E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imzot Mirdita Te hapen dosjet e komunizmit

Kreu i Kishës Katolike: Të dalë në dritë e gjithë e keqja e regjimit

Pas politikës, edhe Kisha Katolike prononcohet lidhur me hapjen e dosjeve të periudhës komuniste. Përveç efektit që do të kishin për pastrimin e ndërgjegjes shoqërore, vështrimi në tërësinë e fakteve të diktaturës si në aspektin e saj represiv, sipas kreut të katolikëve shqiptarë, Rrok Mirditës, transparenca do të kishte rolin e mbajtjes gjallë të një realiteti që duket sikur po harrohet dhe po zhvendoset nga gjykimi social dhe intelektual në Shqipëri. “Por unë jam shprehur dhe vazhdoj të mendoj që hapja e dosjeve pjesërisht do të ishte pozitive. Kur them këtë kam ndërmend edhe nga përvoja, por më ka interesuar gjithmonë gjatë qëndrimit tim në SHBA dhe është interesante. Në këtë aspekt jam i bindur, pra e mbështes këtë në një sistem demokratik si ai i SHBA-së, që njerëzit të cilët pretendojnë që të kandidojnë për poste të larta duhet të kalojnë këtë lloj skaneri. Në qoftë se personaliteti i tyre është i rënduar në kohën e kaluar, p.sh. gjatë diktaturës, nuk duhet as të pretendojnë, as të zgjidhen, as të emërohen në poste të larta”, deklaroi në një intervistë për “Tv Alsat”, Mirdita. Ky duket të jetë qëndrimi i parë publik i një përfaqësuesi të komuniteteve fetare lidhur me çështjen e shumëpërfolur të dosjeve të kohës së regjimit të Enver Hoxhës. Një diskutim që, përmes kërkesave si kjo, konsiderohet ende i papërfunduar, pavarësisht se kanë kaluar 20 vjet që prej kohës kur sistemi monopartiak pushoi së ekzistuari. Në një pikëpamje më të përgjithshme, Mirdita ka kërkuar edhe distancimin dhe denoncimin e komunizmit jo në aspektin nominal, por si ideologji, si teori dhe praktikë që materializoi atë që kreu i katolikëve e konsideroi si “shpëlarje e trurit”. “Unë nuk do të përdorja ndoshta fjalën ‘dënim’, por mendimi im është që komunizmi ndoshta nuk është zbardhur aq, jo vetëm si fenomen, por edhe si një ideologji që ka lënë pasoja jashtëzakonisht të rënda në popullin tonë. Duhet që përmes shkrimeve, fakteve, të gjithë atyre që edhe sot ekzistojnë dhe janë dëshmitarë, pra ka një numër njerëzish që e kanë përjetuar, të zbardhin, t’i nxjerrin në dritë, për t’u parë e gjithë e keqja që ka sjellë ai regjim me të gjitha pasojat që sot ende ky popull i vuan”, u shpreh Mirdita. Në referencë të kësaj frakture historike që pësoi shoqëria shqiptare dhe sidomos institucionet e saj fetare, prononcimi i tij merr vlerë edhe për të kuptuar një lloj prirjeje të re, të brendshme të qytetarëve në Shqipëri lidhur me besimin fetar. Kështu, proceset e hapjes të nisura në vitet ’90 kanë përcaktuar një paradoks në raport me vendet e tjera, teksa brezi i ri po i përqaset fesë dhe besimit në një mënyrë më intensive sesa brezi i kaluar që e pa rininë e vet të formuar nën ndikimin e ideologjisë komuniste. “Mendoj që njerëzit përherë e më tepër ndërgjegjësohen për sa i përket nevojës së besimit... Dua ta theksoj me kënaqësi se kjo më tepër vërehet te të rinjtë, që është diçka ndryshe nga vendet e tjera të Europës, te ne interesimi i të rinjve është më i madh, te të moshuarit ose tek ajo gjeneratë, e cila ka lindur dhe ka jetuar në kohën e diktaturës dhe që në njëfarë mënyre është mësuar të jetojë pa Zotin, pa atë ndërgjegjësim të besimit, të fesë, të nevojave shpirtërore, jo sepse sillen si armiq ose kundërshtarë, por më tepër indiferentë, te të rinjtë është diçka ndryshe”, u shpreh Rrok Mirdita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›