Imami: Do shtojmë trupat në Afganistan
Shqipëria do të shtojë trupat në Afganistan. Lajmi është bërë publik dje nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ku është takuar edhe me senatorin Lugar dhe senatorin Liberman. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, shtimi i trupave ushtarake në Afganistan nuk do ta rëndojë buxhetin e shtetit, për shkak se do të tërhiqen trupat nga çadi dhe do të dërgohen trupa në Afganistan. “Kjo do të mbajë të njëjtën kosto dhe nuk do të nevojitet një buxhet shtesë në lidhje me këtë vendim”, tha Imami. Shqipëria do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj për Afganistanin, duke mbajtur kompaninë e ushtarakëve që ka në këtë vend dhe duke shtuar edhe një skuadër tjetër. Deklarata vjen nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë pjesëmarrjes në SHBA, ku zhvilloi takime me senatorë të ndryshëm. Muaj më përpara Shqipëria ka dërguar trupa në Afganistan dhe ka kontribuar gjithashtu edhe me një ekip prej 20 mjekësh dhe me ndërtimin e një shkolle. Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, theksoi se këtë anëtarësim e shikojmë si fillimin e detyrimeve më të mëdha për të përmbushur. “Dy mbeten drejtimet kryesore të punës në FA Shqiptare. Së pari, zhvillimi i mëtejshëm i aftësive operacionale dhe së dyti, asgjësimi i municioneve të tepërta”, tha ai. Lidhur me asgjësimin e municioneve, ministri Imami theksoi se ai mbetet prioritet i punës dhe mbi bazën e një plan-veprimi të detajuar ky proces po vazhdon me ritme më të larta në uzinat ushtarake në Mjekës dhe në Poliçan. “Për të vënë procesin e demontimit të municioneve në kushte teknike sa më moderne dhe të sigurta kemi kërkuar ndihmën edhe të NAMSA-s dhe të NATO-s”, tha Imami.
#