Skenari/Rama nga Brukseli urdhëron bojkot stalinist të parlamentit
Njëri nga ligjet e fundit të përfshira tek 12 rekomandimet e BE, ai për Gjykatën e Lartë, është bllokuar në parlament, për shkak të bojkotit stalinist të deputetëve të opozitës. Edi Rama është në Bruksel për t’i vënë vetes një pudër perëndimore, por kjo s’e ka penguar të japë urdhër për bojkot, të paktën derisa të merret një vendim politik për statusin e kandidatit
I mbartur nga sesioni i kaluar parlamentar dhe i integruar disa herë në axhendën e komisioneve parlamentare gjatë sesioni të ri parlamentar, projektligji për Gjykatën e Lartë, një prej 12 rekomandimeve të Brukselit, vazhdon të mbetet peng i votave të opozitës. Mungesa e djeshme e deputetëve socialistë në diskutimin për projektligjin e Gjykatës së Lartë, zbulon njëherazi dy standardet e Edi Ramës. Nga njëra anë, ai i shet vizitën dhe takimet e tij në Bruksel, si në funksion të kontributit për marrjen e statusit kandidat për në BE të Shqipërisë dhe nga an tjetër, urdhëron deputetët e tij, të bojkotojnë diskutimin e projektligjit për Gjykatën e lartë, i cili është një kusht për marrjen e statusit kandidat, si pjesë e reformës së drejtësisë.
Sjellja me dy standarde e Edi Ramës është e përsëritur. Më se një herë, ai të tjera ka thënë në takime me ndërkombëtarët apo edhe ambasadorët dhe të tjera ka bërë, ku ka qenë puna e kontributit të opozitës, në përmbushjen e kushteve për integrimin.
Dje, komisioni i ligjeve kishte planifikuar diskutimin dhe miratimin nen për nen të ligjit, por mungesa e deputetëve socialistë bëri që projektligji të shtyhej në një seancë tjetër. Kryetari i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali e cilësoi të qëllimshëm ‘bojkotin’ e komisionit të ligjeve nga deputetët socialistë, pasi siç tha ai, kishin axhendë tjetër nga ajo e kalendarit të paracaktuar. Ndonëse axhenda ishte personale, produkti ishte kolektiv, asnjëri prej opozitarëve nuk mori pjesë në mbledhje, ndërsa kishin zgjedhur që ditën e djeshme ta kalonin nëpër ekskursione.
“Në axhendë një nga obligimet e mbetura të parlamentit në kuadër të procesit të integrimit që ishte ndryshimet në gjykatën e lartë që prisnin ti hapnin rrugë ligjit tjetër për organizimin e drejtësisë administrative, për gjykatat administrative. Me kërkesën e tyre është bërë kjo lidhje e pazgjidhshme midis dy ligjeve. Sipas kërkesës së tyre janë bërë dhe amendimet në ligjin për gjykatën e lartë. Ju i dini gjithë debatet që janë zhvilluar në këtë komision lidhur me arsyet apo justifikimet, quajeni si të doni, që deri sot kanë penguar vazhdimin e diskutimit dhe shqyrtimit të këtij ligji. Arsyeja e fundit, dhe unë për këtë jam i detyruar tu referoj juve, ishte se dje kolegët socialistë në këtë mbledhje na thanë se për fat të keq sot kur ne kishim në axhendë këtë çështje, secili prej tyre individualisht dhe i paakorduar me kolegun ngjitur kishin planifikuar axhendë tjetër personale, jo politike. Secili donte të dilte patjetër sot në ekskursion, jo ditë tjetër edhe pse koha është paksa e zymtë. U përpoqëm dje gjithë ditën që ta kapërcenim këtë lloj handikapi edhe pse askush nuk mund të pranojë dot këtë lloj arsye. Dje çështja ka shkuar në dialogun mes kryetarit të grupit parlamentar të PD e PS, janë përpjekur në diskutim dhe negociatë me njeri tjetrin ta bëjnë të mundur shqyrtimin e këtij projektligji. Nuk u referoj dot bisedën që dy personalitete të larta të politikës kanë zhvilluar me njëri- tjetrin por me shumë çiltërsi iu referoj rezultatin e kësaj bisede, siç e shikoni axhenda personale e kolegëve ishte më e fortë se axhenda e integrimit dhe sot ka zgjedhur të bëjnë ekskursion në një ditë me shi. Për këtë shkak skam zgjidhje tjetër, do të duhet të projektligjin a shtymë deri sa kolegët të kthehen nga ekskursioni”, deklaroi kreu i komisionit të ligjeve.
Pikërisht mungesa e deputetëve socialistë të opozitës shtyu diskutimin nen për nen të projektligjit “Për Gjykatën e Lartë”, pjesë e 12 rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe një nga prioritetet kryesore të axhendës parlamentare në sesionin e ri kuvendor. Pas votimit të ligjit të imunitetit me shumë sforcime dhe falë qëndrimit konsistent të kancelarive perëndimore, opozita sërish s’ka hequr dorë nga ushtrimi i praktikave që bllokojnë statusin e kandidatit në BE.
Në kushtet kur afatet kohore nuk janë premtuese për vetë kalendarin e institucioneve të Brukselit, në prag të publikimit të progres-raportit vjetor, Partia Socialiste bën një tjetër atentat kundër integrimit; shpërndan deputetët në ekskursione private dhe e detyron komisionin e ligjeve të shtyjë për një seancë tjetër diskutimet rreth ligjit të Gjykatës së Lartë, i mpakti i të cilit lidhet me funksionimin e Gjykatës Administrative si dhe përcaktimin e meritës për gjyqtarët që zgjidhen, referuar dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për kompetencat e presidentit dhe të parlamentit në këtë proces.