Skandali i përgjimeve, MPB nis hetimet

Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë deklaruar të martën se autoritetet kosovare, kanë ndërmarrë veprime që të nisin hetime lidhur me skandalin e përgjimeve të zyrtareve të lartë në institucionet e vendit.
Ministri Bajram Rexhepi, ka treguar se lidhur me çështjen e disa përgjimeve që tashmë janë publikuar, janë ndërmarrë veprime për të gjetur autorët dhe detajet e tjetra të përgjimeve.
Ministri Rexhepi këto komente i bëri në komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës derisa ka folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Kosovë.
“Janë ndërmarrë veprime që të bëhen hetimet se në çfarë mënyre kanë dalë, si kanë dalë dhe natyrisht që qytetaret duket të kenë besimin konfidencën që të mos preket në privatësinë e individëve”.
“Çdo rast i cili lidhet me ndonjë veprim kriminal ose korrupsion e tjetër, duhet të jetë shumë në mënyrë precize ato mund të bëhen përgjimet dihet në çfarë mënyre, por me gjithat forma e pasimit të tyre është diçka që i tejkalon normat ligjore”, deklaroi ministri Rexhepi,raporton Radio Evropa e Lirë.
Nga ana tjetër, anëtari i këtij komisioni për punë të brendshme nga subjekti politik Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me përgjimet. Ai lidhur me përgjimet i ka drejtuar disa pyetje ministrit Rexhepi.
“A i keni ra në fije ndonjë herë se kush ju ka përgjuar ju, sepse kur ju përgjoheni si ministër i Brendshëm, kur kryeministri përgjohet, sa është i sigurt një qytetar, i cili mund të përgjohet qoftë në mënyrë të ligjshme ose të paligjshme?”.
Kurse, ministri Rexhepi lidhur me ketë pyetje u shpreh:
“Edhe gjatë veprimeve të 25 korrikut kanë qenë të përgjuar dhe tash po dëshmohen se po strukturat të caktuara, qoftë të EULEX-it ose shërbimet e tjera kanë përgjuar”.
“Ne i kemi bërë verifikimet, kemi qenë edhe me drejtorin e policisë edhe me udhëheqësin e inteligjencës dhe kemi parë se strukturat kompetente, me ligj, që janë në Vala nuk kanë bërë përgjime të tilla, dhe ata i përmbahen saktë ligjshmërisë, pra përgjimet i bëjnë vetëm me kërkesë të prokurorit ose gjykatësit. Ne nuk e kontrollojmë –menaxhojmë EULEX-in”, tha Rexhepi duke iu përgjigjur pyetjes se deputetit Selimi.
Publikimi i bisedave telefonike të përgjuara të qeveritarëve “ka përshpejtuar” dinamikën e miratimin e Ligjit për Përgjimet e Telekomunikimeve.
Një ditë më parë Qeveria e Kosovës, ka miratuar projektligjin, i cili nëse shkon në Kuvend në mënyrë të përshpejtuar, mund të miratohet brenda shtatë ditëve, në të kundërtën, mund të kalojnë edhe dy muaj deri te miratimi i tij.
Ministri Rexhepi, vonesën e miratimi të Ligjit për Përgjimet e Telekomunikimeve e ka arsyetuar për faktin që, siç tha ai, është penguar nga EULEX-i, pasi që ligji këtij misioni ia ngushton hapësirën e përgjimeve.
“Ka pasur pengesa për ketë ligji nga ana e EULEX-it, po ne e kemi paraparë që kjo është e domosdoshme që kjo të definohet dhe precizohet. Pra më nuk mund të lihet dy kuptimësi siç thuhet në një pjese të Kodit Penal që të minimizohet përgjimet tjetra por të jenë të lidhur saktë me rastin”, tha Rexhepi.
Sido që të jetë, ministrit i Brendshëm, Bajram Rexhepi, është kritikuar ashpër lidhur me veprimet e tij dhe urdhërimin e policisë për largimin e deputeteve nga oborri i qeverisë nën dyshimet se deputetët e Vetëvendosjes kanë dashur të pengojnë nënshkrimin e marrëveshjes për shitjen e distribucionit të KEK-ut.
.....
Thaçi, Ashtonit: Merrni masa ndaj shpërndarësve të përgjimeve
Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar Baroneshës Catherine Ashton dhe Komandantit të Operacioneve Civile të BE’së Hansjorg Haber, ka shprehur shqetësimin e tij për shpërndarjen e përgjimeve të EULEX’it ndaj zyrtarëve të lartë institucional.
Në letrën të cilën e ka siguruar Gazeta Express, Kryeministri kërkon që të merren masa të shpejta ndaj njerëzve që, kundërligjshëm, shpërndanë këto përgjime.
“Ne dëshirojmë të besojmë thellësisht që ky lëshim i personelit të EULEX’it është bërë pa qëllim dhe nga neglizhenca apo joprofesionalizmi i personave të kyçur në këtë proces, dhe shpresojmë që EULEX do të ndërmarrë masat përkatëse adekuate ndaj individëve të cilët janë të përfshirë në këtë proces”, thotë Kryeministri në letrën e tij.
Ai pohon se mosruajtja e materialeve të mbledhura gjatë zbatimit të procedurës hetimore dhe zbulimi i këtyre materialeve, në Republikën e Kosovës konsiderohet vepër penale e përcaktuar me Nenin 311 (Shkelja e fshehtësisë së procedurës) dhe Nenin 347 (Zbulimi i fshehtësisë zyrtare) të Kodit Penal.
Po ashtu Kryeministri dyshon nëse përgjimet janë bërë konform ligjit.
“Po ashtu, shpresojmë që në një kohë të shkurtër do të njoftohemi se procesi i përgjimit të telekomunikimit a është zhvilluar në pajtim me Kodin e Procedurës Penale (KPP) gjegjësisht Kapitullin XXIX: Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit (Nenet 256-267), në të cilin përcaktohet mënyra e kryerjes së përgjimeve të telekomunikimeve”, thuhet në letër.
“Mbrojtja e privatësisë është vlerë e njohur e demokracisë europiane dhe ndërkombëtare dhe është garantuar edhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj), me nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Nenet 21, 22, 23, 36, 41(2) dhe nenin 53), dhe Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave personale”.
Letra e Kryeministrit vjen disa ditë pasi që në internet dolën disa biseda telefonike të Adem Grabovcit me Kryeministrin Thaçi, Kadri Veselin, Vlora Çitakun dhe Sami Lushtakun.
Fillimisht Qeveria përgjimet i kishte quajtur të fabrikuara dhe shantazh publik, derisa EULEX kishte konfirmuar se përgjimet janë autentik/Indeksonline/