Tafaj: Mbështetje mësuesve dhe rritje të numrit të nxënësve
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, zhvilloi dje një takim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme profesionale “Karl Gega”, në Tiranë.
Gjatë vizitë së tij, ministri Tafaj theksoi edhe një herë se arsimi profesional përbën një sektor parësor të programit qeveritar për arsimin shqiptar. Z. Tafaj u shpreh se pas vendimit të disa ditëve më parë të Këshillit të Ministrave, po stimulohen financiarisht me bursa të gjithë nxënësit e vitit të parë dhe po punohet edhe për krijimin e një pakete nxitëse në formë granti për t'u dhënë mundësi të reja vetëpunësimi.
Gjithashtu, Ministri Tafaj vlerësoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po punon intensivisht për modernizimin e shkollave profesionale, që ato të jenë baza të qëndrueshme të formimit teorik dhe praktik, sipas standardeve evropiane.
Duke folur për ligjin e ri të arsimit profesional, z. Tafaj garantoi nxënësit dhe mësuesit se MASH do të krijojë hapësirën e plotë që shkollat profesionale të zhvillojnë elementin e biznesit të vet, duke u mbështetur në modelet më të përparuara të arsimit profesional për ta kthyer këtë sektor në shkollim real që do t'i shërbejë tregut aktual të punës.
“Bashkëpunimi me biznesin privat për shkollat e arsimit profesional është thelbësor, - vlerësoi ministri Tafaj, - pasi mbetet ende prioritare mënyra dhe cilësia e thithjes së nxënësve nga këto biznese”.
Vendosja e rrugëve të reja të bashkëpunimit me biznesin vendas do të krijojë lehtësira punësimi, hapësira për vetëpunësim dhe njëkohësisht mundësinë për vazhdim të shkollimit të tyre të mëtejshëm në fushat e interesit.