E Diel, 1 Nëntor 2026

Skemat e qeverisë së reNga TemaNë këto ditë të nxehta vere, Sali Berisha do të duhet të ravijëzojë një kabinet të ri qeveritar, por ndryshe nga vera e katër viteve më parë, aleatët përcaktues për krijimin e qeverisë kanë ndryshuar dhe bashkë me ta ka

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Skemat e qeverisë së reNga Tema

Në këto ditë të nxehta vere, Sali Berisha do të duhet të ravijëzojë një kabinet të ri qeveritar, por ndryshe nga vera e katër viteve më parë, aleatët përcaktues për krijimin e qeverisë kanë ndryshuar dhe bashkë me ta kanë ndryshuar edhe kërkesat për ndarjen e tortës së pushtetit.

Tani, Sali Berishës nuk i duhet më të ndajë nga 1 ministri për 5 aleatët e dikurshëm të koalicionit, por i duhet të bëjë llogaritë për ndarjen e tortës së pushtetit me Ilir Metën, i cili po rikthehet në pushtet pas 5 vjetësh e gjysmë në opozitë me Berishën, por edhe me të tijtë.

Megjithëse ende nuk është e qartë, nëse kryeministri Berisha do të mbajë të njëjtin numër ministrash, 14, një numër që deri më sot ka përfaqësuar parimin e qeverisë së vogël dhe në dietë, mund të lindë nevoja, që për të kënaqur të gjithë, numri i ministrive të rritet.

E sigurt është se Ilir Meta nuk ka bërë kërkesa modeste. Çka do të thotë se vendet që ai ka kërkuar në qeveri përputhen me numrin e deputetëve të tij, 4 portofole ministrore plus kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë.

Shumë për përqindjen kombëtare të LSI, rreth 5 për qind të votave të shqiptarëve. Por mjaftueshëm për një parti që i jep kryeministrit Berisha mundësinë për të qeverisur në komoditetin e mazhorancës parlamentare.

Nga bisedimet mes Berishës dhe Metës nuk është bërë asgjë zyrtare, por bashkëpunëtorë të tyre kanë nisur të pëshpëritin në publik kërkesat e LSI, që synon të ketë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, portofol që gjithnjë e ka mbajtur Partia Demokratike, pavarësisht ndryshimeve të kabinetit në 4 vjet; Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, që gjithashtu e ka mbajtur Partia Demokratike. Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, dhe ky një dikaster që jo vetëm e ka mbajtur PD në 4 vjet, por që nuk ndërroi asnjëherë ministrin e saj, Genc Ruli.

Sipas burimeve nga LSI, zgjidhja mund të gjendet me ndarjen e kësaj ministrie. Dikasteri tjetër që kërkon Ilir Meta është Ministria e Shëndetësisë, dikaster me një historik të trazuar politik, që në tre vitet e fundit është drejtuar një herë nga demokristianët dhe në fund nga republikanët.

Nuk dihet, nëse kryeministri Berisha ka marrë një vendim për këto portofole ministrore që kërkon Ilir Meta. Por, politikisht dhe mediatikisht, ajo çka tërheq edhe më shumë vëmendjen është pozicionimi i vetë Ilir Metës në bashkëqeverisjen me Sali Berishën. Zëra të besueshëm nga të dyja palët flasin rreth synimit të Ilir Metës për të marrë kreun e Kuvendit të Shqipërisë, duke zëvendësuar kështu Jozefina Topallin, nënkryetaren e Partisë Demokratike.

Të njëjtët njerëz, duke analizuar edhe profilin politik të nënkryetares së Partisë Demokratike, besojnë se zonja Topalli mund të marrë postin e ministrit të Jashtëm, për të cilin u përfol edhe 4 vjet më parë.

Në një analizë tjetër, Jozefina Topalli, shikohet si kryetare e grupit më të madh parlamentar, që duhet të jetë gjithnjë nën kontroll dhe i konsoliduar. Kjo, jo vetëm për shkak të rrethanave të reja politike, kur përballë është një opozite solide dhe mazhoranca është krijuar me një aleat jo të natyrshëm të së djathtës.

Në këtë skemë politike brenda partisë në pushtet, që bëhet me më shumë të panjohura, nëse Lulzim Basha është menduar të projektohet në parti, duke mos u përfshire në qeveri, zotit Berisha i duhet të negociojë edhe me një aleat tjetër, Partinë Republikane.

Me një deputet në Kuvend, kryetarin Fatmir Mediu, republikanët kanë kërkesat e tyre. Aleatët e djathtë kanë synimin të marrin 2 ministri, ku janë të hapur të negociojnë, ose Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dikur e demokratëve të reformuar të Genc Pollos, tani të shkrirë me Partinë Demokratike; ose Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që për 4 vjet edhe kjo u drejtua nga aleati Lufter Xhuveli; si dhe janë të vendosur për Ministrinë e Integrimit, që për 4 vjet u drejtua vetëm nga Partia Demokratike, por që tani kërkohet nga vetë kryetari Fatmir Mediu.

Me numrin 14 të ministrive, pa llogaritur zëvendëskryeministrin dhe kur të paktën gjysmën e portofoleve e kërkojnë aleatët, vendimet e kryeministrit Berisha nuk pritet të jenë të lehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›