Skandali me jetimet e Bashkise se Sarandes
Skandali i Bashkisë së Sarandës lidhur me dërgimin e vetëm 5 fëmijëve jetimë për pushime në Korfuz, ka bërë që të miturit e tjerë të Shtëpisë së Fëmijëve, ta kalojnë fundjavën në stolat e oborrit të banesës së tyre të vetme.
Në sytë e tyre dallon pesimizmi i kalimit të kohës në shoqërinë e edukatorëve, në pritje të ngrënies së drekës. Mjediset e strehëzës shtetërore të mbështetjes sociale kanë humbur këtë fundjavë edhe frekuentuesit ditorë, fëmijët e familjeve në nevojë.
Kjo sepse shërbimi aty humbi besueshmërinë pas skandalit me listat e kampit drejt Korfuzit, ku ishin vetëm 5 fëmijë jetimë, 9 fëmijë nga 129 familjet që marrin ndihmë ekonomike dhe fëmijët e tjerë, një pjesë nga qendra kulturore dhe administrata e bashkisë si dhe sipërmarrësit e qytetit. Në grup kanë qenë edhe femijët e vetë këshilltarëve si dhe nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Specialist për fëmijët në Bashkinë Sarandë është mbesa e kryetarit të bashkisë, Stefan Çipa .
Meto Nelaj këshilltar dhe Ilir Nikolla kryetar i Këshillit Bashkiak pohojnë të indinjuar se ky skandal po tregon joseriozitet në shërbimin ndaj shtresave në nevojë dhe mungesë kriteresh në përzgjedhjen e grupit.
Kampi i fëmijëve me të mitur 10 deri 14 vjeç nga Saranda i ka fëmijët edhe 16 e 17 vjeç këtë vit, pasi nuk kishte kritere përzgjedhjeje nga zoti Çipa, i cili u le dhuratë në ambientet ku luajnë edhe një spirancë të ndryshkur historike, të cilën e bleu me paratë e bashkisë nga peshkatarët.
Ftesa e kryetarit të Bashkisë Korfuz për pjesëmarrjen e fëmijëve nga Saranda ishte për 20 deri 25 fëmijë nga 8 gusht deri 18 dhe jo 43 pjesëmarrës. Çdo vit nga qyteti bregdetar ftohen të gjithë fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës dhe edukatorët e kësaj shtëpie, nga fqinjet greke si një mundësi më e mirë njohjeje dhe këmbimi kulturash. Kampi i fëmijëve organizohet në ishullin Vido nga Bashkia e Korfuzi e cila ka 7 vjet binjakëzim zyrtar me Bashkinë e Sarandës.