E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSU ; Një në tre pacientë preket nga infeksionet spitalore



Një në tre pacientë që kryejnë operacione në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” preken nga infeksionet spitalore. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, prof. dr. Isuf Kalo, tha dje se në bazë të statistikave, deri në 38% e rasteve që operohen në QSUT, preken nga infeksionet. Të dhënat tregojnë se faktorët kryesorë të infeksioneve janë mungesa e infrastrukturës dhe hyrja e dalja e parekomanduar e të afërmeve të pacientëve. Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi se vitin e ardhshëm spitalet do të kenë buxhet me zëra të përcaktuar.

Studimi

Infeksionet spitalore përkeqësojnë gjendjen e të sëmurëve, madje sipas specialistëve, përcaktuesit kryesorë të infeksioneve spitalore janë infeksionet e plagëve kirurgjikale, të akseseve onoze, infeksionet respitalore dhe ato urinare. Të dhënat e fundit tregojnë për një rënie të treguesve sa u takon këtyre infeksioneve në QSUT. Studimi evidenton se pavijonet më të rrezikuara janë ato ku paraqiten të sëmurët më të rëndë, tek të cilët bien forcat imunitare dhe rritet risku për shfaqjen e infeksioneve. Faktorët e infeksioneve spitalore janë të shumtë, si ambientalë, infrastrukturorë etj. Sipas të dhënave, infeksionet spitalore përbëjnë 1/4 e shkaqeve të vdekjeve. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, deklaroi: "Në fillim të vitit 2010 do të kemi planin e detajuar, së bashku dhe me buxhetin përkatës për të pasur një përballim të përditshëm të luftës ndaj infeksioneve spitalore”.

Infeksionet

Një nga masat që do të merren është dhe përcaktimi në buxhet i një fondi që shkon për infeksionet spitalore. “Spitalet marrin një pjesë të caktuar parash, të cilën e përdorin për shumë punë, por sot ne shkojmë drejt specifikimit të buxhetit për zëra të caktuar”, - theksoi Vasili. Lidhur me përqindjen e infeksioneve spitalore, ai pohoi se kjo shkon sipas klinikave të caktuara. “Nuk ka të dhëna të sakta për përqindjen e infeksioneve spitalore në spitalet tona, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë të pjesëshme”, - tha Vasili.

Arben Gjata, kirurg i sëmundjeve tumoriale në QSUT, informoi se nga një studim i fundit i njësisë së infeksioneve kombëtare të spitalit, rezulton se ka përmirësim sa i takon përqindjes së infeksioneve, krahasuar me vite më parë. “Kanë të bëjnë me faktorët e njohjes, pasi mjekët dhe personeli duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rrezikun e infeksioneve spitalore dhe të marrin masa për shmangien e tyre. Sa më të kujdeshëm dhe të përqëndruar të jenë në këtë drejtim, aq më shumë rritet shansi që infeksionet të ulen”, - tha Gjata.

Poliklinika nr. 3

Përfundojnë punimet për rikonstruksionin

Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në përgjithësi dhe në veçanti ai i shërbimeve të kujdesit parësor, përbën sfidën me të cilën përballet sistemi shëndetësor. Kështu, dje, me rastin e përfundimit të punimeve të rikonstruksionit të poliklinikës nr. 3 në Tiranë, u organizua ceremonia e përurimit, me praninë e ministrit të Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, dhe të ambasadorit italian në Tiranë, z. Saba d’Elia. Gjithë rehabilitimi i kësaj strukture është financuar me anë të një kredie të butë të Kooperacionit për Zhvillim pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, në favor të Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare.

Kjo ndërhyrje ka pasur si objektiv të përgjithshëm përmirësimin e kushteve në të cilat ofrohet shërbimi shëndetësor, ndërsa si objektiv specifik, përmirësimin e dhënies së shërbimeve të specializuara në këtë poliklinikë, e cila ofron shërbime shëndetësore të specializuara për 1/3 e popullatës të Qarkut Tiranë, duke ndërhyrë me punime rehabilitimi fizik, impiante dhe pajisje, me synim përfitimin kështu të ambienteve funksionale higjienikisht të përshtatshme, në përputhje me normat e sigurisë për pacientët dhe punonjësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›