E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përpjekja konkrete kundër imunitetit!

Kjo çështje është një nga kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian në grupin e 12 kritereve si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Gjatë ditës së sotme, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste zhvilluan mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit, mbledhje e shoqëruar me jo pak debate midis palëve, që në fund u përmbyll me përzgjedhjen e dy relatorëve për të hartuar draftin përfundimtar, përkatësisht Pandeli Majko dhe Edi Paloka.

Ndërkohë, u vendos që mbledhja e radhës të zhvillohet të shtunën në orën 10:00 me thirrjen e grupeve të interesit. Në mbledhje u vendos që të thirren ekspertë ndërkombëtarë të misioneve evropiane në Tiranë; me konstitucionalistë të fushës, si Aurela Anastasi, Genti Brahimi, etj; me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj; me anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ariana Fullani, Arian Nuni; me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, etj.  Kësaj liste deputeti i opozitës, Majko, kërkoi t'i shtohen edhe emrat e konstitucionalistëve të njohur si Kristaq Traja, Perikli Zaharia dhe Krenar Loloçi.

Mazhoranca dhe opozita janë dakord në parim për heqjen e imunitetit, por ndahen në disa pika midis tyre. Gjatë fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se Partia Socialiste kërkon ndryshimin e pesë kapitujve të Kushtetutës, çështje që sipas saj, tejkalojnë imunitetin.

"Është një arsye e fortë, është një arsye e përsëritur e shkruar prej 10 vitesh në zyrat e Kuvendit brenda këtij institucioni. Sot është momenti që të mos shpikim kushte, pretekste për të mos bërë atë që jemi impenjuar prej 10 vitesh. Nëse trajtimin e bëni duke shpifur është e drejta juaj, mua më duket bllokim, një arsye e gjetur jo e besueshme për të mos votuar sot heqjen e imunitetit, në sytë e shqiptarëve. Një iniciativë e PS për ndryshimet kushtetuese të cilat në fakt janë përtej imunitetit. Megjithatë secili ka të drejtën që të përcjellin dhe të bëjnë paraqitjen e iniciativave kështu që do mendoja që të fillojmë nga grupi i mazhorancës", tha Topalli.

Ajo shtoi se opozita ka frikë nga heqja e imuniteti, teksa u shpreh se mazhoranca është e hapur në këtë drejtim. “Justifikime, ju nuk doni ta votoni heqjen e imunitetit. Ne nuk kemi asnjë arsye më shumë se çdo deputet në botë që të mbajmë imunitetin. Ne si mazhorancë jemi për variantin e PACA dhe EURALIS. Unë nuk kam frikë po të hiqet imuniteti. Ju po e bllokoni sërish heqjen e imunitetit. Unë dua të jem para ligjit e barabartë me çdo qytetar tjetër. S’kam frikë të më përgjosh, të më hetosh për korrupsion”, tha ajo.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se për opozitën është i rëndësishëm procesi dhe jo data.  "Ju nuk keni të drejtën të na anatemoni, të na privoni, të na rrëzoni këtu nismën tonë. Nuk votohet sot, po të votohet sot, po, të gjithë janë dakord, të ngremë dorën. Për ju është e rëndësishme data, për mua nuk është data, është filozofia, por ama një proces serioz nuk është dhe nuk mund të bëjmë ajo që ne e kemi quajtur një andrim sot, një andrim nesër, jo", tha Ruçi.

Deputeti Fatmir Xhafaj, tha se procesit duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë dhe procesi të jetë gjithëpërfshirës. “Në realitetin shqiptar ka një qëndrim të përbashkët: të rishitet ligji i imunitetit dhe të bëhet kufizimi i tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit. Situata aktuale e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë e imponon një hap të tillë. Nëse keni realisht vullnet politik, duhet t’ia kursejmë kohën vetes. Ju tashmë keni reflektuar dhe keni ardhur tek varianti kushtetues. Në parim ne jemi dakord me propozimin e bërë nga EURALUS dhe PACA”, tha ai. Ndryshimet kushtetuese për ligjin në fjalë janë parashikuar të bëhen në seancën parlamentare të 6 gushtit. Nëse deri atëherë nuk do të jetë gjendur një konsensus, atëherë puna do të rinisë sërish në sesionin e ri parlamentar.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-07-20 14:34
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›