Skemë pastrimi parash, Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e 200 mijë eurove në llogari bankare

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Prokuroria e Tiranës kërkon sekuestrimin e llogarive bankare të shtetasit D.Ll, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të parave”.
Në një njoftim për mediet, Prokuroria bëri të ditur se nga llogaritë bankare janë kryer 17 transferta në vlerë rreth 200.000 euro, të cilat dyshohet se ishin pjesë e një skeme të pastrimit të parave.
“Nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është marrë informacioni se shtetasi D.Ll, përgjatë periudhës Janar 2021-Prill 2024, rezulton të ketë përfituar 17 transferta, në vlerën totale 159,983 GBP, nga persona të ndryshëm. Një ndër personat që kanë kryer transferta bankare janë kryer nga një shtetas i huaj, i cili deklarohet si shok i djalit të shtetasit D.Ll., i cili dyshohet se në vitin 2022 është hetuar në Angli për përdorimin e personave të tretë përmes kërcënimin me dyshimet për pastrim parash”, njoftoi Prokuroria.
Bazuar në informacionet e mësipërme Prokuroria pranë Gjykatës të Shkallës të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.3308 për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal dhe ndodhur përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që kjo shumë monetare, e cila dyshohet si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohet apo të fshihet, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit të llogarive bankare”. /a.f/