E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela fiton derbin shqiptar në Bundesliga

Energie Cottbus i Ervin Skelës ka befasuar për të mirë duke mposhtur para publikut të saj Hannoverin e Altin Lalës në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Bundesligës të zhvilluar të premtën. Fitorja e thellë me rezultatin 5-1 ka treguar se Cottbus nuk është dorëzuar dhe se do të kërkojë mbijetesën në kategorine elite të futbollit gjerman. Ervin Skela ka qenë protagonist në golin e parë të ndeshjes pasi në minutën e 12-ë Bassila ka shënuar me kokë pas gjuajtje nga këndi të ekzekutuar nga fantazisti shqiptar.
Që të dy fubollistët e kombëtares shqiptare e kanë filluar ndeshjen si titullarë. Lala që mendohej se mund të mungonte tek Hannnover në momentet e fundit është vendosur që ai të aktivizohet. Kapiteni i kombëtares shqiptare ka qëndruar në fushë vetëm në pjesën e parë kur edhe është ndëshkuar me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të palejueshme, ndërsa pas pushimit i ka lënë vendin sulmuesit Hashemian. Ervin Skela ka dalë nga loja vetëm në minutën e 89-të të ndeshjes.
Me këtë fitore skuadra e Cottbus e sheh veen për herë të parë në këtë sezon në një pozicion jashtë rrezikut për rënie nga kategoria, të paktën për 24 orë, pasi aktualisht renditet në vendin e 15-të me 15 pikë të mbledhura. Hannover në anën tjetër mbetet në vendin e pestë me 27 pikë në 17 ndeshje.
Shqiptari tjetër i Bundesligës, sulmuesi Edmond Kapllani dhe Karlsruhe e tij do të luajnë të shtunën me fillim orej orës 15:30 kundër Hamburgut. Sulmuesi shqiptar nuk parashikohet të aktivizohet si titular në këtë ndeshje pasi trajneri Edmund Becker i ka besuar dyshes së sulmit Iashvili – Freis për këtë ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›