Skandali i naftës, protesta kundër BP në të gjithë botën
Ambientalistët kanë parashikuar që të organizojnë një protestë të përbotshme kundër “British Petroleum”. Kjo ditë do të organizohet me protesta në më shumë se 50 qytete në të gjithë botën nga Pensacola, Florida e deri në Zelandën e Re. “Ne duam që BP ta ketë të qartë se nuk jemi dakord me atë që kompania po vazhdon të hedhë në ujërat e planetit që prej më shumë se një muaji”, thuhet në faqen e “Facebook”-ut të grupimit që do të organizojë protestat. Ato vijnë pas përkeqësimit të situatës në Gjirin e Meksikës, ku vazhdojnë të derdhen sasi jashtëzakonisht të mëdha nafte çdo ditë. “‘British Petroleum’ nuk është treguar e sinqertë me sasinë e naftës që po derdhet në det, duke vazhduar që të mbajë një linjë të tillë”, ka deklaruar kryetarja e Kongresit Amerikan, Nensi Pelozi. Në fjalën e saj ajo i është referuar vlerësimit që i kishin bërë shkencëtarë të ndryshëm sasisë së naftës që derdhet në det, i cili është dyfishi i asaj që thoshin ekspertët e BP-së se derdhej pra rreth 40 mijë fuçi nafte në 24 orë. Pelozi tha se ishte takuar me Presidentin Obama për të folur në lidhje me çështjen dhe ky i fundit i kishte thënë Prokurorit të Përgjithshëm të hetonte në lidhje me ndonjë veprim të paligjshëm të mundshëm të kryer nga kompania britanike. “Kjo është një çështje integriteti. BP-ja ka bërë të ditur se ata e kishin teknologjinë për të ndaluar vazhdimin e katastrofave të tilla dhe mbi të gjitha për ta parandaluar një gjë të tillë dhe nëse ata do të ishin treguar të sinqertë nuk do të kishte ndodhur asgjë nga këto që po ndodhin tani”, ka deklaruar ajo. Megjithatë, kompania shumë e pasur dhe e fuqishme ka arritur që të gjejë mbështetës edhe në Shtetet e Bashkuara. Njëri prej tyre është kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bloomberg, i cili ka deklaruar se kompania është e vetmja që ka ekspertët dhe mjetet e duhura për t’i dhënë fund situatës. Në Londër, zëdhënësi i Kryeministrit bëri të ditur se kishte biseduar me shefin e BP, duke i shpjeguar këtij të fundit situatën e rëndë dhe shqetësimin e tij të madh në lidhje me dëmet që i ishin shkaktuar mjedisit nga rrjedhja e naftës, por bëri të qartë që kompania është e rëndësishme për ekonominë britanike dhe se ishte në interesin e të gjithëve që ajo të vazhdonte të ishte një kompani e qëndrueshme. Shefi i BP, që do të takohet të mërkurën e ardhshme me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, e ka bërë të qartë se BP do të vazhdojë të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për të ndaluar rrjedhjen e naftës dhe për të pastruar e ndrequr gjithë dëmin dhe do të përballet me të gjitha pretendimet për kompensim nga palët e dëmtuara. Sipas ligjit, kompania është përgjegjëse për pagesën e të gjitha kostove për ndalimin e rrjedhjes së naftës dhe parimin e pasojave të kësaj katastrofe dhe kjo nuk ka të ngjarë që të jetë një faturë e vogël, madje do të përfshijë miliarda dollarë. Një shqetësim i madh është ai për të gjitha bizneset dhe mbarëvajtjen e jetës së njerëzve që jetojnë në zonat e dëmtuara, që nga peshkatarët e deri te hotelierët dhe biznese të tjera që janë dëmtuar rëndë. BP pretendon që të paguajë një shumë të arsyeshme për të dëmtuarit, por ende nuk dihet se çfarë do të thotë “e arsyeshme”.
#