Fshehja e Presidentit pas gishtit i zbulon problemet e veta më shumë nga sa kujton ai

Janë ca të vërteta që, ndonëse dihen, përsëriten vend e pavend për arsye të rëndomta, shpesh prej zilisë, smirës, zemërligësisë, ani se nuk sjellin ndonjë gjë të re. Kush nuk e di sot se Berisha ka pas qenë dje anëtar i Partisë së Punës, “komunist”, siç thuhej rëndom asohere? A zbulon kjo ndonjë të fshehtë, kur ai vetë nuk e ka fshehur asnjëherë? Mijëra e mijëra të tjerë anekënd Shqipërisë mbanin si ai anëtarësinë e asaj partie për mijëra e mijëra arsye të ndryshme që as përbënin, as përbëjnë ndonjë faj.
Mirëpo, çdokush e di se Berisha sot s’është “komunist”, as në atë kuptim, as në kuptimin e anëtarit të ndonjë partie tjetër me prirje komuniste. Më në fund, çdokush e di se Berisha spikat në mesin e atyre “komunistëve” të shpallur antikomunistë që i dhanë dërrmën përfundimtare regjimit të diktaturës në Shqipëri, madje, mbetet një ndër të rrallët që s’pati luhatje në jetën e vet politike, pas rrokullimës së regjimit hoxhist. Nëse ndokush nuk e di, le ta mësojë. Meritat e Berishës për hapjen e një epoke të re shqiptare, zor se mund të gjendet historian t’i mohojë. E kam fjalën për historianë, jo për llafollogë rrugësh a për komentues “profesionistë” që vënë pseudonime përfund artikujve të shtypit elektronik, të cilët i lëshojnë ç’t’u vijë për dore, pa doganë, madje pa kursyer fjalë fyese që të vjen krupë t’i lexosh. Pas më se njëzet vjet proceseshdemokratike, një gjë nuk duhet të harrojmë sot ne, bashkëkohësit e Berishës.
Askush në mesin e të deklasuarve ose të atyre që thjesht nuk u cenuan nga regjimi, nuk mund të dilte asohere aq haptas e të shkruante në “Drita” çka shkroi Doktori. Zëri i tij i papritur në shtyp ishte shpërthim, buçimë, njëherësh kambanë që paralajmëronte për shqiptarët fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre. E kalonim ato ditë “Dritën” dorë më dorë, e lexonim shkrimin e tij, dëgjonim buçimën dhe nuk u besonim syve, as veshëve. Na dha krahë të gjithëve, ndonëse ende nuk guxonim të hapnim gojën, jo më të shqiptonim ndonjë fjalë që mund të interpretohej si agjitacion e propagandë. Pati edhe të tjerë që shkruan,- do të thotë ndokush. Është e vërtetë. Por është po aq e vërtetë edhe se ata dy a tre të tjerët, në mos nga radhët e anëtarëve të Partisë së Punës, nga elita e administratës shtetërore ishin. Me porosi, - do të shtojnë ndoca që e kanë për ujdi të hedhin gurin e të fshehin dorën, siç edhe janë rrekur të përbaltin figurën e liderit të PDsë sot e më se njëzet e kusur vjet të shkuara. Do t’u përgjigjem flakë për flakë: nostalgji për të kaluarën tuaj të molepsur, dashakeqësi, poshtërsi. Jeni megafonat e fundit të makinës propagandistike të Sigurimit të Shtetit. Me çjerrjet tuaja, rrihni të çoroditni njerëzit dhe të mbijetoni ende në moçalishten e politikës së ditës. Asohere, në fund të viteve ‘80, në Kavajë, një ndër djepet e demokracisë, shumë anëtarë të PPSH-së i flakën në mënyrë demonstrative teserat e partisë, fill pas vrasjes së dëshmorit Josif Doja nga ana e policisë politike të Ramiz Alisë. Pati ndër ta që u shprehën botërisht kundër partisë, së cilës i patën shërbyer deri atë ditë. Veprimi i tyre u bë detonator për shpërthimin e ndjenjave antikomuniste të qytetarëve. Kavajasit i zbërthyen gojët, aq sa nuk do t’i bënin dot zapt as Muho Asllani, as Hekuran Isai, as emisarët e tjerë të Ramiz Alisë. Tashti, më thuaj i nderuar lexues, a mund të merrte rrugë ai ortek i madh antikomunist, po të mos i jepnin të shtyrën fillestare tamam një pjesë atyre që e mbanin në këmbë, ata më të ndershmit, më të guximshmit? Do të ishte mosmirënjohje ndaj veprës së tyre, sikur sot t’u kujtonim vend e pavend se dikur paskan qenë anëtarë të Partisë së Punës, “komunistë”, siç thuhet rëndom. Kujt iu ofrua ajo teserë dhe nuk e pranoi? Tesera donte me thënë garanci për një punë të mirë, garanci për studim, garanci për të ardhmen e fëmijëve, garanci për një copë bukë, garanci për mbijetesë në një sistem që i kishte shtuposur të gjitha hapësirat e tjera, sa s’kalonte dot as miu. Faj do ta quaja keqpërdorimin e teserës së partisë për interesa të ndyra, jo mbajtjen e saj në xhep. Ish-pacientët e Dr. Berishës, tashmë janë shprehur për humanizmin e tij të rrallë, për dashurinë dhe respektin ndaj cilitdo, në bazë ose në kulmin e piramidës. Në fund të fundit, ata që e kuptuan të parët të ardhmen pa të ardhme të komunizmit dhe e demaskuan të parët atë, sot duhen përshëndetur, jo kryqëzuar, pavarësisht marrëdhënieve të pashmangshme me regjimin. Koha ecën. Bashkë me të, avancon mosha e njeriut. Evoluojnë, avancojnë edhe mendimet e idealet e tij. A do t’ia njohim njëri-tjetrit këtë atribut të jetës apo do të vazhdojmë me gërgëre pafund që po na pengojnë të shohim përpara? Sot, vlera e secilit duhet matur me veprimtarinë vetjake në dobi të proceseve demokratike. Nuk kemi kohë të tepërt për të humbur, nëse duam të radhitemi përkrah kombeve të përparuara. Jam dakord me Ligjin për Lustracionin. Madje jam ndër të parët që e kam mbështetur Ligjin për Ndëshkimin e Krimeve Kundër Njerëzimit, me gazetën modeste “Për Mëmëdhenë”, të cilën e botoja dhe e drejtoja më 1995. Po është tjetër gjë të kërkosh një ligj, tjetër ta pengosh atë. Të lëshosh insinuata të dyshimta, duke përfituar nga mungesa e ligjit, është e pamoralshme. Sulmi i fundit i Presidentit ndaj Kryeministrit, me ndihmën e dy a tri fotove të cilat i kishim parë me kohë në shtypin e kontrolluar prej Edi Ramës dhe marrë hua prej arkivave të tyre, më tepër sesa humor negativ për të kaluarën e Berishës si anëtar i PPSH-së, të ngjall neveri për Topin si njeri që po ia kufizon vlerat vetvetes nga dita, në ditë. Deri dje iu lëpi liderit të PD-së, si konia zotërisë. Sot shfryn ndaj tij si grua e ligë. Shumë vonë u kujtua Presidenti ynë se kryetari i ish-partisë së tij paska qenë anëtar i PPSH-së dhe shumë shpejt harroi se falë njeriut të cilit iu jargavit më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, ka ngjitur shkallët e politikës deri sa hipi në piedestal.
Metamorfoza e tij si politikan tregon jo vetëm smirë dhe zili të një njeriu të vogël, tepër të vogël, karshi një tjetri shumë herë më të madh, por edhe mosmirënjohje e ligësi. Me shumë vonesë është kujtuar zotëri Presidenti edhe për kthimin e pronave pronarëve, edhe për hapjen e dosjeve. A mund të na thotë, të paktën tashti, në fund të mandatit të vet presidencial dhe i pashpresë për një mandat të ri, pse nuk ndikoi në PD që të bëheshin ligjet përkatëse në kohën kur ai ishte figura numër dy e partisë? Nëse e ka penguar Berisha, siç lë të nënkuptohet, nuk kemi dëgjuar që të ketë pasur me të ndonjë mosmarrëveshje për çështje të tilla kardinale.
Nga ana tjetër, kur i vajti në dorë Ligji për Lustracionit, pse e neglizhoi si titullar i Presidencës, instanca e fundit që Ligji të merrte jetë? Arsyet “morale” që nxjerr sot, janë sa të pabesueshme aq edhe të pamoralshme. Ato të kujtojnë torollakun dritëshkurtër që përpiqet të fshihet pas gishtit. S’ma merr mendja se do të bëhet kiameti po të largohen nga politika një grusht politikanësh, siç lë të kuptohet ai. Kush e meriton, le të largohet, cilitdo krah që t’i përkasë. Largimi i tyre do të sjellë shëndoshjen e politikës shqiptare, do t’u mbyllë rrugën edhe insinuatave, të cilave vetëm Topi nuk duhej t’u bashkëngjitej. Përndryshe, kushdo ka të drejtë të dyshojë se ligji u shmang në Presidencë për arsye shumë më të forta sesa ato “morale”. Aq më tepër që shkencëtari i ri i kërkimeve veterinare të viteve ‘80, u dërgua nga regjimi i Ramiz Alisë në Itali, bash në atë kohë kur rripat ishin shtrënguar te s’mbanin më, kur pasardhësi i Hoxhës vari poetin Havzi Nela me akuzën se donte të arratisej jashtë shtetit. Dhe ai regjim i mallkuar, përpos ndonjë anëtari partie, të tjerët nuk i niste për studime jashtë shtetit ngase ishin të zotët. As sepse i kishte xhan... Personalisht do të doja që zoti Topi të shpaloste motivet e qenësishme që e penguan Ligjin, nëse ka vërtet të tilla. Nëse jo, fshehja pas gishtit i zbulon më shumë nga sa kujton ai problemet e veta. M’u kujtuan, në këtë rast, vargjet e para të fabulës së famshme të La Fontenit për bretkosën dhe kaun. “Bretkosa sa një ve / pa një ka sa një deve / dhe zilia nuk e la / desh të bëhej sa një ka...” .
Për shkak të profesionit të vet të nderuar si veteriner, madje edhe si kërkues dhe zbulues në fushën e veterinarisë, zotëri Topi duhet ta dijë mirëfilli, më mirë edhe se La Fonteni poet, se bretkosa s’ka shans të bëhet sa një ka, sikur edhe njëqind jetë të ketë. Nëse bën sikur s’e di, ngase i janë errësuar sytë në kërkim të shkopit magjik për të mbijetuar në politikë, le të lexojë fabulën e sipërpërmendur. Do të mësojë se bretkosa hëngri e hëngri që të fryhej, deri sa më në fund plasi: puf!
...