Skema Kombëtare e Investimeve, Kuçi për ATSH-në: Nënshkruhen kontratat e para, financojmë 360 aplikime me 1,2 miliardë lekë

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural përmes Skemës Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 do të financojë 360 kërkesa të kualifikuara për subvencion, me një vlerë totale të kërkesës prej 1,2 miliardë lekë.
Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Ardita Kuçi, bëri të ditur për ATSH-në, se “procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 përfundoi më 8 nëntor 2024, duke regjistruar gjithsej 404 kërkesa aplikimi të fermerëve dhe subjekteve”.
Kuçi tha se, “nga totali i aplikimeve, 360 kërkesa janë të pranuara për subvencion, me një vlerë totale të kërkesës prej 1,2 miliardë lekë”.
Ajo shpjegoi se, pas përfundimit të fazës administrative, aktualisht po vazhdon kontrolli në terren për verifikimin e aplikimeve para lidhjes së kontratave. Ndërkohë që janë nënshkruar kontratat e para dhe ka nisur procesi i disbursimit të fondeve për fermerët.
Fermerët kanë treguar një interes të shtuar aplikimesh në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi.
“Nga aplikimet e pranuara, kërkesat më të mëdha për investime kanë ardhur për mekanizimin e fermave, me 305 aplikime, si dhe për investimet në ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimentet për rritjen e shpendëve, me 49 aplikime. Ndërkohë, masat për serrat diellore dhe akuakulturën kanë shfaqur një interes më të kufizuar. Po ashtu, rajonet me kërkesën më të madhe për këtë skemë janë Fieri, Vlora dhe Korça, të cilat kanë regjistruar numrin më të lartë të aplikimeve, duke reflektuar interesin e lartë të fermerëve për mbështetje në këto zona me tradita bujqësore dhe blegtorale”, u shpreh Koçi.
Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi, një iniciativë e re e qeverisë shqiptare në mbështetje të fermerëve dhe sektorit rural që nisi vitin e kaluar, ka në dispozicion një fond prej 1,5 miliardë lekë me shtrirje dyvjeçare. Ku 500 milionë lekë janë për vitin e parë dhe do të disbursohen në formën e grantit deri në 50% të vlerës së investimit, veçanërisht në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Kuçi tha se, 30% e totalit të grantit do të jepet në fillim si parapagim.
Sipas saj, ky fakt i lehtëson fermerët që të kenë financim paraprakisht dhe në përfundim të projektit të marrin pjesën e mbetur të financimit.
Drejtoresha e AZHBR-së u shpreh se “kjo mbështetje financiare është një hap i rëndësishëm për modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke siguruar mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të kushteve të punës për fermerët në rajonet me potencial të lartë prodhimi”.

/j.p/r.e/