Dosja Ruli dergohet ne prokurori do te verifikohet per veper penale
Task-Forca e krimit ekonomik në Prokurorinë e Tiranës ka nisur verifikimin e procedurave nëse ka qenë në përputhje me ligjin kur ish-ministri i Energjetikës, Genci Ruli, ndryshoi marrëveshjen koncesionare dhe shtyu pagesën e gjobës për shoqërinë që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë. Sipas burimeve nga Task-Forca, kjo procedurë verifikimi ndiqet për të parë nëse vendimi i Rulit përbën vepër penale dhe ka mundësi për çeljen e hetimeve për këtë çështje. Nëse Task-Forca vendos fillimin e hetimeve, atëherë nis thirrja e dëshmitarëve, ku kryesori do të jetë pikërisht ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Ky i fundit, aktualisht ministër i Bujqësisë, dyshohet se në korrik të vitit 2009, vetëm dy ditë pas kërkesës së kompanisë koncesionare, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare pa e kaluar atë më parë për miratim në Kuvend, çka lehtësoi kompaninë nga gjoba prej 1.6 milionë eurosh dhe detyrimet e investimeve të parealizuara. Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria, duke dyshuar aferë të dyshimtë nga ministri Ruli, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh. Konkluzionet e KLSH-së nxjerrin në dukje se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në periudhën 2007-2009 (në shtator 2009, Ruli la detyrën), ka kryer një sërë shkeljesh të ligjit “Për koncesionet”, ndërsa janë vërejtur shumë kontrata që nuk janë respektuar si nga ministria ashtu dhe nga kompanitë e huaja. “Nga mangësitë dhe shkeljet e konstatuara në përmbushjen e detyrimeve të koncesionarit kundrejt Ministrisë së Ekonomisë dhe për mungesën e kërkesës nga ky i fundit, për të zbatuar të drejtat e detyrimet sipas kontratës, duke mos llogaritur e kërkuar për arkëtim detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i kushteve të kontratave koncesionare, në 11 raste janë shkaktuar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit në vlerën 353 079 635 lekë (3.4 milionë dollarë)”, janë përfundimet e nxjerra në raportin e KLSH-së, institucioni më i lartë kushtetues që verifikon shkeljet e institucioneve. Për të gjitha abuzimet e kryera, KLSH-ja ngarkon me përgjegjësi ish-drejtorin e Drejtorisë së Licencave dhe Monitorimit të Kontratave dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, si edhe disa funksionarë të tjerë, që të gjithë vartës të ministrit Ruli.