E Diel, 1 Nëntor 2026

Ipeshkvijtë e Juglindjes evropiane në Strasburg: Feja e fuqizon Kontinentin

10-03-2012 / Gazeta 55

Një takim formimi e informimi, për të kuptuar mekanizmin e ndërlikuar të institucioneve evropiane si dhe për ta bërë më energjike praninë e Kishës brenda tyre. Ky ishte qëllimi kryesor i mbledhjes së ipeshkvijve të Evropës Juglindore në Strasburg, që të hënën e kaluar. Ishin të ftuar nga imzot Aldo Xhordano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës. Gjatë takimit, u ripohua, ndërmjet tjerash, edhe roli i fesë si faktor bashkimi kontinental. Në mikrofonin e Radio Vatikanit, imzot Xhordano bën bilancin e punimeve: “Një temë e parë ishte ajo e çështjes së rolit, që luan feja. Nga njëra anë u vu në dukje se feja ka një rol themelor për bashkimin shoqëror e për dialogun ndërkulturor. Prej këndej buron edhe kërkesa për mbrojtjen e lirisë fetare, për njohjen juridike të bashkësive të Kishave që, ende sot, në disa vende të Evropës Juglindore, mbetet problem për t’u zgjidhur, e edhe për frenimin e diskriminimit për shkaqe fetare. Një temë tjetër, ishte ajo e dialogut ndërmjet banorëve në ato vende, që janë ende në fazën e tranzicionit drejt një demokracie të pjekur. Ne e dimë se në vende të tilla ka akoma kufizime të ndjeshme, e edhe konflikte. Për shembull, situata në Qipro përbën një konflikt të mprehtë për mbarë Evropën; por nuk duhet harruar edhe situata në Kosovë, në Transnistria të Moldavisë, e jo më pak, vijimi i konfliktit ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë.

Para se të fillonte takimi, ju patët shprehur dëshirën që Kisha në Evropë të jetë atje, ku merren vendimet e rëndësishme për ardhmërinë. Ç’mund të na thoni lidhur me këtë dëshirë, parë në dritën e takimit?
Ishte sigurisht, një takim i rëndësishëm, domethënës, sepse, në radhë të parë, ishte informativ. Ka shumë rëndësi që ipeshkvijtë ta njohin sa më mirë mënyrën si funksionojnë institucionet evropiane e edhe të hyjnë në kompleksitetin e mekanizmit evropian. Prej këndej, mund të themi se nuk ishte vetëm takim informimi, por edhe formimi. Pastaj, gjatë takimit, u fol edhe për platformën reale të lidhjes ndërmjet kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore dhe personaliteteve të rëndësishme të institucioneve. Ipeshkvijtë treguan një interes të veçantë, fituan përvojë të pasur, por edhe siguri, sepse, duke i njohur më mirë institucionet, e sidomos, duke i njohur më mirë njerëzit, fituan vetëdijen e mundësive që kanë për të ndërhyrë. Për shembull, në vendimet e Gjykatës për të drejtat e njeriut të Strasburgut, lidhur me lirinë e fesë. Ipeshkvijtë tani mund të përgatisin edhe laikët, mund të kenë pranë njerëz kompetentë, që i ndjekin këto kapituj, që janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e mprehta, siç mund të jetë, për shembull, paraqitja e këtyre çështjeve para Gjykatës së Strasburgut. Ky më duket një mjet i përshtatshëm, për të qenë protagonistë.

Në Meshën kushtuar Evropës, që u kremtua të mërkurën e kaluar, Ju, ndërmjet tjerash, gjatë homelisë, theksuat: “Në se bazohemi vetëm mbi lidhjet e rregulluara nga të drejtat e detyrat, nuk mund të shkojmë larg; larg mund të shkohet vetëm në se bazohemi mbi marrëdhëniet e frymëzuara nga dashuria e krishterë!”. Atëherë duhet thënë edhe se nuk mund të ketë Evropë, pa këtë dashuri të krishterë!
Natyrisht. Besoj se Mesha – në sajë edhe të pjesëmarrjes së madhe nga ana e personaliteteve të institucioneve - ishte një rast i përshtatshëm për të theksuar se Zoti duhet të jetë i pranishëm në hapësirën publike e se feja ka një kontribut të pallogaritshëm për t’i dhënë shoqërisë. E edhe për të ripohuar vetëdijen se një shoqëri, që dëshiron të jetë e aftë të jetojë në paqe, e aftë për solidaritet, duhet t’ia kërkojë këtë Zotit si dhuratë: të krijojë një vend për lutje, sepse kjo dhuratë mund të vijë vetëm nga Lart; vetëm një Tjetër, mund të na shpëtojë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›