Skandali me mikrokreditë, Manja: S’janë 120 mijë shqiptarë të mashtruar, përmbaruesve u kemi hequr licencat

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka folur në Kuvend për skandalin e institucioneve financiare jo bankare siç janë mikrokreditë që kanë mashtruar një sërë qytetarësh shqiptarë.
Megjithëse opozita ka pretenduar se janë rreth 120 mijë qytetarë shqiptarë që janë mashtruar nga mikrokreditë, Manja tha se kjo është një shifër e ekzagjeruar dhe nuk qëndron.
“Sot nuk është momenti që t’i bëhet gjyqi Bankës së Shqipërisë apo t’i bëhet gjyqi Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me shërbimin përmbarimor privat.
A ekziston fenomeni? Po ekziston fenomeni, po janë 120 mijë qytetarë të mashtruar? Po jo ore se çirret deputeti Shehaj këtu qenkan 120 mijë qytetarë në skemat e mikrokredive. Absolutisht jo!”, u shpreh Manja teksa në Kuvend diskutohet mbi veprimtarinë vjetore të Bankës së Shqipërisë.
Manja solli edhe numrin e ankesave që janë bërë nga qytetarët kundrejt mikrokredive dhe që janë depozituar në Bankën e Shqipërisë dhe në Ministrinë e Drejtësisë.
“Dy fakte po ju jap, 85 ankesa ka administruar Banka e Shqipërisë dhe për 3 vjet Ministria e Drejtësisë ka marrë 700 ankesa në lidhje me këta përmbarues që sot janë denoncuar.
Ndërsa mbi 95 për qind e kredimarrësve janë qytetarë të rregullt që kanë paguar këstet e kredisë dhe që kanë zgjidhur hallet e veta sepse kanë marrë kredi në institucione financiare jo bankare që nuk mbulohen ose nuk kanë interes bankat e nivelit të dytë.
Por nuk mund të themi këtu që qenkan të mashtruar 120 mijë qytetarë. Duhet të jemi të përmbajtur në këtë drejtim dhe mund të spekulohet lehtësisht”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë shpjegoi se më 30 maj të këtij viti ai ka kallëzuar penalisht 12 përmbarues privat së bashku me administratorët e tyre.
Manja vuri në dukje se këtyre përmbaruesve iu është hequr licencave dhe të tjerë janë pezulluar apo janë në proces të heqjes së licencës.
“Më datë 30 maj i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kallëzim penal për kryerjen e veprave penale për mashtrim, përvetësim të titullit apo të detyrës shtetërore, shpërdorim detyre, fshehje të ardhurave, pastrimi i produkteve i veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Janë 12 përmbarues privat të kallëzuar prej meje, janë dy shoqëri mikrokredie MCA dhe FINALI, administratorët e këtyre shoqërive, dhe shoqëritë si persona juridikë. Është kallëzuar për ndjekje penale një notere dhe një kompani përmbarimore.
Ky grup përmbaruesish që u janë hequr licencat, 4 nga këta përmbarues privat që janë edhe bashkëpunëtorë në këto skema mashtrimi në dyshimet që kemi ne u janë hequr përfundimisht licencat, 6 të tjerë u është pezulluar, 9 të tjerë janë në proces heqje të licencave”, shpjegoi Manja.
/rtsh.al/