tyre-për të nxjerrë zëra intelektualësh, shkrimtarësh dhe botuesish tjerë të cilët shprehen rreth këtij botimi… dhe është më tepër se për keqardhje kur dëgjohen thirrje të tipit jam për dhe nuk ka asgjë të keqe në qarkullimin e këtij traktati monstruoz.
Por, sidomos mënyra sesi botuesi i librit (për përkthyesin nuk dimë gjë!) u propagandua me deklarata e intervista, thirrje për mirëkuptim e çka jo tjetër, është më shumë sesa skandaloze.
Nuk ka mirëkuptim për këtë libër dhe autorin e tij. Aq më pak për logjikën sesi ai është shtypur. Një situatë absurde, të cilës njeriu nuk mund ti përgjigjet as me tekste as ftesa për gjyqe e bile as me deklarata zyrtarësh të ministrive përkatëse- në Tiranë a Prishtinë.
Për ti dhënë rrugë apo gjetur shteg krejt këtij teatri bizar, nuk mbetet gjë tjetër pos që pjesëtarëve të Shoqatës Shqipëri- Izrael tu jepet këshilla që ta sigurojnë një ekzemplar të këtij libri në gjuhën shqipe dhe që atë ekzemplar ta postojnë tek Qeveria- konkretisht Ministria e Financave e Landit të Bavarisë. Për të tjerat ata më nuk do të duhej të brengosen aspak.
Sepse të drejtat e Mein Kampf-it janë tek ky land (deri në vitin 2016) dhe do të duhej ti siguronim të gjithë ama sidomos intelektualët e botuesit shqiptarë që janë për qarkullimin e këtij libri që shteti gjerman dhe sidomos landi bavarez kanë aq shumë mundësi e rrugë legale që përmes rrugëve legale, politike e gjyqyësore, jo vetëm ta heqin nga qarkullimi këtë libër, por edhe të merren me të gjitha detajet tjera rreth këtij botimi.
Tekefundit, këtë gjë Munihu, landi bavarez e ka bërë edhe me vende e shtete, botues piratë e rrethe neonaziste edhe në Indi, Turqi, Francë e Britani të Madhe…
Sepse është më tepër se dëshpëruese sesi struktura shtetërore e institucionale përgjegjëse për kulturën po (vetë)kënaqen me kërcënime që nuk e kanë as jetëgjatësinë e shkronjave të shtypura në faqe mediumesh.
Fakti që tashmë lajmi ka marrë dhenë dhe libri është në qarkullim, do të duhej ndoshta më së miri të shpjegohej, megjithatë, me qëndrimin e disa botuesve nga Kosova, të cilët në mënyrë të qartë e theksuan atë që edhe qëndron: përgjegjësinë për botimin në fjalë do dhe duhet ta bartë vetë botuesi, por edhe përkthyesi i atij teksti.
Por, kjo do të jetë vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e këtij skandali- dalëngadalë por sigurt do të vijë në pah javët dhe muajt në vijim. Për dhe në këtë mos dyshoni. Me këso gjërash thjesht nuk luhet dhe para së gjithash nuk koketohet.
