E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenarët e mundshëm për krijimin e qeverisë pas zgjedhjeve

Alternativat për krijimin e aleancave të mundshme qeverisëse. Mundësitë për krijimin e koalicionit PD-LSI, PD-PS apo qeveri teknike

Ende pa u shpallur rezultatet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë filluar negociatat për krijimin e aleancave të mundshme, të cilat sigurojnë kuorumin kushtetues për krijimin e qeverisë së re. Raporti bllokues me 70 mandate të ndara majtas dhe 70 të tjera të ndara djathtas ka ngritur disa opsione për krijimin e koalicioneve paszgjedhore. Ndonëse kanë mbetur pa u numëruar disa nga qendrat e votimeve të qarqeve të Fierit dhe Beratit, si dhe kur nuk ka nisur ende procesi i ankimimeve dhe apelimeve, janë hedhur disa ide për koalicione të mundshme pas zgjedhjeve mes partive me protagonistë Berishën, Ramën dhe Metën. Megjithatë, ekziston mundësia që e djathta të sigurojë 70 + 1 mandate, pasi PD-ja pretendon për një mandat tjetër të partisë së koalicionit në Fier, zonë e cila mbetet çelësi kyç për të caktuar fituesin e zgjedhjeve. Gazeta po sjell disa nga skenarët më klasikë për zgjidhjen e situatës duke iu referuar skemës aktuale të barazisë së mandateve mes dy krahëve të politikës.
Qeveri me mandate të trafikuara
Opsioni më i përfolur, sidomos nëpër kafenetë e politikës, është ai i krijimit të një qeverie me mandate të trafikuara, apo ashtu siç e kanë quajtur mediat ndërkombëtare, “horse – trading”. Zanafilla e kësaj skeme nisi që në momentin kur kandidati për deputet i LSI-së, pikërisht ditën e zgjedhjeve, deklaroi votën e tij pro Berishës dhe kundër kreut socialist, Edi Rama. Kjo deklaratë u bë në emrin e tij personal, gjë që publikisht dhe zyrtarisht u deklarua edhe nga LSI-ja. Petrit Vasili, një nga zyrtarët e lartë të kësaj partie, tha se deklaratat e zotit Prifti kanë qenë personale, por nuk mohoi faktin se ka një kërkesë nga zoti Berisha për të bërë një aleancë paszgjedhore. Burime jozyrtare flasin edhe për disa emra të tjerë deputetësh brenda vetë PS-së që mund të “shiten” tek e djathta vetëm e vetëm që të krijohet një qeveri me më shumë se 71 mandate.
Qeveri mes PD-së dhe LSI-së
Skenari që duket më i mundshëm është ai i krijimit të një qeverie mes koalicionit “Aleanca e ndryshimit”, e kryesuar nga PD-ja, që ka 70 mandate, me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ky grupim siguron të paktën 74 vota dhe mund të qeverisë vendin me jo pak vështirësi për shkak të votave që kërkohen në Kuvend për kalimin e projektligjeve të rëndësishme, si ato për Gjyqësorin etj. Vetë zoti Berisha, në mbledhjen e fundit të qeverisë, tha se “natyrisht, koalicioni do të zgjerohet”, por pa përmendur emra subjektesh politike. Mbase oferta i ka shkuar LSI-së nga zoti Berisha, gjë që u duk dhe me mbledhjen e fundit të Kryesisë së LSI-së dy ditë më parë, e cila më pas doli me deklaratën se “fillimisht duhet të mbarojë procesi i numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve”.
Modeli gjerman i qeverisjes
Një tjetër skenar i mundshëm është ai i krijimit të një qeverie me bazë të gjerë mes dy forcave të mëdha politike, PD-së dhe PS-së. Ky opsion duket i vështirë për t’u besuar, por për momentin në të cilën ndodhemi ky koalicion mund të kërkohet nga ndërkombëtarët. Raporti i mandateve 70-70 konsiderohet si piku i vdekjes për prodhimin e institucioneve të reja dhe nëse nuk arrihet shpejt një kompromis politik mes palëve, mund të krijohen tensione dhe pasiguri në vend. Kësaj i shtohet edhe presioni i komunitetit të biznesit, që është i interesuar për një qeveri në një kohë sa më të shpejtë për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në vend dhe mbarë botën. Një qeveri e tillë do të shërbente edhe si një shembull i mirë për të shuar mosmarrëveshjet dhe tensionet gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve, si dhe për të vazhduar më tej axhendën për integrimin europian të Shqipërisë. Praktikisht kjo mund të garantonte liberalizimin e vizave apo dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE deri në tetor të këtij viti. Gjithsesi, ky duket skenari më i pabesueshëm, jo për shkak të rezultateve pozitive që mund të prodhonte, por edhe për shkak të konflikteve dhe protagonizmit ekstrem që ekziston mes zotit Berisha dhe zotit Rama.
Qeveri teknike
Një tjetër skenar që ekziston është ai i krijimit të një qeverie teknike deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, të cilat mund të jenë pas 6 muajsh apo 1 viti. Mbase edhe më vonë. Ky është një opsion që do të ndodhë vetëm nëse nuk arrihet formimi i një koalicioni qeverisës me 70 + 1 mandate dhe nëse palët arrijnë një kompromis që të kalojnë fazën tranzitore deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja me një qeveri teknike, ashtu siç ndodhi në fundin e vitit 1991 apo edhe në vitin 1997.
Qeveria e koalicionit
Kur nuk ka përfunduar ende numërimi duket se Fieri mund të ndryshojë skemën e raportit të krizës. Konkretisht, ajo mund të prishë raportin e deritanishëm, ku në qarkun e Fierit, PS-ja ka 9 mandate, PD-ja 6 mandate dhe LSI-ja 1 mandat. Mandati i pretenduar është për Partinë për Demokraci dhe Integrim e komunitetit çam, e cila ia heq mandatin socialistëve. Por, ndonëse nuk ka përfunduar procesi i numërimit dhe animimit, PD-ja pretendon se ka fituar edhe këtë mandat të partisë së tij në koalicion, duke marrë shumicën e thjeshtë të vendeve në Kuvend.

SKENARËT
Qeveri e krijuar me partitë e koalicionit të saj

Qeveri të kryesuar nga PD-ja me mandate të trafikuara majtas dhe djathtas

Qeveri të kryesuar nga PD-ja me katër mandatet e LSI-së

Qeveri me bazë të gjerë mes PD-së dhe PS-së

Qeveri teknike deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja

Mandati i qeverisë aktuale deri më 3 shtator

Qeveria “Berisha” ka afatin kushtetues për të qeverisur vendin deri më 3 shtator, pikërisht në momentin kur do të mblidhet Parlamenti i ri. Presidenti i Republikës emëron kryeministrin e forcës që ka marrë më shumë mandate në zgjedhje. Ai nis negociatat me aleatët për krijimin e qeverisë, e cila brenda 10 ditëve duhet t’i paraqesë programin Parlamentit të vendit. Parlamenti mblidhet më 3 apo 4 shtator, pikërisht në datën kur skadon edhe mandati i Parlamentit ekzistues. Ai shqyrton dhe miraton programin dhe anëtarët e kabinetit qeveritar me një shumicë mbi 70 mandate.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›