E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE-së evidenton progresin



Raporti i KE-së duhet të lexohet pozitivisht, ashtu siç është shkruar, pasi evidenton qartazi se zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009 i plotësuan standardet kryesore të zgjedhjeve të lira e të ndershme, një ngjarje kjo jashtëzakonisht e rëndësishme, që i jep fund kapitullit të zgjedhjeve problematike për Shqipërinë.

Kjo panoramë e plotë na jep tashmë sigurinë për marrjen e një përgjigjeje pozitive të kërkesës për anëtarësim, dhe siç citohet në raport, të gjitha shanset që Shqipëria të përfshihet në propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.

Parlamenti

Përsa u përket përgatitjeve për zgjedhjet, vihet re progres në ngritjen e infrastrukturës në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Listat e përmirësuara të votuesve u hartuan duke u bazuar në regjistrin e ri civil, duke plotësuar kështu në pjesën më të madhe këtë prioritet kyç të Partneritetit Evropian.

• Shpërndarja e kartave të identitetit, për të mundësuar votimin e qytetarëve pa pasaportë filloi në janar 2009 dhe u përmbyll në masën më të madhe.

• Ka progres të dukshëm për sa i përket identifikimit të votuesve, kuadrit ligjor, dhe votimit, por politizimi i proceseve teknike si numërimi i votave mbetet për tu adresuar në zgjedhjet e ardhshme.

• Reforma elektorale u plotësua me miratimin e Kodit Elektoral në dhjetor 2008. Rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR që nga zgjedhjet paraardhëse u përfshinë si pjesë e reformës së përgjithshme e reformës zgjedhore.

Ky raport duhet të lexohet pozitivisht, siç është shkruar, sepse evidenton që ndryshe nga të gjitha vendet e rajonit, Shqipëria ka shënuar një progres të qartë në reformat ekonomike, duke shënuar nota shumë të larta në veçanti për sa u përket politikave evropiane. Raporti vlerëson pozitivisht performancën e qeverisë shqiptare në zbatimin e MSA-së, që është marrëdhënia më e rëndësishme kontraktuale midis Shqipërisë dhe BE-së.

Raporti jep nota pozitive edhe për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe masave të marra nga qeveria në këtë drejtim. Ndryshe nga viti i kaluar dhe disa vite rresht, që fjalët e përzgjedhura për korrupsionin ishin “i përhapur gjerësisht”, në 2009 raporti i progresit e nis vlerësimin në këtë fushë “qeveria ka koordinuar më mirë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në disa fusha”. Në raport theksohet se:

• Qeveria ka ndërmarrë përpjekje më të koordinuara për luftën kundër korrupsionit në disa fusha;

• Ka filluar zbatimi i strategjisë ndër-sektoriale për luftën kundër korrupsionit, miratuar në tetor 2008 si dhe i planit të veprimit për këtë qëllim miratuar në janar 2009;

• Janë marrë masa për të eliminuar kontaktet personale ndërmjet sektorit privat dhe administratës;

• Janë marrë masa për të eliminuar burokracinë dhe thjeshtim e procedurave (prokurimet elektronike, taksat elektronike, one-stop-shop për regjistrimin e biznesit, dhënien e licencave, e-government etj.);

• Nga trembëdhjetë rekomandime te Grupi i Shteteve kundër korrupsionit të Këshillit të Evropës - GRECO, vetëm një rekomandim që ka të bëjë me financimin e partive politike mbetet për t’u adresuar. Në seancën plenare të datës 7 tetor 2009 të GRECO-s u konfirmua se vetëm një rekomandim mbetet për t’u plotësuar;

• Progres gjithashtu mund të raportohet nga rezultatet e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin;

• Progres është bërë nisur nga rezultatet e arritura nga Njësia e Përbashkët Hetimore për Krimin Financiar dhe Korrupsionin.

Një nga problematikat kryesore të evidentuara në këtë raport është “vështirësia në dialogun politik si shkak i krijimit të vonesave në sektorë kyç të reformave”, e thënë më thjesht, bojkoti i opozitës në këtë moment të rëndësishëm për integrimin e vendit mjegullon klimën politike në vend, sepse shmang debatin parlamentar.

Në një kohë kur të gjitha raportet ndërkombëtare certifikojnë standardet e zgjedhjeve të qershorit, dhe kur faktori ndërkombëtar bën thirrje të vazhdueshme që opozita të hyjë në Kuvend, bojkoti e bën qesharake në sytë e opinionit publik Partinë më të madhe të opozitës në vend duke humbur krejtësisht besueshmërinë e saj në sfida të mëvonshme elektorale. Opozita parlamentare duhet ta kuptojë se kjo është koha më e përshtatshme për t’i dhënë fund etapës së mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve nga pala humbëse në zgjedhje. Them koha më e përshtatshme, sepse nuk ka kohë tjetër. Ne raport thuhet se “axhendat partiake e eklipsuan kulturën e dialogut dhe reformat kryesore u vonuan”. Reforma në gjyqësor, procesi i liberalizimit të vizave, përmbushja e reformave kyçe, konsolidimi i demokracisë në vend dhe shtetit ligjor, kanë nevojë për pjesëmarrjen e opozitës.

Në progres-raportin e KE-së kërkohet të zgjidhet çështja e kufizimit

Në progres-raport gjithashtu kërkohet të zgjidhet çështja e kufizimit të imunitetit.

Imuniteti nuk hiqet as kufizohet në mënyrë deklamative. Le të vijë e të votojë në Parlament edhe për këtë iniciativë që e ka refuzuar ta , përndryshe, ngelet vetëm të themi që ky zotëria ka një problem të madh. Mes dy alternativave: për t’u bërë burrë shteti dhe i madh, zgjodhi të bëhet kryetar partie dhe i vogël.

Fakti që ky raport vazhdon të jetë edhe sivjet një program pune për të gjitha ministritë dhe institucionet, madje, më i detajuar se vitin e kaluar, tregon bindjen e Komisionit Evropian se qeveria punon seriozisht mbi këtë raport dhe absolutisht nuk e përdor për retorika parlamentare apo analiza të njëanshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›