E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i romëve të zhdukur, edhe një leksion gazetarie

Menjëherë pasi në Greqi u rihap skandali i zhdukjes së 502 fëmijëve romë, për të cilët u urdhërua hetim nga e para, në Shqipëri lajmi u shoqërua me nervozizëm dhe shqetësim.

Disa shoqata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (fëmijëve), nuk u dukën shumë të lumtura që kjo çështje u risoll në vëmendje. Arsyet nuk janë edhe aq të vështira për t’u kuptuar; Fati i panjohur i fëmijëve tregon se asgjë nuk është bërë për ta parandaluar krimin dhe shumë pak për ta zbardhur atë.

E kuptoj disi shqetësimin e organizatave joqeveritare, sepse rihapja e kësaj teme nxjerr në dritë faktin se përpjekjet e tyre (nëse janë bërë) nuk nxorrën gjë në dritë. Janë shqetësuar se u mjaftuan me disa denoncime, por nuk siguruan fakte të pakundërshtueshme, që procesi të shkonte deri në fund, që fajtorët të gjendeshin e të merrnin ndëshkimin e duhur.

Merret vesh edhe heshtja e institucioneve të së drejtës, që kushedi ku e kanë rrasur atë dosje, për sa kohë edhe Greqia e mbuloi me pluhur të trashë.

Cfarë nuk kuptoj, janë disa kolegë të medias, të cilët duke mbështetur shqetësimin e organizatave të përfshira në këtë vorbull, tërheqin vëmendjen në mënyrë kritike për rihapjen e temës së skandalit. Ata pretendojnë se për ngjarjen në fjalë qenka shkruar me dhjetëra herë, se trazimi i ri i çështjes ka të bëjë me mungesën e kujtesës së gazetarëve, ose sepse ndërrimi i shpeshtë ua pamundëson atyre (gazetarëve) dijeninë për arkivin. 

Këto janë argumenta krejtësisht joprofesionalë, që nuk duhet t’i përdorë një media apo një gazetar, për të kritikuar ata "të tjerët" që pasqyrojnë sërish detaje nga një skandal të përmasave të tilla, ende të pazbardhur.

Si mund ta konsiderosh këtë çështje të mbyllur dhe të mos flasësh më për të, kur nga pikëpamja ligjore nuk ka as përgjegjës, as fajtorë, as bashkëpunëtorë, as fshehës të fajit?

Nuk duhet thënë më që dosja për zhdukjen misterioze të fëmijëve romë, e mbushur me prova e denoncime, u mbyll për motive të panjohura në vitin 2007 në Greqi dhe u rihap para disa ditësh? 

Eshtë e tepërt që të pasqyrohen përpjekjet e një deputeteje të majtë greke, e cila kërkon në Parlament të zbardhet çështja? Eshtë pa rëndësi fakti që ministri grek i Drejtësisë nën këtë presion dhe nën presionin ndërkombëtar, urdhëron hetimin e saj nga e para? 

Ku janë sot 502 fëmijë? Ku iu dergjen trupat ose kockat?

A nuk është kjo një pyetje që meriton një përgjigje? A nuk duhet të këmbëngulim të dimë se kush janë ata gjakprishur që përfituan para nga shfrytëzimi, apo akoma më keq nga vdekja e fëmijëve?

Si ka mundësi që mediat greke po e risjellin në vëmendje skandalin e zhdukjes së 502 fëmijëve romë nga Shqipëria, duke thënë se ata janë shitur vetëm për 500 Euro tek trafikantët, ndërsa disa simotra të tyre në vendin e orgjinës së viktimave, mjaftohen me faktin që lajmi qenka dhënë 15 vjet më parë dhe po ta ripërsërisim dikujt mund t'i prishet qejfi?

Ky qëndrim duket më së shumti si një aleancë fëmijnore kolegësh gazetarë për lajmin e munguar dhe akoma më keq, aleancë me “aktorët”, që në fakt marrin shuma të mëdha parash për të ndihmuar fëmijët e rrugës, për të denoncuar shfrytëzimin e tyre e për ta ngritur zërin deri në fund.

Por pavarësisht çdo motivi, nuk mund të justifikohet kritika për rihapjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe as hezitimi për të folur me zë të lartë, një herë, dy herë, tre herë... edhe tre qind herë po të jetë nevoja. Që nesër të mos na vrasë ndërgjegja se në një farë mënyre, me heshtjen dhe mosveprimin tonë e mbuluam fajtorin, duke i krijuar atij mundësinë të shijojë paratë e gjakut të fëmijëve fatzinj.

Më vjen keq që duhet ta mbyll me një parim fare elementar të mësimeve të gazetarisë; Një çështje nuk bëhet e vjetër, të paktën derisa e vërteta të dalë në dritë dhe ky është misioni thelbësor i medias.
(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›