E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i naftës, arratiset Hajri Elezaj

Drejtoria e Policisë ka bërë të ditur se Elezaj, ka thyer masën e “arrest shtëpie”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit, dje, më dt. 28.07.11, nga Prokuroria e Apelit Tiranë është nxjerrë urdhëri për ekzekutimin e masë “Arrest në burg” për të hetuarin Hajri Elezaj.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në zbatim të urdhërit të prokurorisë, ka shkuar në banesën e shtetasit Hajri Elezaj, dhe konfirmon se personi nën hetim nuk gjendet në banesën e tij, si dhe nuk dihet vendndodhja.

Në këto kushte, kur i hetuari Hajri Elezaj është ndër personat kryesorë në hetimin mbi çështjen e kontrabandës së naftës Virgine, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë  ka nisur verifikimet për vendndodhjen e të hetuarit, kushtet dhe rrethanat që çuan në zëvendësimin e masës së sigurimit të tij, të personave që kryen aktin e ekspertimit mjeko-ligjor të gjendjes së tij shëndetësore si dhe për përgjegjësitë mbi zbatimin e masës së sigurimit “Arrest në Shtëpi” të shtetasit Hajri Elezaj.

Tashmë pritet arrestimi i Elezajt, i cili sipas policisë është larguar nga banesa. Ai akuzohet për tregtimin e naftës virgin, çka solli në muajin mars arrestimin e rreth 11 personave, por që të gjithë fituan më pas lirinë. Skandali i kontrabandës së naftës "virgine", u denoncua nga ish-ministri i Energjetikës Prifti.

Pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se përgjatë viteve 2007-2009 në kundërshtim me ligjin nafta "virgine" ishte shitur në tregun vendas edhe pse ishte produkt i destinuar për eksport. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-07-29 17:43
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›