E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënder Sallaku: Babait i kam çuar nusen të kyçur në valixhe

TIRANE-Artisti i Popullit" dhe legjenda e humorit shqiptar, Skënder Sallaku para publikut të gjerë shqiptar. Në këtë intervistë ekskluzive të dhënë për "Gazeta Shqiptare", artisti i madh popullor shpjegon për publikun e gjerë të panjohurat e mëdha të jetës së tij private. Cila ka qenë e kaluara e hershme e Skënder Sallakut dhe e së shoqes së tij "Mjeshtres së Madhe" , akrobates së jashtëzakonshme të cirkut shqiptar Vitore Sallaku ( Rasha). Jeta e tij artistike para se të thërritej për shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv ku u pozicionua si aktor me pagesë në trupën e humorit të forcave të Kufirit. Ai shpjegon gjithashtu detajet dhe peripecitë kur u thërrit për të kryer ushtrinë. Por, si ka vijuar jeta e çuditshme e humoristit shpirtëror të popullit i cili që në adoleshencë, pa mbaruar akoma ushtrinë, u mor nga trupa shtetërore e estradës dhe e cirkut kryeqytetas. Momentet që u njoh me vajzën "plastike" dhe historia e çuditshme deri sa e çoi në shtëpinë e babait. Gjithçka do të ndiqet pikërisht në intervistën e mëposhtme të vetë zotit Skënder Sallaku.

Zoti Sallaku, kush është e kaluara juaj e hershme, duke filluar me fëmijërinë?
Unë kam lindur në 25 janar të vitit 1935. Pra, tashmë jam plot 77 vjeç. Shtëpinë e fëmijërisë e kam pasur në rrugën e "Dibrës" sot "Siri Kodra". Arsimin 7-vjeçar që kishim në atë kohë e kam kryer në shkollën "Lidhja e Prizrenit".
Më mbrapa së bashku me time shoqe Vitoren kam përfunduar liceun artistik "Jordan Misja" dhe së fundmi po të dy kemi vijuar studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike "Vojo Kushi'. Po kështu kemi kryer edhe dy vjet specializim për fushën e akrobacisë dhe humorit në Kinë.
Jam kurioz se paskeni qenë bashkë me bashkëshorten tuaj Vitoren si në Lice ashtu dhe në Institut, si shpjegohet?
Sepse ne jemi njohur që kur ajo ishte 15 vjeç kur unë sa kisha mbaruar ushtrinë fillova punë në Estradën e Tiranës e cila ishte së bashku me cirkun. Aty gjeta Vitoren e cila ishte një nga akrobatet e jashtëzakonshme të skenës që karakterizohej nga një këmbëngulje dhe vullnet i habitshëm gjë që më ka bërë që në fillim për vete. Pas dy vjetësh si u njohëm u martuam ku kemi dhe një enciklopedi të veçantë në lidhje si e çova në shtëpi. Por, më e veçanta është se ndërkohë që filluam punën në trupën e Estradës dhe Cirkut vijuam studimet të cilat për ne që ishim vlerësuar për talentin e lindur na detyrohej patjetër. Kështu që unë me Vitoren së bashku shkuam në liceun 'Jordan Misja' dhe së bashku shkuam në Institutin e Lartë të kulturës fizike.
Kur e keni filluar profesionalisht artin e humorit?
Ka qenë viti 1953 kur isha vetëm 18 vjeç. Në atë kohë kishin rënë në sy aftësitë e mia si humorist dhe më ka marrë si aktor profesionist në linjën e humorit Estrada e Kufirit. Duke qenë se ajo ishte trupa profesioniste që i përkiste Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, quhej Estrada e kufirit. Unë për një vit, sa kam punuar aty kam pasur gradën "Kapter" apo më mirë të thuash se firmosja në bordero me gradën "kapter". E veçanta e punës sime në këtë trupë është se për atë vit që punova në estradën e kufirit kam dhënë shfaqje në të gjitha postat e kufirit të Shqipërisë pa përjashtim duke filluar nga Konispoli e deri në Vermosh.
Mbani mend kolegët me kë keni punuar në atë kohë në Estradën e Kufirit?
Në Estradën e Kufirit kam punuar me Skënder Plasarin, Agim Konçin, kërcimtarin Besim Zekthi, dirigjentin Agim Krajka etj.
Pse ka pasur akoma veç atyre që përmendët që si përmendni disa emra përfundoni me shprehjen "e të tjerë"?
Dëgjo këtu. Ka pasur një të fortë artisti i madh Tano Banushi. Ai ndërsa kishte marrë pjesë në një shfaqje që kishte mbajtur peshën kryesore kishte lexuar në një material ndoshta në gazetë nuk e mbaj mend tani se ku që në atë shfaqje kishin marrë pjesë filani e filani e filani dhe në fund si nuk e kishte përmendur fare Tano Banushin ishte mbyllur me shprehjen "E të Tjerë". Dikush i tha Tanos se përse nuk ia kishin përmendur emrin si pjesëmarrës kur ai kishte qenë më kryesori. Tanoja i ishte përgjigjur: E keni gabim. Unë jam përmendur, por ju s'dini të lexoni. Kishte vijuar debate që jo ishte përmendur apo nuk ishte përmendur ndërkaq i kishte sjellë dikush gazetën dhe ia kishte lënë para duarve duke i thënë " Hapi sytë e ke emrin në ndonjë vend këtu?" Tanoja kishte vazhduar si triumfator: Hë bëre mirë që ma solle ja ku është. Ku mor vëlla se më hoqe trurin ia kishte kthyer tjetri.
"Ja, - kishte vijuar Tanoja, - thotë këtu që mori pjesë ky e ky e ky (duke lexuar emrat që ishin shkruar,) në fund thotë 'etj'. Pikërisht këtu jam unë te 'etj' ". (shkaktohen të qeshura të mëdha në tavolinë me rrëfimin e Sallakut për humorin e hollë të Kolegut të ndjerë)
(Unë duke qeshur vijoj pyetjen)
Zoti Skënder ju kuptova se çfarë donit të më thonit ndërkohë doja të dija se si ka vijuar më mbrapa historia juaj e rrugës së artit dhe jetës të cilat pa dyshim kanë qenë të pandara?
Në vitin 1954 më thërresin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Më falni po kësaj i thonë të zbrisni në gradë pasi para ushtrie keni qenë kapter se ishit aktor i Estradës së Kufirit dhe në bordero firmosnit të paktën si i tillë thatë apo jo? Ndërsa një vit më vonë më thoni se paskeni kaluar ushtar i thjeshtë, apo jam gabim? Bëj shaka.
Je shumë i saktë siç jeni gjithmonë ju gazetarët që çudira të këtilla nuk ju shpëtojnë kollaj. (Qesh, ndërkohë që hyn në temën e batutës). Edhe unë për atë lloj goditje që më kanë bërë kam qenë shumë në merak gjë që më ka shoqëruar gjithë jetën se çfarë dëmi i kisha sjell popullit që ma hoqën gradën "kapter"? (Qesh me të madhe për humorin e filluar).
Më thanë se në trupën e kufirit ashtu ishte rregulli që aktori ishte kapter ndërsa tani që duhej të bëja ushtrinë më thoshin se nuk isha më kapter, por ushtar. Por, as një argument nuk më bindi as një herë sa do që u munduan shumë. Ku e dija unë se pas meje do ta hante dhe Beqir Balluku me shumë gjeneralë. (Vijon të qeshurën e nisur në fillim të këtij aludimi humoristik). Madje dua të të tregoj edhe një detaj shumë të bukur të atij momenti kur isha ushtar, por që të besosh se tregon më së miri protestën time për gradën e hequr padrejtësisht. (vijon të qesh me lot)
Çfarë proteste bëtë, jam kurioz ta dëgjoj?
Kur isha ushtar kishte dhënë urdhër komisari i kufirit që quhej Llambi Premti që ndryshe nga ushtarët e tjerë unë të rrija në repart civil. Kjo ka ndodhur kur shkova në repart ushtar ndërkohë që kisha qenë kapter pra aktor i estradës.
Si e justifikonte atë urdhër goxha paradoksal?
Sa vajta në repart ai tha: Skënder Sallaku është njeri i artit. Ai ashtu si edhe ushtarët sportistë të Partizanit apo Dinamos të rrijë civil. Kështu unë përfundova në repart me pantallona ushtarake dhe bluzë civile. Mirëpo në një xhiro që bëja në qendër të Tiranës pash që përball meje vinte komandanti i Kufirit tek Koloneci. Ky u bë krushku i Enver Hoxhës pasi ishte i ati i Kelmend Kolonecit. Kur më del para komandant Tekiu unë ashtu siç isha me këpucë civile dhe pantallona ushtarake ndërkohë që isha jo vetëm pa kapele, por edhe me bluzë civile mora direkt qëndrim dhe e nderova. (Qesh me të madhe)
E paske bërë si ushtari i mirë Zhvejk?
Tamam ashtu. Por, Takiu sa më pa atë karagjozllëk mori inat dhe më tha: Po ti more çmë je bërë kështu gjysëm mi dhe gjysëm zog.
"Po ja shoku komandant, - i thashë unë, - nuk ka rroba për mua në repart".
Ai u çudit duke thënë: Nuk ka rroba?!! Ne kemi rroba për një ushtri të tërë ndërsa ti thua se s'ke rroba. Shko vrap në magazinën qendrore dhe me urdhrin tim thuaju atyre të të japin menjëherë një palë rroba ushtarake.
I morët?
I mora dhe më rrinin mirë por prapë të nesërmen unë u shndërrova si një ditë më parë me pantallona ushtarake dhe bluzë civile.
Pse çfarë i bëtë rrobat?
I shita menjëherë. Nuk mund të rrija dot me gradën që më kishin dhënë pra "Ushtar". Po protestoja pra. (shpërthen në të qeshura).
Po shpëtova shpejt nga problemi i gradës se dy vjet më vonë pa mbaruar akoma ushtrinë kalova menjëherë në trupën e Estradës profesioniste të Tiranës. Madje, në atë trup ndryshe nga rregullat dhe ligjet unë u mora pa as një testim apo konkurs.
Kjo do të thotë se duke parë aktivitetin e madh dhe të ngjeshur që kishte ajo estradë në rrethet e Shqipërisë dhe akseset e saj në televizionin e vetëm shqiptar i bie që në këtë kohë t'ju njihte e gjithë Shqipëria si humorist i shquar i panelit të humorit shqiptar?
Është e vërtetë se kishte ardhur koha që unë pavarësisht se sa kisha mbushur të 20 vitet njihesha në mbarë vendin sepse është e vërtetë ajo që thatë juve se estrada e Tiranës në atë kohë kishte një lëvizje të jashtëzakonshme me një program shumë të ngjeshur në të gjithë Shqipërinë. Jepnim shfaqje në qytete dhe fshatra ashtu si dhe në ndërmarrje apo shkolla të ndryshme duke përfunduar deri në zonat më të thella. Jo vetëm kaq, por Estrada e Tiranës kishte një hapësirë të veçantë në programet e vakëta të televizionit shqiptar i cili përcillte shfaqjet e saj nëpërmjet varietesë së përjavshme. Të gjitha këto që thamë dhe etja e publikut për të qeshur sadopak përballë veprimtarisë së punëve sfilitëse të përditshme bënë që ne të shikoheshim me një simpati të madhe gjë që na jepte jo pak kënaqësi.
Për se ju jepte kënaqësi?
Që kishim një farë mundësie për t'jua lehtësuar sadopak hallet atyre njerëzve apo si të thuash t'ju jepnim disa çaste të gëzuara në vorbullën e madhe të stresuar të jetës së tyre.
Atëherë keni kaluar me të drejta të plota si aktor profesionist i asaj estrade apo jo?
Ju thash pak më lart se pa u liruar akoma nga shërbimi ushtarak dhe pa kaluar fare në konkurs kualifikimi kalova në mënyrë të menjëhershme jo thjesht aktor i aktivizuar pranë trupës së estradës së Tiranës, por si aktor profesionist i saj. Kjo për atë kohë ishte një arritje e madhe, por edhe një vlerësim që i bënë talentit tim njerëzit e atëhershëm të artit.
U ndjetë i ekzaltuar?
Nuk diskutohet ajo që thoni ju por njëkohësisht unë ndjeja përgjegjësinë e madhe që kisha para publikut që më duartrokiste përherë e më shumë dhe para atyre që mua më kishin konsideruar "një shkëndijë që prisja të shkëlqeja fuqishëm në panelet e humorit shqiptar". Kjo do të thoshte se përpara më priste një punë këmbëngulëse e palodhur dhe e vullnetshme. Unë atëherë punoja me grupin e akrobatëve dhe gjithashtu edhe me grupin e aktorëve të humorit. Siç ta thash më parë pikërisht aty dhe në atë periudhë unë kam njohur edhe Vitoren me të cilën u martova dhe qysh atëherë nuk jemi ndarë në as një moment duke ndarë së bashku hallet dhe gëzimet.
Sa vjeçe ka qenë Vitorja në atë kohë që ju jeni njohur?
Ka qenë vetëm 15 vjeçe.
Dhe çfarë ishte Vitorja në atë staf?
Ishte akrobate. Në atë grup akrobatësh kanë qenë të shquarit dhe të mirënjohurit Telat Agolli, Arjan Miluka etj.
Por ju shkuat në Estradën e Tiranës, ç'lidhje kishit me cirkun që shpreheni se në atë kohë keni qenë me Vitoren për të cilën thoni se ishte akrobate?
Edhe këtë jua citova disi se atëherë ishin bashkë cirku dhe estrada. Pra ishte një institucion dhe një kolektiv.
Kush janë qenë kolegët e ty të parë , pra aktorët e parë të atyre viteve të Estradës së Tiranës zoti Sallaku?
Aktorët e Estradës së Tiranës të viteve 1956 për shembull kanë qenë Ramazan Zyberi, Enver Dauti, Mempomeni Çobani, Muftar Armiri, Lim Noka, Ana Kçira, Skënder Plasari, Tonin Konçi etj.
Edhe këtu është shprehja e preferuar për ata që nuk kujtohen duke e mbyllur me "etj" apo jo?
Bah, e bëj unë atë gabim kur përmend gjithë ata kolegë dhe të harroj që në fund të them "ETJ"? Kurrë. Se kushedi se kë kam harruar dhe më thotë nesër që lexon intervistën time se përse e kam harruar. Atëherë unë do i them se nuk e kam harruar, por e kam shënuar te shprehja "ETJ". (Qesh me lot)
Kush ka qenë regjisor i trupës tuaj?
Regjisor ka qenë Mihallaq Luarasi, i cili sa kishte përfunduar studimet në Hungari. Ai ka qenë dalluar për një kërkesë të jashtëzakonshme llogarie në drejtim të disiplinës artistike.
Ishte puna e tij që atë qendër humori relativisht të dobët e ngriti në lartësitë e shkëlqimit të gjithanshëm artistik.
Sa role keni lozur në atë kohë që po më tregoni?
Mbaj mend se më jepnin peshën e madhe të shfaqjes pasi në çdo të tillë unë kisha deri 6-7 role. Por, gjatë kësaj kohe veç roleve në teatër dhe cirk unë merresha edhe me sport.
Me sport? Mos po vijoni humorin dhe në këtë moment?
Absolutisht jo. Në vitet 1959 dhe 1960 unë kam qenë kampion kombëtar i mundjes. Madje kishte edhe atëherë njerëz deri te rangjet e larta që nuk e besonin këtë dhe habiteshin ashtu siç u habitët juve.
Për shembull?
Do t'ju kujtoj një moment të bukur të ndodhur në vitin 1959 kur unë po shkoja në kampionatin e mundjes ku dola Kampion për herë të parë. Kampionati, mbaj mend që u bë në pallatin e Pionierit ku sot më duket se është banesa aktuale e familjes mbretërore. Para ndeshjes unë rrija para pallatit i veshur me bluzë dhe tuta sportive dhe po bëja nxehjen për të filluar ndeshjen. Njerëzit vinin varg ku zinin vendet në shkallët e panelit ku do të zhvillohej kampionati. Shumë që më shikonin çuditeshin se ishin mësuar të më shikonin në skenën e humorit. Në një moment vjen edhe Todi Lubonja që në atë kohë ishte Sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë i cili gjithashtu u çudit kur më pa duke bërë nxemjen. Më tha: Skënder çne ti këtu? Unë ja ktheva se isha pjesëmarrës në kampionat. Ai pas kësaj ngriti supet në mënyrë mosbesuese dhe shumë i çuditur, por gjithsesi vijoi për në vendin e tij të rezervuar.
Pas shfaqjes në seanca të stërzgjatura disa raundesh unë përfundova kampion. Pas kësaj mbaj mend që Todi erdhi në tapet dhe më takoi duke më thënë që e kisha befasuar me përgatitje dhe po më thoshte " Më fal që të nënvleftësova". Kuptohet që këto lloj bisedash ishin dashamirëse.
Pse më mbrapa e latë sportin?
Në vitin 1960 dhe vitin 1961 së bashku me Vitoren kemi qenë në Kinë për specializim në fushën e humorit dhe të cirkut.
Më thatë se kur u njohët me Vitoren në arenën e cirkut ju tërhoqi vëmendjen dhe se u martuat me të dy vjet më vonë. Më bëri përshtypje zoti Sallaku kur thatë se edhe martesa juaj ka qenë shumë e veçantë ashtu siç ka qenë vetë jeta e lidhur me artin më të vështirë siç ishte jo vetëm humori por edhe Cirku. Kush është ajo e veçantë që mund të bëhet e njohur për publikun?
Po ore s'ka ndonjë sekret. Unë Vitoren e kam çuar te babi të kyçur në valixhen e shfaqjes.
Të kyçur në valixhe?
Po po. Vitoren e fusja pa problem në valixhe.
A mund të më shpjegohesh?
Të shpjegohem unë si të kesh qejf ti. Atëherë ka qenë viti 1959. Unë kam qenë 24 vjeç dhe Vitorja ishte vetëm 17 vjeç.
Unë me Vitoren ndërkohë kishim vendosur të martoheshim.
Në atë kohë përgatitëm për në skenë "Vitorja në Valixhe".
Kjo kishte të bënte me hyrjen e numrit të radhës së Vitores. Unë hyja me një valixhe brenda të cilës ishte mbyllur Vitorja. Kur hyja në skenë me valixhe në dorë dhe çelës në brez si e vija në mes të skenës dhe vendosja këmbën duke u mbështetur mbi valixhe i drejtohesha sallës: "Po e gjetët se çfarë kam në Valixhe". Në sallë krijohej ilaritet duke përmendur me zë të lartë lloj lloj sendesh që ua merrte mendja se mund të ishin brenda valixhes. Pasi i lija të hallakateshin unë merrja çelësin dhe filloja të hapja valixhen dhe që andej kërcente Vitorja duke ngritur dy duart lart në qëndrim gjimnastikor duke salutuar sallën që shpërthente në stuhi ovacionesh. Kjo ishte hyrja e numrit plastik të radhës që Vitorja do të interpretonte në vijim.
Pas kësaj fillonte interpretimi i saj?
Po pra. Pas përfundimit të numrit të sajë Vitorja futej sërish në valixhe të cilën unë e mbyllja me çelës nën ovacionet e jashtëzakonshme të publikut i cili dinte të duartrokiste dhe të të përshëndeste në mënyrë të mrekullueshme aq sa na motivonte dhe na bënte gjithmonë borxhlinj për punë akoma më të madhe që t'ja shpërblenim sado pak atë jehonë që na bënte. Që të mos i shmangem temës po them se kur Vitorja kishte hyrë pas numrit të saj sërish në valixhe dhe ajo ishte kyçur me çelës unë e merrja valixhen dhe largohesha me të për të dalë nga skena.
Kështu dhe u martuat?
Pikërisht në një numër të tillë në skenën e estradës unë bëra hyrjen e Vitores. Hapa valixhen dhe ajo kërceu para spektatorit në mes të Skenës. Kur mbaroi interpretimi ajo sipas rregullit u fut sërish në valixhe të cilën e mbylla. Pas kësaj kur unë duhej të shkoja mbrapa perdes nuk e bëra një gjë të tillë.
Pse çfarë bëtë?
Si mora valixhen me Vitoren Brenda dola në rrugë jashtë godinës së estradës ku ishte duke u dhënë shfaqja. Dhe u nisa për në shtëpi.
Vitorja e dinte se ku ishte?
Vitorja nuk dinte asgjë. Ajo ishte e mbyllur dhe s'kishim bërë as një bisedë se pikërisht në atë moment unë do ta prezantoja te babai im.
Sa ishte ora?
Po duhet të ketë qenë aty te 20:30 minuta deri aty te 21-shi.
E kishit larg shtëpinë nga salla ku jepnit shfaqjen? Pra do të udhëtoje gjatë deri në shtëpi?
Salla siç e dini ishte mbrapa Muzeut Kombëtar apo ku është universiteti "UFO" ndërsa shtëpinë e kisha te rruga e 'Dibrës' apo saktësisht te Selvia që përshkrohej rreth 15-20 minutash.
Si ju pritën në shtëpi?
Kur shkova në shtëpi gjeta prindërit dhe vëllezërit që bënin muhabet. Hyrjen time e kishin të papritur sepse e dinin se unë isha në punë pra duke dhënë shfaqje prandaj dhe u habitën. Por, u habitën më shumë kur unë e lash valixhen në mes të dhomës duke i thënë babait:
- E di baba se çfarë kam sjellë në valixhe?
- Çfarë ke sjellë mor bir se po na mundon kot - ma ktheu si me përtesë ai duke mos e hamendësuar kurrë se brenda saj do të ishte pikërisht nusja e djalit të tij të cilën do të donte shumë gjatë gjithë kohës.
- Babë - vazhdova unë para familjarëve që ishin kthyer sy e veshë nga valixhja që qëndronte e heshtur në mes të dhomës - kjo është nusja ime.
- Ç'thua mor bir se s'të marr vesh - u platit ai me përtesë dhe i bezdisur që po e lodhja kot.
- Brenda valixhes baba i thash unë ndërkohë që hapa valixhen dhe prej andej si ndodhte në skenë kërceu Vitorja por shumë e çuditur për ambientin që ju shfaq.
Çfarë tha babi pas kësaj?
Si doli Vitorja dhe po rrinte si e ndrydhur para tyre unë u thash:
Babë, kjo është nusja ime që e dua shumë.
Ai i ngrirë nga sa ju shfaq para syve vetëm belbëzoi i hutuar: "Tobe Stajfullah"
Si vijoi me vëllezërit dhe prindërit historia pas kësaj?
Po si do të vijonte filloi humori siç ndodhte sa herë shkojë unë nga puna por këtë herë kishte në qendër Vitoren.
(vijon nesër ne Gazeta Shqiptare)

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›