E Diel, 1 Nëntor 2026

Skender Gjinushi Zgjedhjet e parakohshme ilac per shoqerine tone te semure

Intervista

Si ndodhi që kaluat nga matematika, pasioni juaj i madh, në politikë?

“Shumë herët e kam ndier dëshirën dhe prirjen për matematikë. Duke nisur që nga tetëvjeçarja. Në ato kohë kishte shumë aktivitete, konkurse, olimpiada. Në to shkollat tona “11 Janari” dhe “Petro Nini” ishin gjithnjë ndër të parat. Ka qenë një e ardhme e paracaktuar, përveç një hezitimi në maturë fizikë apo matematikë. Kështu ndodhi që deri në 1987 të punoja si pedagog i matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Gjatë kësaj kohe kam pasur vetëm një ndërprerje kur shkova në Francë për doktoraturën”.

Si ndikoi te ju qëndrimi në Francë jo vetëm në pikëpamje profesionale?

“Asokohe kemi mbaruar doktoraturën në Francë një grup kolegësh. Ishte vënë re që kishim mbetur pas jo vetëm në teori, por edhe me mësimdhënien e matematikës. Meqë Shkencat e Natyrës kishin fatin që të ishin më pak të politizuara, ne patëm fatin që të shkojmë në Francë. Mbaj mend që ka qenë profesor Aleko Minga që ka thënë ndër të parët se nëse vazhdonim kështu matematika dhe arsimi ynë do të mbeteshin dhe prapambetja do të thellohej edhe më. Këtë e vura re edhe vetë. Në fillim në Francë edhe vetë e kisha zor të thosha se jam pedagog në fakultet. Qëndrimi në Francë sigurisht që ka ndikuar shumë jo vetëm në kuptimin e profesionit, por edhe të shikimit ndryshe të gjërave në përgjithësi. M’u zgjerua horizonti në përgjithësi. Atje ndiqja debatet politike, po ashtu pashë edhe se si sillen kundërshtarët politikë me njëri-tjetrin, të cilët nuk e shinin kundërshtarin si armik, por si një koleg me të cilin duhet të bashkëjetosh”.

Pastaj ministër i Arsimit…

“Ka qenë fare i papritur emërimi im si ministër i Arsimit. Sa kam dalë nga zyra ku m’u komunikua pashë që lajmi tashmë ishte i përhapur. Asokohe nuk mund të diskutoje e pranon apo s’e pranon postin. E vetmja pyetje që i kam bërë Foto Çamit ishte nëse mund të thosha edhe unë ndonjë mendim për këtë emërim apo jo. Më tha se tashmë çdo gjë ishte vendosur. Mbaj mend që njeriu i parë, që i kam thënë ka qenë Rexhep Mediani, i cili sigurisht e priti mirë këtë lajm. Më tha se ishte shumë i gëzuar se do të isha unë ai që do të drejtonte arsimin. Me shaka i kam thënë se të njëjtën gjë do të thosha edhe unë për të. Unë kisha pak muaj që isha pranuar anëtar i PPSH-së, por përgjithësisht nuk kam qenë aktiv në politikë dhe i kam pasur shumë inat mbledhjet. Në fakt, në atë kohë në qeveri erdhën disa ministra, që ishin njerëz të aftë në fushat e tyre ndryshe nga disa kohë më parë, kur njerëzit vlerësoheshin për nga besnikëria politike. Kështu që edhe unë synova të ndryshoj gjëra. Reforma në arsim kishte dy baza, e para letërsia dhe gjuha dhe e dyta matematika. Kemi punuar gjatë dhe me shumë dëshirë për këtë reformë. Në fakt, grupi i punës për modernizimin e matematikës kishte nisur punë që para meje. Fillimin e kisha të vështirë, sepse kisha një alergji ndaj zyrave dhe administratës. Ndjenja e përgjegjësisë ishte shumë e fortë, më lodhte. Unë u mundova të fus një frymë tjetër në drejtimin e punëve. Më ndihmoi edhe fryma e përgjithshme që ishte asokohe. Ramiz Alia njihej si më tolerant. Kam ngushëlluar veten që po nuk të eci puna jep dorëheqjen. Atëherë ajo kishte nisur të pranohej. Shumë shpejt perceptova që shkolla kishte mbetur mbrapa, kishte dogmatizëm dhe fshehje të realitetit. Nuk e kam pasur të lehtë sepse vetë termi modern barazohej me dekadenten. Në 1986 Dritëroi kishte bërë një kritikë për tekstet e letërsisë që u prit keq nga dogmatikët. Ne, ndër të parat, rimorëm problemin e letërsisë. Deri më atëherë i jepej më shumë rëndësi tematikës sesa cilësisë, kur duhej të ndodhte krejt e kundërta. Kështu mbizotëronin mediokrit mbi të talentuarit. Kam pasur mbështetje nga Kadareja dhe Agolli. U vendos që kriteri i vetëm të ishte cilësia. Duheshin reformuar edhe metodat e mësimdhënies. Guximi i parë ishte që u fol me terma modernizim dhe reformim, asokohe ishin ende armiqësore. Kur janë hedhur tezat e para ka pasur edhe njerëz që me dashamirësi më kanë thënë: Ore ka leje nga lart kjo punë. Hamit Beqja në KQ PPSH më ka mbështetur. Plenumi i fundit mbi arsimin ishte bërë më 1969, ai i “revolucionarizimit”, që ishte më regresivi, ku ideoligjizimi kaloi në ekstrem. U takova me Ramiz Alinë, të cilit ia prezantova reformën. Ky e pranoi. Kam përshtypjen se është ndikuar edhe nga presioni që bëhej nga jashtë për të bërë reforma dhe vetë Alisë kjo i shkonte për shtat. Fati i keq, ditën që do të mblidhej Plenumi i KQ të PPSH për ta miratuar ndodhi ngjarja e ambasadave, por gjithsesi studimet tona të asaj kohe kishin përfunduar dhe mbetën në ministri dhe janë shfrytëzuar deri vonë”.

Si ndodhi që dolët në tribunë ku u shanë njerëzit që u futën në ambasada?

“Në të vërtetë unë nuk i kam dhënë ndonjë rëndësi të madhe kësaj pune dhe nuk e di se pse merren ende me këtë ngjarje, kur atje ishte gjithë Tirana. Të mos harrojmë se ishim ende në monizëm, kështu që nuk shtrohej pyetja të shkoje apo të mos shkoje. Do të ishte ndryshe sikur të kishte ndodhur në refuzim masiv. Unë vetë as e kam ditur fare se përse bëhej mitingu. Aty dëgjova që ishte për të sharë ata. E kam thënë se ata që ishin poshtë duartrokisnin. Por pamja ishte kështu, ca  shanin dhe të tjerët duartrokisnin. Do isha ndier shumë keq sikur të më kërkohej të flisja, por kjo as m’u kërkua dhe as që do të bëja. Pak kohë më vonë, në nëntor të 1990, unë isha i vetmi që dola hapur kundër cilësimit që iu bë këtyre njerëzve nga PPSH, në një diskutim në Kuvend, ku thashë së Shqipëria duhet të ndryshojë sa më parë. Diskutimi im kishte tri shtylla: pluralizmi, ekonomia e tregut dhe lejimi i emigracionit. Këtë e bëra edhe si reagim ndaj takimit të intelektualëve me Ramiz Alinë, ku gjërat nuk u thanë në mënyrë të prerë. Kur shpjegova fenomenin e emigrimit fola për shkaqet ekonomike të kësaj ikjeje masive dëshpëruese. Madje, kam thënë se ikja në fillim do të ulë imazhin e Shqipërisë. Sepse kështu ka ndodhur edhe me kombe të tjera. Nuk kam përse të më vijë rëndë për atë miting, turp është që mitingje të tilla bëhen tani, me firma, me autobusë0, me urdhra për administratën…”.

Vijmë të protestat e studentëve. Si i mbani mend ato?

“Para se të vinte lëvizja studentore kishin ndodhur disa ngjarje që tashmë janë të njohura për të gjithë. Këto ndodhën në Shkodër, Kavajë, Tiranë. Ngjarja më e dukshme ishte ajo e ambasadave. Unë prandaj fola në Kuvend, sepse ne menduam që tashmë kishim bindjen që pluralizmi do të ishte një realitet i pashmangshëm. Tashmë nuk duhej diskutuar më po apo jo, por duhej diskutuar se në ç’formë do të arrihej deri atje. Ne prisnim që Ramizi ta deklaronte këtë edhe vetë. Asokohe nuk e kishim të qartë nëse kaq e kishte horizontin duke kërkuar zgjidhje brenda sistemit, që do të ishte një qëndrim shumë miop për kohën, apo nuk po gjente mundësinë të për të reformuar krejt shoqërinë. Kështu, që në fjalën time në Kuvend kam kërkuar plurapartitizmin, ekonominë e tregut dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Me këtë desha të linja të kuptohej se edhe në qeveri kishte njerëz që mendonin kështu dhe se kishte çështje urgjente, për të cilat duhej diskutuar hapur. Nga pikat që unë ngrita, më jehonë pati ideja e lejimit të emigracionit, sepse ishte sigurisht më e kapshme. Lëvizjen studentore e kam marrë vesh rastësisht, nga Adil Çarçani. Me sa duket ata kishin kohë që kishin informacion se çfarë po ndodhte me studentëve. Në darkë më kanë thënë që studentët kanë dalë në rrugë për të protestuar. Kam vajtur drejt e tek ata. Isha vetëm. Mbaj mend që ishte një nënoficer nga këta të depove të ushtrisë që ishin asokohe në Qytetin Studenti, i cili mundohej të qetësonte studentët. Aty ishte Azem Hajdari me megafon në dorë, i cili më tha: Shoku ministër folu se ty ta dëgjojnë fjalën. Thelbi i kërkesave që m’u tha atëherë ishte që ne mbështesim Ramiz Alinë kundër pjesës konservatore të PPSH. Ata më konsideronin si në krahun e tyre. Nganjëherë thoshin edhe kërkesa të tilla si ngrohja, e kushtet e banimit. Atë natë kërkuan të shkonin te sheshi “Skënderbej”. U thashë të mblidhemi në sheshin tuaj, të diskutojmë, por pastaj dikush urdhëroi. Para para! Kam lëvizur me një grup studentësh deri tek ambasada e sotme italiane. Aty ishin disa policë. Këtu u kërkua takim me Ramiz Alinë me të cilin janë lidhur me anë të policisë. Kanë takuar Ramizin në një të natës. Por filloi dhuna me pretekstin se kishte humbur një pistoletë. Disa studentë u rrahën nga policia. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi të nesërmen. Sërish ka dalë një grup që e kanë shpërndarë me dhunë. Dikush, në telefon, më tha të shkoj në Qytetin Studenti, ku po mbërrinin ndërkohë të rrahurit. U thashë studentëve bëhuni një grup dhe takohemi te zyra ime. Tani po kristalizohej gjithnjë e më shumë elementi politik. Kisha krijuar një lloj konfidence me ta meqë isha prononcuar në nëntor. Shpesh më thoni: Juve ju kanë censuruar për vete, ju jeni me ne, na mbështesni. Paradite kemi vajtur, bashkë me Lisen Bashkurtin, në Komitetin e PPSH për Tiranën ku qe një rrëmujë e madhe. Kishte edhe ndonjë demonstrim force nga dogmatikët. Këtu na kanë thënë do shkoni me shokun Sali te studentët. Saliu iku para me “Benz”-in e Xhelilit. Shkova te konviktet. Aty dëgjuam që studentët do dilnin sërish në shesh. Ishte relativisht qetësi. Te mensa e gjeta doktorin me një grup studentësh. Ne ikëm sepse do ishte doktori që do kontaktonte me ta. Të nesërmen kam qenë në takim me Ramiz Alinë, i cili më tha: Do shkosh me Lisen Bashkurtin dhe Sali Berishën që të takoni studentët. I thashë se me ç’funksion vjen doktori. Më tha që ashtu është puna diçka të tillë. Doktori po priste te zyra e Xhelilit. Kemi shkuar bashkë te studentët, Më ka mbetur në memorie Azemi, i cili më tha se tashmë kërkesat tona janë vetëm politike. Këtë e kisha kuptuar edhe vetë. Kërkesat i kemi frmuluar bashkë me studentët pas disa debateve të gjata. Debat më vete ishte kërkesa që Ramiz Alia të takonte studentët në një takim të gjerë në sheshin e Qytetit Stdenti. U kam thënë se nuk është normale që kjo të ndodhte, por duhej të shkonin të takonin Alinë si kreun e shtetit. Kështu u vendos. Në fillim student dyshonin se mos nuk u plotësoheshin kërkesat. U thashë nëse kjo ndodh atëherë vazhdoni protestat. Shumë prej tyre kishin frikë se si do të shkonin. Dyshonin për ndonjë hle të Sigurimit. E lamë që do t’i shoqëroja unë e Liseni. Për herë të parë kam përdorur fjalën besë. Në kuptimin tradicional të kësaj fjale. Qejfi na e kishte të ishim edhe ne aty, sepse ishte një akim historik, por i thamë se ne nuk jemi të ftuar. Ne po iknim, por shoqëruesi i Ramizit na tha nëse do e takonm ‘shefin’. Ramizi ishte i prerë e i tensionuar. Ndërkohë e kishim marë vesh që pleniumi e kishte lejuar pluralizmin. Na tregoi edhe skenarin që çdo pak minuta i vinin letra nga krejt vendi, të cilat mbështesnin studentët. Diskutuam edhe për faktin nëse e lejon kushtetuta aktuale. Në planin formal mund të luhej si pengesë nga kundërshtarët e pluralizmit. Unë isha marrë me ndryshimet kushtetuese, kështu që e dija se në kushtetutë kishte mbetur si pa dashje një nen, 54, që e lejonte krijimn e organizatave politike. Këtë ne ia kishim thënë Enver Halilit, që ishte Ministër Drejtësie. Kjo ishte thënë edhe në Plenium. Këto janë ato që mbaj mend nga ajo kohë, por kryesorja është, që unë e dsai kolegë të tjerë në qeveri sapo dëgjuam që u ngritën studentët, u ndjemë mirë, sepse e quajtëm pozitiv faktin që protestat nisën nga nga studentët, pra nga qarqet intelektuale, sepse studentët ishin bijtë e bababllarëve, të cilët nuk ngriheshin kundër personit, por kundër sistemit,jo për një luftë të re klasash. Në tërësi kjo praktikë ishte ndekur në përgjigthësi në Lindje, ku ndryshimet nisën nga lart”.

Ju ishit anëtar i PPSh. Përse preferuat të ngrinit një parti të re dhe nuk u bashkuat me PS?

“Ne kemi mbenduar që proceset duhet të ecin në këtë drejtim. Mendonim se Ramiz Alia kishte pozicionin dhe detyrën e duhur që t’i mundësonte këto procese. Duke qenë se ai i kishte në dorë të gjitha frenat, i takonte atij që t’i lëshonte. Avantazhi ishte se diktatori i mirëfilltë nuk jetonte më. Ne kishim mendimin se Ramizi i drejtonte proceset, as nëpërmejt Byrosë dhe as nëpërmjet qeverisë, por me anë  të Saliut dhe lidhjeve të tjera. Këtë e ka pranuar edhe vetë Berisha. Në 1990 prandaj u shpreha në Kuvend sepse menduam që Ramizi po i vononte proceset. Shembujt e Lindjes kishin treguar se vonesa vetëm rrit dhunën. Duhet thënë se Ramiz Ali nëse nuk i paraprinte gjërave të paktën dinte të lëshonte pe. Ai edhe është përpjekur të drejtojë procesin. Qeveria ishte krejt jashtë loje. Madje edhe vetë Byroja Politike. Më vonë Alia ka thëns se nuk e kishte mbështetjen e duhur, por ama unë them se nuk e pengoi kush. Kur u shpall pluralizmi ne kemi kërkuar një takim ku foli Alfred Uçi. Ishim shtatë ministra, Uçi, Hoxha, Bufi, Ahmeti, Kamberi dhe unë. Donin të thonim që pluralizmi do kohë dhe frymëmarrje reale. Nëse shoqëria do mbahej e mbërthyer në ndarjen komunistë- antikomunistë, atëherë do shtohej polarizimi dhe konfliktualiteti. Alisë i takonte që të çlironte edhe psikologjikisht edhe vetë anëtarët e PPSH. Ata duhej të vendosnin vetë se ku do ta shikonin veten. Kishte rëndësi qëndrimi ndaj PD-së sespe mund të konsiderohej në mënyra të ndryshme në bazë të koncepteve të asaj kohe besa, tradhëtia. Alia pra kishte për detyrë ta luftonte këtë mentalitet. Pamë që ai ishte shumë hermetic dhe u zhgënjyem. Në janar kjo histori u përsërit në janar kur kërkuam dorëheqjen. Qeveria tashmë ishte e paralizuar, ajo nuk ishte shprehur qoftë edhe një herë të vetme për ndryshimet që kishin ndodhur. i thamë që duhen shtyrë zgjedhjet, madje unë i thashë se shpejt do të ketë zgjedhje të parakohëshme, kështu do të zinte vend pak nga pak, pluralizmi i vërtetë. Unë gjithnjë kam besuar se zgjedhjet e parakohëshme janë që një ilaç që e shoqëron shoqërinë. Sikurse një i sëmurë i bën analizat më shpesh se sa një i shëndoshë, ashtu duhet të ndodhë edhe me zgjedhjet e prakohëshme. Italia i përdori për 50 vjet me radhë. Më mirë të evitohen përplasjet poshtë se sa ato lart. Edhe në këtë takim nuk gjetëm klimën e duhur. Alia na thirri dhe na tha: Unë i shtyva zgjedhjet. Tani jeni ju shkaktarë të krizës. i thamë se do rrimë deri në zgjedhje pastaj do shihnim punën tonë. Në shoqëri kishte një polarizim me të cilin ne nuk ishim dakord. Këtë frymë e vazhdoi Berisha më pas duke mbajtur gjallën frymën armiqësore mesa palëve. Neve na dukej se PPSH nuk mund të ishte drejtuese e procesit. Ndryshimi i saj do të donte kohë, nga ana tjetër PD u ekstremizua shpejt dhe la jashtë shumë intelektualë, i frenoi ata. Kështu që ideja e krijimit të PSD ka lindur në shkurt të 1991 rreth së cilës u mblodhën një grup intelektualësh, të cilët na kërkuan mua dhe Ismail Ahmetit që duhet bërë një takim. Mund të pyesni pse nuk shkuat te PD. Një intelektual nuk shkon për të shtuar edhe një anëtar, por ai duhet afruar për nga kapaciteti i tij drejtues, të jetë i aftë të kontribuojë në programe, në qëndrime dhe kështu me radhë. PD fatkeqësisht mbeti lëvizje, edhe sot e kësaj dite, sepse nuk ka asnjë lloj ideologjie”.

A ekziston në Shqipëri një e majtë reale?

“E majta e ka më të thjeshtë se e djathta që të ketë fytyrën e saj të përcaktuar. Kjo edhe nga tradita socialdemokrate, por edhe për faktin se përgjithësisht shtresat massive janë përgjithësisht të majta. Te ne të ardhurat nuk janë aq të shumta sa që të lejojnë sipërmarrjen e poltikave të ndjeshme sociale. Kjo gjë përbën një pengesë për të majtën tonë. Por, nga ana tjetër, të djathtëste ne i mungon shpresa. PD gaboi kur formoi bizneset e mëdha. Këto u mbështetën mbi korrupsionin. U formulua teza sipas së cilës ‘ne po t’ia lemë kohës krijimin e shtresave të djathta duhet kohë, atëherë po tolerojmë disa që të krijohet ajo sa më shpjet’. Kështu dolën tregtarët demkratë, biznesmenët antikomunistë e grupe të tjera. Por kjo shtresë e djathtë nuk mund të krijohet me porosi. Këtë e kam thënë që në kohën kur isha në aleancë me PD-në. Kishin edhe ndjenjën e revanshit, që, të paktën për tre katër vjet, krijoi juristët me zor, mjekë me zor. Mbi zotëroi parulla: Do bëjmë sikurse na e kanë bërë, pastaj do të bëjmë shet. Kështu i cënuan themelet e shtetit. Prandaj dominon hajnia, lufta e klasave, korrupsioni”.

Po opozita e sotme?

Deri para pak kohësh në krye të së majtës ishte një më i djathtë dhe anasjelltas, në krye të së djathtës kishim në edhe më të majtë, më mirë me thënë një rudiment të së majtës, sepse Berisha mbetet kopie diktature në demokraci. Dihet se kopjet janë gjithnjë më keq se origjinali. Nano ishte fiksuar te politika liberale, por ajo por nuk ishte liberalizëm i mirëfilltë, por mungesë përgjegjësie. Agresiviteti i Saliut dhe kjo papërgjegjshmëri bëri që politika të humbasë moral. Sespe qeveritë e majta duhet të jenë më të pastra dhe më pranë shtresave të vrafëra. Nuk mund të bësh një jetë karshillëku e luksi kur pretendon se përfaqëson shtresat në nevojë. Në kohën e Nanos kjo ndodhi dhe ishte shkëputja e parë e drejtuesve nga baza. Kjo krijoi edhe çarje brenda të majtës. Pasat e majta në përplasjet me kundërshtarin ka toleruar më shumë se ç’duhet, kështu ka ndodhur në zgjedhjen e Presidentit, në zgjedhjet e fundit politike. Këtë lloj qeverie e mban në këmbë vetëm një opozitë që nuk e di rrolin e vet dhe një popull që nuk është i vetëdishëm për peshën e vet, sepse kjo qeveri i ka konsumuar të tëra llojet e shkeljeve e abuzimeve. Në zgjedhje nuk shkohet me këtë qeveri sepse tëra gjasat janë më keq. Po nuk iku kjo qeveri opozita nuk mund t’i premtojë popullit të saj që do të garantojë zgjedhje të mira. Ne nuk mund të gënjejmë më veten.Unë vetë nuk mund ta çoj partinë në zgjedhje me këto kushte.

Pra jeni për bojkot?

Ne të matematikës e kemi të thjeshtë. Kur nuk thua dot se çfarë bën dot, atëherë nisesh nga ato që nuk bën dot. Shkohet në zgjedhje me këto kushte? Jo. Luftohet korrupsioni? Jo. Plotësohen kriteret për në BE? Jo. Garantohet respektimi i Kushtetutës me Sali Berishën në qeveri? Absolutisht jo.

Mos po tregoheni ca si tepër pessimist?

Pesimist do të jem përderisa edhe pas 20 vjetësh luftojmë ende për votën e lirë. Pluralizëm do të thotë votë e lirë. Berisha ka dëmtuar thelbin e kësaj gjëje duke e shndërruar Shqipërinë në një hibrid ku ke një palë zgjedhje, një ekonomi tregu, por  u nuk vendos vota e lirë. Te ne nuk njihet dorëheja. Ndryshe nga të gjitha vendet demoratike nuk vë njeri në listë një person që ka process penal, apo të mbajë ende në post njerëz të lidhur me klane të dyshimta e të demaskuar nga shtypi. Atje ka raste që dorëheqejn e lusin sepse të paktën kështu shpëtojnë disi fytyrën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›