E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, Bashkia: Rërën e premtoi Berisha, jo ne

Vlorë- Bashkia e Vlorës ka reguar sot përmes një konference për shtyp, duke sqaruar se marrëveshja për shitjen e rërës së bregut të Vlorës për llogari të bashkisë së Leçes në Itali është vepër e qeverisë dhe aspak e pushtetit vendor.

“Ata që e kanë shitur Vlorën, jo vetëm në qytet, por edhe më gjerë, njihen mirë nga komuniteti i Vlorës, njihen mirë nga pronarët e njohur ligjërisht nga shteti, të cilët nuk po marrin dot pronat e tyre, sikurse dhe nga organet e drejtësisë së shtetit shqiptar, që i ka objekt të çështjeve të ndryshme penale që këto organe trajtojnë”- tha gjatë një deklarate për shtyp, Arben Beqiri, shef i Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, si reagim ndaj shkrimeve të sotme në shtypin proqeveritar.

Sipas tij, historia që ka zënë vend ditët e fundit thuajse në të gjitha mediat shqiptare, të shkruara dhe vizive, dhe jo pak në Parlamentin Shqiptar, zë fill tek gazeta italiane “La Stampa” në shkrimin e së cilës, gazetari Xhuzepe Salvaxhuolio i referohet një deklarate të nënkryetares së bashkisë së Leçes, zj.Adriana Poli Bortone, se për plazhin e Leçes mund të marrim rërë nga Shqipëria.

Po zonjës Bortone, sipas tij, i referohet edhe gazetari Tom Kington i gazetës britanike “The Guardian” në shkrimin e së martës, 8 Korrik 2008, duke e cituar se “Tirana u ka ndezur atyre dritën jeshile” (Poli Bortone said she was not phased. "Brindisi won't give us sand? We'll get it from Albania," she said, adding that Tirana had already given the green light.)

Ai ka hedhur poshtë deklaratat (e gënjeshtarta, sipas tij) që flasin për nënshkrimin e marrëveshjes nga kreu i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Akuzat, sipas Beqirit bëhen vetëm për arsye politike, duke qenë se Gjika është drejtues vendor i zgjedhur nga PS-ja.

“Kjo deklaratë plotësisht politike kërkon të largojë vëmendjen e opinionit publik shqiptar dhe veçanërisht të komunitetit të Vlorës për zhvillimet në gjirin e Vlorës, me ndërtimin e veprave energjitike të kontestuara nga grupe të ndryshme interesi të tij”- tha ai, duke shtuar se bashkia e Vlorës nuk ka shprehur asnjë predispozitet, dhe për më tepër, nuk ka bërë asnjë marrëveshje me bashkinë e Leçes apo ndonjë strukturë tjetër qeverisëse, vendase apo të huaj, për shitjen e rërës së bregdetit të Vlorës, apo ndonjë marrëveshje tjetër të ngjashme me të.

Ai në emër të bashkisë është shprehur i hapur ndaj çdo lloj kontrolli apo investigimi lidhur me këtë çështje, pasi Bashkia Vlorë nuk disponon asnjë lloj dokumentacioni zyrtar për këtë çështje. “The guardian”, një gazetë prestigjioze britanike thekson qartë referencën e zonjës Bortone, kur citon se “Tirana u ka ndezur atyre dritën jeshile”, dhe gjithkush e ka të qartë se “Tirana” është qeveria aktuale dhe Kryeministri Berisha dhe jo Kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Tentativat për të komunikuar direkt me Kabinetin e Kryetarit të Bashkisë së Leçes, zotit Perrone, dhe Drejtorin e Zyrës së Shtypit të kësaj Bashkie, z.Danilio Sicialiano, sipas Beqirit kanë dështuar, pasi ata nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Por i kanë dhënë numrin personal të zonjës Bortone.

Kjo e fundit, edhe pas komunikimit përmes mesazheve, nuk u tregua e disponueshme për të komunikuar me telefon dhe për të dhënë sqarime mbi vërtetësinë ose jo të deklaratave të saj, të marra si referencë nga shtypi shqiptar për shkrimet e botuara sot.

“Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë, thotë populli, ca më pak ky dielli i verës”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›