Alert francez: Shqipëria është në formë, përmbysi Malin e Zi!
Shqipëria ka arritur të triumfojë kundër një ekipi, si Mali i Zi, në pozita kryesuese në grupin e vet kualifikues për Euro 2012, por ka ruajtur pozitat lakmuese në renditjen e FIFA-s, ku mban vendin e 17-të, jo shumë larg Francës, në vendin e 15-të
Ndeshjet miqësore u shërbejnë skuadrave për të parë vetveten para një testi gjeneral zyrtar, japin indikacione orientuese për trajnerët respektivë, por e bëjnë këtë edhe për kundërshtarët, që presin te dera. Në këtë lloj marrëdhënieje ka hyrë tashmë edhe dueli eliminator Shqipëri-Francë, që do të luhet në ndërkombëtarin tonë Qemal Stafa, më 2 shtator. Kuptohet, Shqipëria, duke pasur një kombëtare të konsideruar të vogël, duhet ti bëjë mirë llogaritë për një ballafaqim me Francën.
Deri këtu nuk ka asgjë për tu çuditur, as që trajneri Kuzhe nuk bëri eksperimente të rinjsh ndaj Malit të Zi, në funksion të përgatitjes së gjithanshme që duhet për sfidën e radhës zyrtare, por që francezët të flasin e të shkruajnë para dhe pas miqësores së tyre të së mërkurës me Kilin për kuqezinjtë tanë, kjo përbën lajm.
Një ditë para miqësores, që gjelat zhvilluan në Montpelier, prestigjiozja franceze LEquipe hapej me titullin e madh Koka nga Shqipëria, ndërsa dje çdo gjë peshohej në raport me kualifikuesen e 2 shtatorit në Tiranë.
Ajo që në pamje të parë të bën përshtypje, por megjithatë është pjesë e kulturës së një kombëtareje profesioniste, si Franca, ku nënvlerësimi sportiv për askënd nuk duhet të ekzistojë, është vëmendja e madhe e bluve karshi kombëtares sonë.
Shtypi i këtij vendi i ka kushtuar hapësirë jo të vogël miqësores së Loro Boriçit, që kuqezinjtë tanë e fituan 3-2 ndaj Malit të Zi, duke vlerësuar veçanërisht përmbysjen e rezultatit në favorin tonë, çka tregon karakter dhe formë optimal sportive të kuqezinjve. Gjithnjë sipas francezëve, me të cilët do të ballafaqohemi në Tiranë, fillimin e muajit tjetër.
Mjafton të lexosh disa radhë të LEquipe të ditës së djeshme, për të kuptuar rëndësinë e madhe që i kushtojnë francezët përballjes me Shqipërinë, sikurse vlerësojnë me nota pozitive performancën e kuqezinjve në miqësoren e fundit.
Madje revista e njohur sportive në Francë i bën thirrje trajnerit Blank dhe të tijve: Kujdes, Shqipëria është në formë. Më tej vazhdon: Miqësorja me Kilin shërbeu si përgatitore për eliminatoren e 2 shtatorit në Tiranë, me Shqipërinë.
Francë-Kili përfundoi në një barazim 1-1, të mërkurën, por blutë nuk kanë bindur plotësisht. Kombëtarja e Francës, e cila u mbajt nën kontroll nga Kili (1-1), nuk duhet të jetë shumë e sigurt për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Euro 2012.
Kundërshtari i ardhshëm: Shqipëria, 2 shtator, ndeshja luhet në Tiranë, para kthimit të vizitës më 8 tetor, në Stade de France, përbën një rrezik potencial për ne. Natën e së mërkurës shqiptarët fituan me përmbysje miqësoren kundër Malit të Zi (3-2), në sajë të golave të realizuar nga Bogdani, Hyka dhe Salihi, përkundër dopietës së lojtarit të Mançester Sitit, Saviç.
Një sinjal i fortë ky për Francën, sepse Shqipëria ka arritur të triumfojë kundër një ekipi, si Mali i Zi, i cili është në pozita kryesuese në grupin e vet kualifikues për Euro 2012, por ka ruajtur pozitat lakmuese në renditjen e FIFA-s, ku mban vendin e 17-të, jo shumë larg prapa Francës, në vendin e 15-të.
13
Pikë ka Franca në Grupin D kualifikues, ku bën pjesë edhe Shqipëria, pas 6 eliminatoreve. Blutë kryesojnë të parët, të ndjekur nga bjellorusët, me një pikë më pak
8
Pikë kanë kuqezinjtë tanë në grupin D kualifikues, ndërsa kanë luajtur po aq ndeshje sa francezët, kundërshtari ynë i radhës, më 2 shtator, 6 eliminatore
Agonit Sallaj ëndërron të luajë me Shqipërinë kundër Zvicrës
Agonit Sallaj, Imran Bunjaku dhe Mërgim Brahimi, për të tre këta lojtarë janë përshpejtuar procedurat për pajisjen me pasaportë
Mbrojtësi kosovar Agonit Sallaj ëndërron të luajë për Shqipërinë kundër Zvicrës, në ndeshjet eliminatore për Botërorin 2014. Sallaj, 19-vjeçar, që luan në kategorinë e dytë të Zvicrës, për skuadrën Biel-Bienne, ka një ndeshje me Shqipërinë, në miqësoren me Argjentinën, të zhvilluar në fund të qershorit.
“Unë ëndërroj të përballem me Zvicrën si pjesë e kombëtares së Shqipërisë,” – ka thënë Sallaj, shkruan “Journaldujura.ch”. Shqipëria dhe Zvicra gjenden në Grupin E të eliminatoreve për Botërorin “Brazil 2014″, së bashku me Slloveninë, Norvegjinë, Qipron dhe Islandën.
Pasaportë shqiptare – Tre futbollistë të rinj me origjinë nga Kosova, që luajnë në kampionatin zviceran, mbeten prioriteti i FSHF-së për ti pajisur me pasaportë shqiptare.
Ata janë Agonit Sallaj (Nojshatëll Ksamaks), Imran Bunjaku dhe Mërgim Brahimi (Grasshoper). Për të tre këta lojtarë janë përshpejtuar procedurat për pajisjen me pasaportë dhe pritet që brenda një kohë të shkurtër ata të vihen në dispozicion të U-21 dhe më pas të kombëtares së madhe.
Këta tre futbollistë mbeten prioritet i FSHF për ti pajisur me pasaportë. Ne po i marrim të gjitha masat për të plotësuar të gjithë dokumentacionin që na është kërkuar nga Presidenca që brenda një kohë të shkurtër të tre këta futbollistë të marrin pasaportën shqiptare, – është shprehur Besnik Çela, zëvendësekretar i përgjithshëm i FSHF-së.
REPORTAZH
Duke parë Itali-Spanjë, ku futbolli të mrekullon
Nga Xhevdet ZEKAJ
Midis tri dilemash, për të parë një ndeshje luksi futbolli, edhe pse miqësore, asaj Gjermani-Brazil, Itali-Spanjë, por edhe Shqipëri-Mali i Zi, ku luante skuadra e zemrës, kombëtarja jonë, idhujt tanë, vendosa të udhëtoja drejt Barit, për të parë fqinjin tonë të përtej Adriatikut me kampionët e Botës dhe të Europës në fuqi, Spanjën. Mes të cilëve doja të ndiqja nga afër disa nga kampionët e shumëfishtë të Barçës.
Me të zbritur nga trageti bëra një xhiro të gjatë në Lungomare, hyra në disa lokale, për të pirë ndonjë kafe para ndeshjes, ku takova shumë shqiptarë, ose të punësuar aty në Bari, ose që kishin ardhur nga qytete të tjera të Italisë për të parë këtë miqësore luksi.
Me gazetën Sporti Shqiptar në dorë, të cilën e kisha marrë që nga Durrësi, kur hipa në traget, iu bashkangjita një grupi fansash spanjollë, rreth 200 vetë, që këndonin, festonin, gëzonin, veshur me kostum të kombëtares së tyre, por edhe qeshnin e bënin romuze me fansat italianë, që i provokonin sistematikisht, madje me një italishte të rëndë. Shpotitë nga italianët, që tani ishin bërë më të shumtë, nuk harronin të evidentonin se ishin 4 herë kampionë të Botës, çka e bënte këtë betejë shumë më të zjarrtë.
Dhe nën efektet e birrës e vapës së madhe, adrenalina krijonte një atmosferë gati shpërthyese, por përvoja, organizimi, prezenca e policisë dhe kultura sportive, ishin faktorë, që e kthenin tensionin në festë. Pas një të ngrëne në një restorant plot me spanjollë, u afrova tek stadiumi San Nicola di Bari rreth orës 19.00, për të bërë një prenotim falas tek media.
Nuk qe e lehtë, madje vështirësia bëhej shumë më e madhe kur të kërkonin një kartë AIPS, për të cilën mu desh më shumë se gjysmë ore tua shpjegoja përse nuk e kam, por më së fundi, pasi u tregova në internet Sporti Shqiptar online dhe shkrimet e mia në atë faqe, si dhe një gazet