KQZ e percare per hapjen e kutive te materialeve zgjedhore

Tri ditë para mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e kutive shpërthejnë qëndrimet e kundërta për çështjen e kutive. Ndërsa përfaqësuesit e opozitës kundërshtojnë hapjen e kutive para komisionit hetimor, të zgjedhurit nga ana e mazhorancës e përkrahin këtë qëndrim. Data e re për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore më shumë sesa moment që përfiton nga ulja e tensionit politik dhe deklarimi i kreut socialist për fletët e votimit, nuk duket se përcjell gjë tjetër. Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duket të jenë të ndarë në qëndrime sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje në mbledhjen e datës 29 dhjetor, kur edhe ka gjasë që debati dyvjeçar të mbyllet me nisjen e procedurave për asgjësimin e fletëve të votimit. “Është absolutisht një kërkesë ligjore, të cilën ne duhet ta kishim bërë prej kohësh. Ne jemi në tejkalim të çdo afati dhe na duhet të respektojmë pikën dhe nenin e Kodit Zgjedhor. Kjo është tematika e mbledhjes së ardhshme dhe besoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të ketë rrugë tjetër përveçse zbatimit të ligjit, për sa kohë nuk kemi asnjë mundësi tjetër”, deklaroi dje anëtari i KQZ-së, Klement Zguri. Ai u është referuar afateve ligjore për sa i përket hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, të cilat bëhen edhe më shumë të detyrueshme nga dekreti presidencial për zgjedhjet e 8 majit 2011. Në fakt, qëndrimi i përcjellë nga Zguri, karakterizon të gjithë relacionin që shoqëron projektvendimin dhe që i hap rrugë asgjësimit të fletëve të votimit, kundërfletëve dhe arkivimit të materialeve zgjedhore. Artikulimi i këtij pozicioni duket se e sjell KQZ-në në një klimë të brendshme të alternuar nga qëndrime pro dhe kundër për sa i përket çështjes së fletëve të votimit. “Mendimi im është që tani për tani kutitë nuk duhet të hapen. Në funksion të transparencës dhe nëse një komision hetimor mund të ngrihet atëherë do të kërkojë të ketë në dispozicion materialet. Natyrisht, këto janë ide dhe pikëpamje që do të shtrohen për diskutim në mbledhje ku edhe do të merret vendimi”, tha anëtari tjetër i KQZ-së, Artan Laze. Kështu, institucioni i drejtuar nga Arben Ristani me gjasë do të jetë i ndarë në mbledhjen e 29 dhjetorit ku nga përfaqësuesit e opozitës mund të mungojë për arsye shëndetësore, Pandeli Varfi. Në raport me zhvillimet politike në vend, qëndrimet e anëtarëve të KQZ-së kontekstualizohen thuajse diametralisht në të kundërt, për sa kohë që përfaqësuesit e shumicës i referohen në mënyrë “të thatë ligjit”, kurse ata të opozitës po mbajnë një pozicion që synon të mbajë procesin të hapur për këqyrje. Madje, ka qenë kredenciali i krizës dhe tensionit politik ai që ka detyruar shtyrjen e vendimit për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe pezullimin e djegies së fletëve të votimit. Në një farë mënyre vetë KQZ, pavarësisht interpretimit të pastër ligjor u është nënrenditur interesave politike, duke qenë se edhe zbatimi i Kodit Zgjedhor, sipas pikëpamjes demokrate është funksionalizuar nga marrëdhëniet e shumicës me PS-në. Po kështu, realiteti i ri politik e motivon dhe kushtëzon daljen e KQZ-së në këtë pozicion të ri, edhe pse duhet se kreu i saj, Arben Ristani, i është përmbajtur qëndrimit të vet publik. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të zbatojë të gjitha nenet për të cilat flet Kodi Zgjedhor. Jemi të detyruar. Çdo gjë tjetër për të diskutuar, apo ndërtuar marrëveshje qoftë edhe ndërmjet nesh në raport me atë që ligji kërkon, besoj nuk do të jenë ligjore dhe nuk i bëjnë mirë procesit”, tha Zguri, duke nënkuptuar se brenda këtij viti çështja “fletë votimi” mund të mbyllet.